“Nuk ndodh, por nëse ndodh...”. Është një shprehje e vjetër romane që mund të materializohet këtë sezon në Serie A, me Inter që për herë të parë pas nëntë vitesh mund t’ia lejojë vetes të ëndërrojë për titullin kampion. Luçiano Spaleti këtë vit duket i fortë mjaftueshëm me Interin e tij dhe bashkë me Ançelotin janë gati për ta vënë pas shpatullave Masimo Alegrin. Tekniku ligurian me Juventusin e tij dhe Ronaldon në radhën e parë, është favoriti absolut për ta marrë përsëri në Torino trofeun e Serie A. Me gjashtë pikë më shumë në tabelë dhe një skuadër ndjeshëm më të fortë, Juventus është pretendenti kryesor, por Inter dhe Napoli mund t’ia lejojnë vetes një ëndërr. Nëse Napoli e humbi sfidën e parë me torinezët, Inter ende nuk e ka luajtur dhe mund të thuhet se ka një mundësi më shumë në favor, por që varet se si do e shfrytëzojë. Për këto mundësi të zikaltërve do të varen nga katër motive që për momentin mund të shihen si pika të forta në këto javë të para të kampionatit.
Mbrojtja më e mirë.
“Serie A nuk fitohet nga sulmi më i mirë, por nga mbrojtja më e mirë.” Kjo është një shprehje klasike në futbollin italian dhe që Inter këtë sezon e plotëson më së miri. Zikaltërit janë skuadra që ka pësuar më pak në këto 10 ndeshje të para. Vetëm 6 gola ka pranuar në portën e tij këtë kampionat gardiani, Samir Handanoviç, një më pak se Juventus dhe pesë më pak se Napoli. Në 11 vitet e fundit kampionati italian është fituar nga ekipi që ka pësuar më pak gola.
Sistemi i lojës
Luçiano Spaleti në “Olimpico” përballë Lacios, për herë të parë këtë sezon qartësoi skemën 4-3-3. Ky lloj sistemi loje për Interin garanton ekuilibër në mesin e fushës, që ka çelësat e lojës si në aspektin sulmues dhe atë mbrojtës. Jo rastësisht Mauro Ikardi realizoi dopietë dhe Inter mori fitoren e katërt rresht në transfertë në kampionat, gjë që nuk ndodhte që nga viti 2012. Lacio ishte një sprovë e fortë dhe skema rezultoi e suksesshme. Gjithsesi do të jetë shumë interesante për t’u parë kjo skemë e Interit, kur të rikthehet Raxha Naingolan, por edhe me portugezin, Joao Mario që tashmë duket sikur po e rimerr veten dhe është gati për një rol protagonisti.
Kalendari i ndeshjeve deri në janar
Përballja direkte për kreun me Juventus do të jetë më 7 dhjetor, pikërisht në datën kur në Itali festohet dita e Shën Ambrozit (shenjti që mbron qytetin e Milanos, sipas besimit katolik). Këtë javë, të shtunën zikaltërit udhëtojnë drejt Xhenovës për të përballur me kueqblutë, që deri më tani kanë bërë një sezon të mirë. Më pas i pret transferta me Atalantën, presin në shtëpi Frosinonen dhe udhëtojnë drejt kryeqytetit për të sfiduar Romën. Më pas skuadra e Spaletit deri në fund të fazës së parë do të luaj me Udinezen, Kievon dhe ka një ndeshje direkte me Napolin para se të mbyllë fazën me Empolin në transfertë.
Ndërkaq Juventus në vijim, në raundin e 11-të do të luaj me Kaljarin, udhëton drejt Milanos për t’u përballur me Milanin, pret Spal dhe shkon në Firence për t’u përgatitur për ndeshjen e 7 dhjetorit me zikaltërit. Pas kësaj sfide bardhezinjtë do të kenë tre ndeshje relativisht të vështira, ku do të presin Romën në shtëpi dhe udhëtojnë drejt Bregamos kundër Atalantës dhe Xhenovës për t’u përballur me Sampdorian.
Ngjashmëri me Tripletën
Në ndeshjet e ardhshme për Inter është sfida për të bërë tetë fitore rresht në Serie dhe kjo është një pengesë shumë e vështirë për t’u tejkaluar. Interi i këtij sezoni ka ngjashmëri me atë të vitit 2010 edhe pse duhet thënë se ajo që është identike, quhet Juventus me trajner Masimo Alegri. Tifozët bardhezinj e ëndërrojnë që të realizohet shprehja “Nuk ndodh, por nëse ndodh...” me tripletën e famshme që fitohet nga një skuadër italiane, por me një ndryshim që mos të jetë Inter, por Juventus.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.