Futboll

Skënderbeu bie në Durrës, një penallti ngjit Kukësin të parin

Zhvillime interesante në javën e 6-të të Superiores, që u hap me derbin e kryeqytetit. Partizani fitoi 0-1 të premten dhe mori kreun, ku qëndroi më pak se 24 orë, sepse Kukësi rival, falë një goli të shënuar me penallti nga Rexhinaldo, është ngjitur i pari. Të dyja skuadrat kanë nga 13 pikë dhe golaverazhin e kanë po të njëjtë, +4, por skuadra e Cungut ka shënuar më shumë gola dhe qëndron e para. Kampionët në fuqi janë mundur në Durrës 2-0 nga Teuta dhe kanë zbritur në vend të tretë. E vetmja skuadër pa humbje pas këtyre 6 javëve është Laçi, që fitoi 0-1 në fushën e Kamzës dhe ka 10 pikë, aq sa Flamurtari që mposhti me goleadë Kastriotin, duke rikthyer qetësinë.

Në stadiumin “Elbasan Arena”, Kukësi priti Luftëtarin dhe ia arriti qëllimit të merrte tri pikët, por me shumë vështirësi. Ndeshja u vendos nga një 11-metërsh i kthyer në gol nga sulmuesi kryesor i Kukësit, Rexhinaldo, ndërkohë që nga gjirokastritët ka pasur kontestime. Kukësi ka marrë fitoren e katërt radhazi në kampionat, duke u konfirmuar si një nga pretendentët kryesorë dhe tashmë shkon me më shumë besim në transfertën e Korçës, e vlefshme për javën e shtatë të Superiores, që do të luhet në mesjavë. “Ishte shumë e rëndësishme të merrnim tri pikët dhe dua të komplimentoj çunat. Synonim një tjetër paraqitje, por Luftëtari nuk është i lehtë. Po, jemi të varur nga Rexhinaldo dhe duhet të rregullojmë këtë pjesë, që ekipi të shënojë edhe me lojtarë të tjerë. Titulli? Janë 3-4 ekipe nga Superiorja dhe Kukësi është pretendent”, - tha pas ndeshjes trajneri Armando Cungu.

Lojtarët e Kukësit përgëzojnë Rexhinaldon për golin e shënuar ndaj Luftëtarit

Skënderbeu ka pësuar humbjen e parë në kampionat. Ish-kapiteni i tij, Bledi Shkëmbi, e ka mposhtur 2-0 me Teutën. Episodi vendimtar i ndeshjes ishte ai fundit të pjesës së parë, kur arbitri kryesor, Eldorjan Hamiti, akordoi penallti për Teutën dhe ndëshkoi me kartonin e dytë të verdhë mbrojtësin Kaba Sambou. Pas avantazhit të Teutës, edhe pse me 10 vetë, korçarët reaguan mirë dhe krijuan disa raste të mira shënimi, por pa i shfrytëzuar, ndërsa ish-lojtari i Skënderbeut, Ditmar Bicaj, dyfishoi për durrsakët në një goditje këndi. “Më vjen keq, sepse dolëm shumë herë para portës, edhe pse ishim për shumë minuta me 10 vetë, por nuk finalizuam. U ndëshkuam nga dy goditje standarde”, - theksoi trajneri Shehi pas ndeshjes. Kurse trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, për triumfin ndaj ish-skuadrës së tij, deklaroi: “Ishim në situatë të vështirë. Nuk mendova se cilën skuadër kishim përballë, mendova vetëm për fitore. Përballë Skënderbeut nuk mund të kesh shumë raste dhe në arritëm të shënonim në ato pak raste. Në pjesën e parë i fituam duelet dhe kjo ishte pozitive. Po punojmë shumë që skuadra të rritet. Ndaj Partizanit do të shkojmë të luajmë pa frikë”.

Moment loje nga ndeshja Teuta-Skënderbeu, 2-0

Flamurtari ia ka nxjerrë “inatin” e dy humbjeve të fundit Kastriotit, duke shënuar katër herë në portën e krutanëve, me kapitenin Bushiç, argjentinasin Torasa, autor i një dygolëshi, dhe mesfushorin Batha. Skuadra reagoi mirë dhe për këtë trajneri Daja tha: “Ekipi ende nuk është konsoliduar. Fazën e dytë, nëse janë gati të gjithë lojtarët, do të bëjmë më mirë. Nuk na mungojnë pikët, por na mungon perfomanca. Torasa është lojtar që i duhet ekipit dhe më vjen mirë që u zhbllokua”.

Laçi i pamposhtur ka marrë tri pikë të arta në fushën e Kamzës në kohën shtesë, kur shkodrani Shtubina shënoi golin e fitores për skuadrën kurbinase. Një hap i gabuar për Kazmën, që pëson humbjen e dytë radhazi, pas asaj me Kukësin.

Renditja e Superiores pas javës së 6-të

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë