Futboll

Skënderbeu kompleton tripletën, Superkupa është e korçarëve

Nga Fatjon Rupi - Skënderbeu e nis sezonin e ri aty ku e la, te trofetë. Ekipi korçar, që këtë sezon vjen më shumë ndryshime, ka fituar trofeun e radhës në ndeshjen e Superkupës së  Shqipërisë përballë Laçit. Ndeshja e luajtur në stadiumin “Selman Stërmasi”, në një stadium thuajse të boshatisur, është fituar 3-2 nga ekipi jugor, që përmbysi avantazhin momental të kurbinasve. Trofeu i Superkupës i shërben Skënderbeut më shumë në planin moral, duke pasur parasyh situatën që po kalon klubi, me çështjen e dënimit të UEFA-s dhe betejën ligjore që vazhdon tashmë në KAS. Pas më pak se një jave nis kampionati dhe Skënderbeu pret jë rival direkt si Partizani që në javën e parë. Nga ana tjetër, Laçi, me Mërgjyshin në stol, ka treguar se ka mangësi në grupin e lojtarëve, pasi shumë elementë me kualitet janë larguar.

Të gjithë golat u shënuan në pjesën e dytë, pasi e para ishte e mërzitshme dhe pa raste. Regi Lushkja shënoi golin e parë 3 minuta pasi nisi pjesa e dytë, por reagimi i Skënderbeut ka qenë i menjëhershëm. Vetëm 6 minuta më pas, mbrojtësi Fidan Aliti ka barazuar në zhvillimet e një goditjeje këndi. Më pas, Muzaka me 11-metërsh dhe Bregu me një veprim të bukur në zonë, i dhanë avantazhin ekipit korçar, por Laçi u fut në lojë 6 minuta para fundit, kur Xhixha shkurtoi diferencën e golave në 3-2. Gjithsesi, korçarët u mbrojtën mirë në minutat e fundit dhe iu gëzuan treofeut të parë sezonal, Superkupës së Shqipërisë, që kompleton tripletën, pas titullit kampion dhe Kupës së Shqipërisë, por që nuk e fshin mungesën në Kupat e Europës.

Kapiteni i ri i Skënderbeut, Marko Radas, duke marrë trofeun

Trajneri Orges Shehi ka bërë debutimin e ëndërruar në karrierën e tij si trajner, duke fituar një trofe që në ndeshjen e parë zyrtare, pavarësisht se bëhet fjalë për një trofe simbolik. Pas ndeshjes me Laçin ai u shpreh: “E kemi nisur sezonin e ri ashtu siç e mbyllëm të fundit dhe për këtë më vjen shumë mirë. Fitova pak kohë më parë dy trofe si lojtar, tani fitoj trofe si trajner që në ndeshjen e parë. Diçka shumë e bukur. Kam dhe do të kem vështirësi në detyrën e re, pasi vetëm pak muaj më parë isha në fushë si lojtar. Jam trajner i ri, por stafi më ka ndihmuar shumë. Skënderbeu ka një skuadër të re dhe Bregu, me cilësitë e tij, do të na ndihmojë shumë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë