Janë luajtur tre ndeshjet e radhës të javës së 12-të të Superligës. Partizani është rikthyer në krye të tabelës pas fitores në Fushë Krujë me Kastriotin. Skënderbeu nga ana tjetër ka bërë një hap fals këtë javë. Korçarët janë mposhtur në “Selman Stërmasi” nga Laçi, disfatë që i kushton kreun klasifikimit. Ndeshja tjetër e luajtur në Kamzë është mbyllur në mënyrë dramatike. Vendasit kanë kryesuar për pjesën më të madhe të ndeshjes, por në fund Teuta ka përmbysur gjithçka, duke shënuar tre gola të shpejtë.

Sfida e zhvilluar në stadiumin “Redi Maloku” nisi keq për Partizanin. Gjithsesi të kuqtë e marrin veten dhe do të gjenin avantazhin që në minutën e 19’ me anë të Jurgen Bardhit. Talenti i “demave” në minutën e 36’ do të realizonte edhe golin e dytë, duke i çuar shifrat në 2-0. Por nuk zgjati shumë avantazhi i dyfishtë, pasi Kastrioti do të shkurtonte disavantazhin me anë të Roger. Në pjesën e dytë, Kastrioti nuk e ka forcën e duhur për ta kthyer sfidën dhe Partizani ia del që të marrë fitoren e dytë radhazi, pas humbjes me Skenderbeun në shtëpi, dy javë më parë. “Të kuqtë” tashmë janë në vendin e parë me 28 pikë, ndërsa krutanët mbeten në vendin e fundit me vetëm 4 pikë të grumbulluara në 12 javë kampionat.

Në fushën e “Selman Stërmasit” që iu desh të priste dy ndeshje brenda 24 orëve ka ndodhur befasia më e madhe e kësaj javë të Superligës. Laçi ka mposhtur Skënderbeun në shifrat 2-0. Kurbinasit kanë dominuar korçarët, që nuk u shfaqën për asnjë momenti si ekipi kryesues i Superligës. Kjo disfatë për ekipin bardhekuq kushton shumë, pasi zbret në vendin e dytë, ndërsa për Laçin fitorja ka aromë Europe, pasi me këtë triumf ngjitet në vendin e tretë në kuotën e 22 pikëve.

Në Kamzë është zhvilluar një ndeshje shumë dramatike. Vendasit kryesuan për pjesën më të madhe të takimit me golin e Bonani që në minutat e para të takimit, por në 15 minuta Teuta përmbysi gjithçka, duke shënuar tre gola të shpejtë. Në fillim Amadu me penallti, më pas Progni dhe Beqja i japin durrsakëve tre pikë shumë të çmuara që i mbajnë në pjesën e sipërme të tabelës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.