Politike

PD: Artur Metani, besnik i Ramës. Duhej skualifikuar nga KED

Në mbledhjen e fundit të tij, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi seleksionoi kandidaturat për postin e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, ku mes emrave që u kualifikuan ishte edhe ai i Avokatit të Shtetit, Artur Metani.

Partia Demokratike thotë se vendimmarrja e KED-së është në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata doli në një konferencë për shtyp ku tha se si Kushtetuta ashtu edhe ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë u ndalojnë kandidatëve që kanë mbajtur funksione politike në administratën publike gjatë dhjetë viteve të fundit.

“Artur Metani është në kushtet e ndalimit kushtetues dhe ligjor. Ai ka mbajtur funksionin e Këshilltarit Juridik të Presidentit të Republikës, në periudhën Maj 2002-Korrik 2012”, deklaroi Gjata.

Por a është cilësohet funksion politik pozicioni i këshilltarit të Presidentit? Opozita, duke cituar ligjin e vettingut mendon se po.

“Ligji i Vettingut, neni 3 pika17, pozicioni i Këshilltarit të Presidentit konsiderohet “funksion politik” në administratën publike. “Shprehja “nuk ka ushtruar funksione politike në administratën publike” do të thotë që nuk ka qenë deputet, Kryeministër, Zëvendëskryeministër, ministër, zëvendësministër ose nëpunës pjesë e kabinetit të Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, Zëvendëskryeministrit, ose ministrit që kryen detyrën e drejtorit të kabinetit, këshilltarit, ndihmësit, zëdhënësit, ose sekretarit personal të titullarit të kabinetit”, deklaroi Gjata.

Sipas këtyre përcaktimeve, Partia Demokratike thotë se kualifikimi i Artur Metanit nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë si një kandidat kryesor për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ndalohet nga Kushtetuta dhe nga vetë ligjet e reformës në drejtësi.

PD mendon se ky kualifikim i Metanit nuk është as interpretim ndryshe i ligjit nga ana e KED-së dhe as pakujdesi juridike, por e qëllimtë dhe për këtë drejton gishtin nga Kryeministri Edi Rama.

“KED, siç e dimë tashmë, drejtohet nga dyshja besnike e Edi Ramës Dvorani – Arta Marku. Ata janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për të plotësuar urdhërat e shefit të tyre Kryeministër, misioni i të cilit është të kapë çdo qelizë të organeve të reja të drejtësisë. Metani, aktualisht mban postin Avokat të Shtetit, i emëruar këtu direkt nga Kryeministri Rama. Ai është gjithashtu edhe vëllai i deputetes dhe ish-ministres socialiste, Eglantina Gjermeni. E pra në këto vënde Edi Rama nuk cakton pa dhënë prova të forta besnikërie. Njëlloj si bashkëshorti i deputetes Felaj i cili u emërua prokuror nga KLP pa magjistraturë dhe pa veting. E njëjta situatë po ndodh për emërimin e Artur Metanit si Inspektor i Lartë i Drejtësisë nga KED”, shtoi Gjata.

Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike kërkoi skualifikimin nga kjo garë e Artur Metanit, pasi në të kundërt tha ai, minohet besimi të pavarësia e organeve të reja të drejtësisë.

“Kualifikimi i kandidaturës së Artur Metanit për ILD është antikushtetues dhe antiligjor, ndaj kërkojmë nga KED të rishikojë vendimin e saj dhe të skualifikojë kandidaturën në fjalë. Në të kundërtën askush nuk beson më në pavarësinë e organeve të reja të drejtësisë nga Kryeministri, i cili po i kthen në organe private të tij”, mbylli fjalën e tij, Çlirim Gjata.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë