Pas dy humbjeve radhazi, ndaj Kukësit në Korçë dhe në transfertë ndaj Laçit, Skënderbeu u rikthye tek fitorja, për të treguar se titullin e kanë në dorë ata. Korçarët fituan me përmbysje ndaj Lushnjes së vendit të fundit.
“Lagunarët” të rrëzuar prej javësh nga Kategoria Superiore u munduan që të zhvillojnë një ndeshje prestigjie dhe ja dolën mbanë në pjesën e parë, kur shkuan në dhomat e zhveshjes me avantazhin e një goli.
E dyta nisi sërish mirë për ta, ku 5 minuta nga fërshëllima e startit gjejnë golin e dytë. Reagimi i Skënderbeut do të niste në minutën e 59 me anë të Soëe. 10 minuta më vonë është sërish sulmuesi nga Gambia që gjen rrugën e rrjetës dhe barazon gjithçka.
U duk sikur ndeshja do të shkonte në barazim, por ishte sërish afrikani i Skënderbeut që nuk ishte dakort me këtë rezultat. Ai gjen edhe golin e tretë në minutën e 82, ndërsa James vulos gjithçka tri minuta më vonë.
Ndërkohë, në Gjirokastër, Luftëtari dhe Partizani dhuruan gjithçka në fushë, përveç tri pikët njëra-tjetrës. Ndeshja e vlefshme për një vend në kupat e Europës u mbyll në barazim 2-2.
Po në barazim, por pa gola u mbyll edhe sfida tjetër mes Flamurtarit të Vlorës dhe Laçit, e zhvilluar në Elbasan Arena për shkak të ndëshkimit të vlonjatëve me dy ndeshje në fushë asnjanëse nga ana e disiplinës së FSHF-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.