Futboll

“Skaneri” i Pinarit: Partizani dhe Kukësi ndajnë titullin

Fatjon Rupi - Faza e parë e kampionatit të Superiores ka treguar pak a shumë profilin e dhjetë skuadrave pjesëmarrëse dhe tashmë është e qartë se cilat janë pretendente për titullin kampion, cilat do të luftojnë për zonën europiane dhe cilat për të mbijetuar në kategorinë e më të mirëve të futbollit shqiptar.

“Skanerin” e Superiores e bën për Gazeta Si Luan Pinari, ish-futbollist i tri skuadrave të kryeqytetit, Dinamos, Tiranës dhe Partizanit, trajner moshash, pedagog në shkollën e futbollit dhe opinionist. Sipas tij, 9 javët e para të kampionatit kanë treguar se në garën e titullit kampion janë tri skuadra: “Me atë çfarë kanë treguar skuadrat në fazën e pare, mendoj se Partizani, Kukësi dhe Skënderbeu janë tri skuadrat që do të luftojnë për titullin kampion këtë sezon. Por, duhet theksuar se për Skënderbeun ka një pikëpyetje, që lidhet me situatën e tij jashtë kampionatit. Çështja ligjore ka ndikimin e vet edhe në fushë, ndaj dhe mendoj se titulli kampion do të ndahet mes Partizanit dhe Kukësit,” - thekson ish-kapiteni i Dinamos.

Luan Pinari

Pinari rendit më tej pluset dhe minuset e dy favoritëve kryesorë për t’u shpallur kampionë: “Ndryshe nga sezonet e fundit, Partizani këtë sezon duket se ka krijuar ambientin perfekt për të shkuar te titulli. Drejtuesit e klubit kanë bërë lëvizjet e duhura në merkaton e verës, në hyrje dhe në daljë. Ekipi është kompakt dhe ka një “armë” plus në raport me të tjerët. Ka dy lojtarë të rinj me kualiteg si Asani dhe Mala, të cilët, bashkë me Bardhin që po laun me shumë, po udhëheqin skuadrën drejt fitoreve. Janë këta lojtarë që e mbajnë Partizanin përpara dhe kanë ndikim edhe në mënyrën si mbrohet ky ekip. Me këtë ritëm Partizani është favorit kryesor, por mbetet për t’u parë, nëse do ta ruajë këtë ecuri apo jo. Do të duket më qartë kur të mungojë ndonjë nga lojtarët që përmenda, nëse ka krijuar varësi prej tyre, apo jo. Gjithashtu, Partizani duhet të “mundë” edhe ngërçin psikologjik, sepse nuk është e lehtë. Ka shumë vite që është krijuar psikoza se “ne i shkojmë shumë afër titullit, por nuk e fitojmë dot atë”. Mendoj se Partizani e ka bindjen se mund të shkojë te titulli, ndaj e konsideroj pretendentin më serioz.

Mala shënon golin e fitores ndaj Kukësit

Kukësi është një ekip me përvojë dhe pa dyshim do të rivalizojë deri në fund me Partizanin. Ka pasur probleme në mbrojtje dhe duhet parë se çfarë lëvizjesh do të bëjë presidenti Gjici në merkaton e janarit. Kukësi, ashtu si dhe Tirana, kanë një problem me lojtarët e huaj, raportin që ata krijojnë në ekip me vendësit. Kur janë shumë të huaj, krijojnë dashje pa dashje një lloj “grupi”. Është një raport i vështirë që të funksionojë, e ka treguar përvoja vitet e fundit. Po ashtu, Kukësi ka problem fushën, pasi ndeshjet si pritës i luan në fushë asnjanëse”.

Në zonën europiane Pinari fut skuadra si Laçi, Teuta dhe Flamurtari, por jo Tiranën: “Në garë për Kupat e Europës janë disa skuadra, ku veç atyre që luftojnë për titullin, janë edhe Laçi, Teuta dhe Flamurtari. Tirana? Jo, nuk është në këtë nivel. E ka treguar gjatë fazës së parë se nuk e ka grupin e lojtarëve për të qenë në këtë nivel. Ka mbetur shumë prapa, pikët kanë ikur dhe vështirë të rikuperohen. Tirana ka mangësi në mbrojtje dhe në sulm dhe duhet të mendojë për të mos rrezikuar rënien nga kategoria”.

Nga ndeshja Flamurtari-Tirana, 1-0

Në fund edhe një mendim për “zonën e ftohtë”: “Çështja është se cila do të jetë skuadra që do të shoqërojë Kastriotin në Kategorinë e Parë. Me atë që është parë deri tani, them se Luftëtari dhe Kamza do të luftojnë për t’i ikur vendit të parafundit, që të çon një kategori më poshtë. Por nuk përjashtohet edhe Tirana, edhe pse ka më pak shanse se Luftëtari dhe Kamza”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë