Futboll

Skënderbeu kap “mat” për herë të dytë Partizanin

Fatjon Rupi - Në një atmosferë mjaft të bukur të krijuar nga tifozët e Partizanit në stadiumin “Selman Stërmasi”, është luajtur ndeshja përmbyllëse e javës së 10-të. Ironi nga “Guerrilsat” për Skënderbeun me parullën: “Torra që u bë mbret, u kthy në realitet”. Të kuqtë niseshin favoritë ndaj Skënderbeut, por përvoja e korçarëve ka triumfuar sërish. Gjergji Muzaka dhe Dejvi Bregu kanë shënuar golat e fitores 0-2 të Skënderbeut, që tani kryeson me 23 pikë, duke I parakaluar të kuqtë.

Pa Lorenc Trashin të pezulluar nga klubi vinin në këtë ndeshje të kuqtë, kurse Skënderbeu me Gjergji Muzakën në stol, për shkak të një problemi fizik. Partizani ka pasur më shumë iniciativë në pjesën e parë, por pa mundur të konkretizojë me Asanin dhe Belicën. Korçarët janë munduar të shfrytëzojnë goditjet standarde dhe në disa raste kanë alarmuar mbrojtjen e Partizanit. Trajneri Shehi ka vendosur ta sakrifikojë Muzakën në pjesën e dytë dhe ka bërë mirë, pasi 6 minuta pasi hyri në fushë, “ekzekutori” i të kuqve edhe në fazën e pare, ka gjetur rrugën e rrjetës. Mesfushori ka goditur saktë në zonë pas një krosi nga e majta dhe Skënderbeu ka kaluar në avantazh.

Moment nga ndeshja Partizani-Skënderbeu, 0-2

Pasi kishte aktivizuar më parë Koten në vend të Mensah, trajneri Gega ka hedhur në fushë edhe Hebajn e koreanin So, në përpjekje për të shënuar golin e barazimit, por kalimi i minutave i ka bërë më nevozë të kuqtë. Situatë që i ka shkuar për shtat Skënderbeut për ta mbrojtur rezultatin, madje edhe për ta dyfishuar atë. Në minutën e 5-të shtesë, pas një sulmi nga e djathta, topi shkon në zonën e Partizanit, ku Bregu godet saktë dhe 0-2. Të kuqtë në tapet dhe korçarët që shpërthejnë në delir bashkë me tifozët e tyre të paktë të ardhur nga Korça. Skënderbeu ka treguar edhe një herë se mbetet një ekip ekspert, pavarësisht se nuk ka më “yjet” e sezoneve të fundit. Përvoja e disa titullarëve, me në krye kapitenin Radas, dhe freskia e lojtarëve të rinj, e bëjnë këtë ekip pretendent për të ruajtur kurorën.

Trajneri Shehi u tregua i përmbajtur pas kësaj fitoreje të rëndësishme: “Ishte një ndeshje, ku vendosën episodet, që ishin në favorin tonë. Fitore shumë e rëndësishme dhe më vjen mirë që e kemi mundur dy herë rivalin direkt, por kampionati është shumë i gjatë. Në ndeshje të tilla lojtarët me eksperiencë kanë një rol të madh, sepse janë mësuar me këtë presion, janë liderë në fushë. Kemi punuar shumë që të shënojmë nga goditjet standard dhe kemi rrezikuar shpesh, por nuk ia kemi dale. Këdo që fus në lojë pres të japë një impuls të ri dhe Muzaka ia doli. Te Skënderbeu nuk ka eufori”, - tha Shehi. Kurse Bregu, autori i golit të dytë, theksoi pas ndeshjes se ishte një fitore e radhës dhe se nuk ka vend për entuziazëm të tepërt.

Trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi, dhe ndihmësi i tij, Edlir Tetova

Nga ana tjetër, trajneri i Partizanit, Skënder Gega, u shpreh se kundërshtari e meritoi fitoren, pasi të tijtë gabuan: “Skënderbeu nuk na vodhi gjë. E dinim forcën e tij si ekip kampion. Një ekip nuk varet nga një apo dy raste, por ne i kishim mundësitë ta ndryshonin situatën. Patëm mungesë vëmendjeje në rastin e golit të parë, kur u goditëm nga një top i gjatë. Ishte një vendosje e gabuar dhe Muzaka na gjeti në gjumë. Është plus i Skënderbeut që ka një lojtar si Muzaka për ta futur në lojë. Është një humbje, që nuk i pëlqen askujt, por një humbje nuk na zbeh forcën e ekipit. Trashi? Nuk e dënova unë dhe as klubi, por veprimi i tij. Nuk është se e kemi larguar, por në familje funksionojnë gjërat me rregulla. Drejtoj 25 vetë dhe do t’i trajtoj të gjithë njësoj. Trashi nuk është gjithë ekipi, ka vlerat e veta, por edhe me të jemi mundur”.      

Renditja pas javës së 10-të

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë