Politike

S’ka fjalim më 16 shkurt, Basha: S’kam ç’të them më!

Partia Demokratike vazhdon takimet nëpër rrethe me misionin e bindjes së qytetarëve për të dalë në protestë masive më 16 shkurt, si hapi i parë i rrëzimit të Edi Ramës dhe dërgimit të vendit drejt një qeverie teknike dhe më pas zgjedhje të reja.

Por, cili është skenari i 16 shkurtit? Deri atëherë ka edhe disa ditë kohë, por Lulzim Basha paralajmëroi një tubim pa fjalime.

“Ne mjete politike, përveç zgjedhjeve për të ardhur në pushtet nuk kemi. Por, zgjedhje të lira dhe të ndershme me niçet, e me Gjushin e me Ramën nuk ka. Kjo është arsyeja që ju kemi ftuar në një protestë më 16 shkurt, sepse këtë zgjidhje mund ta jepni vetëm ju si popull. Kjo është ftesa e 16 shkurtit. Nuk ju kam thirrur për të mbajtur fjalime më 16 shkurt në Tiranë. S’kam çfarë t’ju them më! Hajdeni aty dhe me pjesëmarrjen tuaj bëni atë që bën çdo popull europian, deklaroni fundin e këtij regjimi edhe të hapim rrugën për një zgjidhje politike”, thotë kreu i PD-së, Lulzim Basha.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/2480280788680778/

Deklarata u bë në një takim me fermerët e Frakullës në Fier. Sipas këtij sinjalizimi, protesta e 16 shkurtit mund të organizohet pa një podium. Nëse do të ndodhë, kjo nuk do të ishte hera e parë që një udhëheqës i opozitës nuk mban fjalime para protestuesve.

E tillë ishte protesta e 21 janarit. Edi Rama, në atë kohë në opozitë, paralajmëroi disa ditë para tubimit se askush nuk do t’u adresohej protestuesve para Kryeministrisë. Sesi rrodhën ngjarjet dihet. Kohët kanë ndryshuar, e po ashtu edhe protagonistët e protestave. Edi Rama kishte në atë kohë përballë Sali Berishën, ndërsa sot Lulzim Bashën.

Përgjatë gjithë protestave të organizuara deri më tani kundër Edi Ramës, Lulzim Basha ka përjashtuar skenarët e dhunës. I vetmi rast kur protesta doli nga kontrolli dhe pati përplasje të dhunshme ishte më 8 Dhjetor të 2015. Në atë kohë LSI ishte në pushtet.

Atë ditë protestuesit u mblodhën në selinë e PD-së dhe më pas marshuan para Kryeministrisë. Kërkohej largimi i qeverisë Rama-Meta dhe disa grupe u përpoqën të thyenin kordonin policor, por u ndaluan nga vetë organizatorët.

Protestës i ishin bashkuar edhe përfaqësues të ish të përndjekurve politikë. Njëri prej tyre, kur u mendua se protestuesit po shpërndaheshin nga foltorja bëri thirrje për t’iu drejtuar oborrit të Ministrisë së Brendshme, ku ndodhej instalacioni i një bunkeri, si portë hyrëse në tunelet e nëndheshme të ngritura nga diktatura komuniste.

Një grup të rinjsh që kishin qenë më parë aty hodhën poshtë gardhin rrethues prej llamarine dhe i vunë flakën bunkerit. Më pas disa protestues me vare nisën ta dëmtonin bunkerin. Protestuesit goditën me gurë dhe dritaret e ministrisë, por me ndërhyrjen e organizatorëve ndaluan.

Policia ishte e pranishme, por nuk ka ndërhyrë për të mos përshkallëzuar situatën Në orën 15:00 nisi dhe largimi i protestuesve ndërsa kryetari Lulzim Basha u largua drejt selisë PD ku mbajti dhe fjalimin përmbyllës. Në këtë fjalim tha se mosbindja civile sapo kishte nisur dhe do të ndalej vetëm më largimin e Edi Ramës. Kryeministri Edi Rama e quajti shëmti e trishtueshme e një PD e mbytur në pellgun e nje vandalizmi mizerabel.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë