Futboll

Skënderbeu rrëmben kreun, Ze Maria tërbohet me lojtarët: Balerina!

Java e tetë thjesht vërtetoi për të disatën herë se Tirana ka probleme serioze për të zgjidhur. “Bashkëjetesa” me trajnerin Ze Maria duket shumë e vështirë, por sigurisht që nuk është ai fajtori i vetëm. Humbja 0-1 me Laçin në “Selman Stërmasi” e ka tërbuar trajnerin brazilian, i cili e shfaqi hapur nervozizmin e tij pa u mbyllur ndeshja, vazhdoi të bërtiste në dhomat e zhveshjes dhe u largua nga stadiumi për folur për shtypin. Nuk mund të flitet për largim të tij nga stoli bardheblu. Presidenti Refik Halili nuk e merr dot vendimin e shkarkimit, sepse do t’i kushtonte shumë shtrenjtë, ndërkohë që edhe kompromisi i mundshëm për prishje me konsensus të kontratës ka kosto.

Tirana e dominoi ndeshjen dhe krijoi më shumë raste se Laçi, por në fund u mund 0-1 dhe pas javës së tetë qëndron pranë zonës së ftohtë të renditjes. Tirana luajti nga minuta e parë pa Hoxhallarin dhe Hasanin. Krijoi dhe shpërdoroi shumë raste, madje edhe një penallti. Në pjesën e dytë Xhixha shënoi një gol të bukur për Laçin, duke e bërë edhe më të vështirë ndeshjen për bardheblutë, të cilët fituan një 11-metërsh, por edhe atë e shpërdoroi Bllazhevski. Në minutat e fundit trajneri Ze Maria është parë vetëm duke bërtitur, por më shumë e ka ngritur zërin në dhomat e zhveshjes. Gazeta Si mëson se trajnerin e kanë tërbuar rastet e humbura para portës kundërshtare dhe i ka quajtur lojtarët e tij “balerina” për mënyrën si kanë luajtur në sulm. Ndërpererja e kampionatit mund t’i qetësojë sërish “gjakrat”, por jo pozitat e Tiranës, që po zhgënjen gjithmonë e më shumë.

Tirana para një ndeshjeje

E kundërta e Tiranës është Skënderbeu, që edhe me lojtarë të rinj vazhdon të tregojë të njëjtën mendësi fituesi. Ka fituar edhe në Gjirokastër, duke mundur 0-2 Luftëtarin vendës me golat e Ardit Hoxhajt dhe Bruno Ditës. Kjo fitore e rëndësishme jashtë fushe e ka ngjitur Skënderbeun në vend të parë me 17 pikë, 1 pikë para Partizanit, që sot luan në Elbasan me Kukësin ndeshjen që mbyll javën e tetë. Trajneri Orges Shehi theksoi pas fitores në Gjirokastër se skuadra tregoi pjekuri. Ai veçoi lojën e më të rinjve në ekip.

Flamurtari feston golin e kapitenit Bushiç

Flamurtarit i ka ikur fitorja nga duart në fushën e Kamzës dhe nuk ka marrë më shumë se një pikë. Skuadra e Dajës e nisi ndeshjen në disavantazh, pasi Plaku shënoi pas 5 minutash. Vlonjatët reaguan dhe shënuan me kapitenin Bushiç dhe Mustën, por Roloviç barazoi pak minuta para fundit. Trajneri Daja la të kuptohej pas ndeshjes se arbitrimi nuk ishte aspak korrekt. Ka fituar Teuta në fushën e saj, ku priti Kastriotin e vendit të fundit dhe pritej që durrsakët të bënin detyrën. Sulmuesi Latif shënoi dy herë në portën e krutanëve, fillimisht me penallti dhe më pas pas një gabimi të Kastriotit në mbrojtje. Java e tetë mbyllet me sfidën e sotme Kukësi-Partizani, që pritet me shumë interes, pasi përplasen dy nga pretendentët kryesorë për titullin kampion. Kukësi vjen pas humbjes në Korçë, ndërsa Partizani ka humbur kreun pas fitores së Skënderbeut dhe do të tentojë ta rimarrë atë.

Renditja e Superiores

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë