“Paqe” në Korçë mes Skënderbeut dhe Tiranës. Skënderbeu ruan vendin e parë, me 11 pikë, 1 më shumë se Partizani. Një pikë që ia dha goli i sulmuesit Oto Xhon 3 minuta para fundit të ndeshjes së zhvilluar pa tifozë në stadiumin e Korçës. Skuadra e trajnerit Shehi ka vuajtur shumë përballë Tiranës, që kaloi e para në avantazh që në pjesën e parë. Mesfushori Edon Hasani, duke përfituar nga dalja e gabuar e portierit Teqja, shënoi me kokë në portën e boshatisur. Në anën tjetër, Muzaka ka humbur dy raste të pastra shënimi përpara portës së Likës.
Skënderbeut iu komplikua situata dhe trajneri Shehi bëri ndërrimin e parë pa u mbushur 25 minuta lojë. Lulaj, i ndëshkuar me karton të verdhë, i la vendin francezit Guedj. Skënderbeu ka pasur gjatë gjithë kohës epërsi territoriale, ndërsa Tirana ka tentuar të dyfishojë me anë të kundërsulmeve. Në pjesën e dytë korçarët kanë luajtur të gjitha “kartat”. Në fushë janë hedhur edhe Fili e Xhon dhe ky i fundit nuk ka zhgënjyer edhe këtë radhë, ashtu si në Vlorë, duke shënuar me kokë golin e barazimit. Krasniqi ka pasur dy mundësi të tjera për të shënuar, por asgjë nuk ka ndryshuar në rezultat. Të dyja skuadrat kanë ndarë nga një pikë dhe kuptohet që dëshpërimi është më i madh në kampin korçar. Ky është barazimi i dytë radhazi në Korçë pas atij me Laçin, me të njëjtin rezultat, 1-1. Me sa duket, mungesa e tifozëve i ka prishur shumë punë Skënderbeut.
Për Tiranën ky rezultat është i pranueshëm, duke qenë se është arritur në fushën e ekipit kampion në fuqi. Bardheblutë mund të mendojnë tani me qetësi për derbin me Partizanin. Duhet theksuar se në dy raste te Tirana kanë pretenduar për karton të kuq ndaj lojtarëve të Skënderbeut, Lulaj dhe Radas, të cilët shkaktuan faull si lojtarë të fundit, por, sipas tyre, janë falur nga kryesori Kuka. Trajneri Ze Maria, pas ndeshjes, tha: “Nuk e pranoj asnjëherë barazimin, sidomos kur je na avantazh dhe barazohesh. Kishim frikë të fitonim. Duhej të shtynim më shumë, sepse nëse do të mbrosh rezultatin, duhet të sulmosh, jo të mbrosh. Kur shënon, kundërshtari e ka më të vështirë. Do të flas me lojtarët të kuptoj çfarë ndodhi, sepse nuk mund të pranohet të luajmë me mentalitetin e vjetër. Gjykimi? Të dy rastet për mendimin tim janë kartonë të kuq, sepse faullet ishin me dashje. Nuk e di pse nuk u dha karton i kuq dhe penallti, por tashmë gjithçka ka marrë fund.”
Trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi, u shpreh pas ndeshjes së të tijtë ndjenë presionin: ”U futëm në presion dhe nuk e di pse ndodhi, pasi ishte një ndeshje normale. Ndoshta ajo fitore me Flamurtarin në Vlorë e rriti dëshirën e ekipit. Le ta humbnim ndeshjen, por të luanim futboll, këtë thashë në dhomat e zhveshjes. Lulaj rrezikonte për të kuqe dhe e ndërruam, për të mos na ndodhur si me Abazanin ndaj Laçit. Nuk mund ta përballonim Tiranën me 10 vetë”.
Ka marrë fitoren e parë në këtë kampionat Luftëtari, që mundi 3-1 Teutën. Debutim i suksesshëm për trajnerin Gentian Mezani, i emëruar para pak ditësh në stolin e ekipit jugor. Teuta ka pësuar humbjen e dytë radhazi. Golat për Luftëtarin u shënuan nga Shkurtaj, Rapo dhe Milosavljev, ndërsa për durraskët shënoi Latif. Teuta i luajti 20 minutat e fundit me 10 vetë, pasi Sidibe u ndëshkua me karton të kuq.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.