Analize

Skaneri i BE për Ballkanin dhe një gjuhë e ashpër për Serbinë dhe Malin e Zi

Komisioni Evropian publikoi progres-raportet për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë për vitin 2019, duke theksuar se zgjerimi i BE-së në Ballkan është një investim gjeostrategjik për mbarë Europën.  Ky duket se ishte edhe mesazhi i Federica Mohgerinit   Johannes Hahn, të cilët e kanë cilësuar Ballkanit Perëndimor si hallkën kryesore të shërbimit të tyre në BE.

Komisioni Europian ka paraqitur vlerësime të detajuara për progresin në çdo vend kandidat dhe kandidat potencial, së bashku me rekomandimet mbi hapat e ardhshëm për vendet e rajonit.

Ai duket i kënaqur me reformat dhe progresin e arritura nga qeveria shqiptare dhe ajo maqedonase, por ka përdorur tonë më të ashpra ndaj qeverisë serbe dhe malazeze, duke i akuzuar të dyja se kanë krijuar një atmosferë të pafavorshme për dialogun me opozitën nw vendet e tyre. Në raportin për Malin e Zi, Komisioni Europian kërkon një hetim për financimet e partisë së presidentit Milo Gjukanovic, pas skandalit të disa muajve më parë. Po ashtu Komisioni i kërkon qeverisë malazeze të nisë një hetim ndaj akuzave dhe shqetësimeve të opozitës për transparencën e financimit të partive, por edhe të bëjë më shumë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsion,  për të cilin thotë se është i përhapur në të gjithë sektorët publikë.

Në progres-raportin për vitin 2019, Komisioni përdor po ashtu një gjuhë të ashpër edhe ndaj qeverisë serbe, duke i kërkuar të nisë një hetim për blerje e votave dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Po ashtu Komisioni Europian i bën thirrje Serbisë të krijojë më shumë hapësirë ​​për debat  ndërpartiak, me qëllim që opozita serbe të rikthehet në parlament.

“Disa parti opozitare kanë njoftuar synimin e tyre për të bojkotuar zgjedhjet parlamentare duke kërkuar zgjedhje të lira dhe të drejta. Serbia duhet të adresojë plotësisht të gjitha rekomandimet për zgjedhjet, të identifikuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë, si një çështje prioritare”, thekson raporti.

Nga ana tjetër, nëse do të krahasonim të dhënat e Komisionit Europian, Shqipëria duket se është prapa Maqedonisë së Veriut për disa  nga reformat kyçe të kërkuara nga Bashkimi Europian.

Për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian Shqipëria duhet të plotësojë pesë prioritete: reformën në administratën publike, reformën në gjyqësor, luftë kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Niveli i përparimit në këto pesë prioritet do të vendosë edhe hapjen apo jo të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sipas të dhënave, për të pestë këto fusha, Shqipëria ka një nivel të ulët ose mesatar përgatitjeje.

Kapitujt më të rëndësishëm që do të shqyrtohen me vëmendje dhe janë kyç për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, sipas Komisioni Parlamentar të Stabilizim-Asociimit (BE-Shqipëri), janë Kapitulli 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore” dhe Kapitulli 24 “Drejtësia, liria dhe siguria”, do të jenë të parët që do të hapen dhe të fundit që do të mbyllen. Në përmbushjen e negociatave të këtyre kapitujve, përfshihet edhe reforma në drejtësi.

Ndërkohë që liderët europianë po bisedojnë për zgjedhjen e presidentit e ri të ekzekutivit të BE-së, Komisioni paralajmëron eurodeputetët e rinj se angazhimi i mëtejshëm i BE-sw për Ballkanin Perëndimor mbetet thelbësor për të nxitur transformimin, stabilitetin dhe standardet e BE-së.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë përqafuar mundësinë dhe kanë ndërmarrë reforma, veçanërisht në fushat e identifikuara si vendimtare nga Këshilli Europian në qershor të vitit 2018. Në dritën e progresit të arritur dhe përmbushjes së kushteve përkatëse, Komisioni rekomandon hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, thotë Komisioni Europian.

Shqipëria

Sipas progres raportit të Komisionit Europian, Shqipëria ka vazhduar të bëjë progres në agjendën e saj të reformave për anëtarësimin në BE, por kriza politike, e cila filloi me bojkotin e opozitës, për të vazhduar më pas me djegien e mandateve ka ndikuar negativisht tek reforma zgjedhore.

“Më shumë se gjysma e mandateve të djegura parlamentare tani janë zëvëndësuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Partitë kryesore të opozitës vendosën të mos regjistrohen për zgjedhjet lokale, të cilat planifikohen të mbahen më 30 qershor. Qëndrimi i partive kryesore të opozitës ka ndikuar negativisht në përpjekjet për një reformë dypartiake zgjedhore pavarësisht nga përpjekjet e shumicës për të ecur përpara. Partitë e opozitës duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në institucionet demokratike”, thekson komisioni.

Sipas dokumentit, Shqipëria është e përgatitur mesatarisht për reformën e administratës publike dhe transparencës. Komisioni thotë se në këtë fushë, Shqipëria duhet të “ të zbatojë vlerësimet e ndikimit buxhetor në të gjitha ministritë për të përmirësuar cilësinë dhe qëndrueshmërinë financiare të legjislativit dhe politikës, të përmirësojë kuadrit rregullator për planifikimin dhe monitorimin e politikave dhe të miratojë një listë automatike të pagave të nëpunësve civilë”.

Komisioni e vë theksin në veçanti tek Reforma në Drejtësi, duke folur për përparimet e bëra në këtë fushë.

“Zbatimi i reformës së drejtësisë ka vazhduar, duke rezultuar në përparime të kënaqshme në përgjithësi. Janë krijuar institucionet e reja për vetëqeverisjen e gjyqësorit, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Emërimit të Drejtësisë, duke përfaqësuar një hap vendimtar në forcimin e pavarësisë së gjyqësorit. Rivlerësimi i përkohshëm i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i verifikimit) ka përparuar duke prodhuar rezultate të prekshme. Nën udhëheqjen e Komisionit Europian, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka vazhduar të mbikëqyrë procesin. Më shumë se 140 dosje janë përpunuar, duke rezultuar në 88 shkarkime/dorëheqje dhe 53 konfirmime. Shumica e shkarkimeve kanë të bëjnë me çështjet që lidhen me pasuritë e pajustifikuara. Këto rezultate konkrete dhe të besueshme kanë forcuar ndjeshëm sektorin dhe pavarësinë e konsoliduar, paanësinë, profesionalizmin dhe llogaridhënien e gjyqësorit”, thekson raporti.

Sipas Komisionit Europian, Shqipëria ka një nivel të ulët përgatitor në luftën kundër korrupsionit, pavarësisht progresit të bërë me ndryshimet në Ligjin për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive. “Themelimi i një Task Force kundër Korrupsionit ka rritur hetimet administrative. Qasja e drejtpërdrejtë në bazat e të dhënave për prokurorët dhe policinë ka vazhduar të përmirësohet. Progresi ka vazhduar përmes ndjekjes dhe gjykimit të rasteve të korrupsionit në nivel të lartë. Rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit përfshijnë procesin e verifikimit që ka çuar në shkarkimin nga detyra të një numri të prokurorëve dhe gjyqtarëve të rangut të lartë, duke përfshirë edhe atyre në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë. Themelimi i Këshillit të Lartë Prokurorisë i hapi rrugën fillimit të themelimit të organeve të specializuara të anti-korrupsionit. Pas përfundimit të verifikimit të kandidatëve, organet do të bëhen operacionale dhe do të forcojnë kapacitetin e përgjithshëm për të hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin. Megjithatë, në përgjithësi, korrupsioni është mbizotërues në shumë fusha dhe mbetet një çështje shqetësuese” theksoi raporti.

Sipas tij, Shqipëria ka një nivel të ulët përgatitor në luftën kundër krimit të organizuar, pasi pavarësisht përparimeve në këtë drejtim, Shqipëria ka një problem të madh me pastrimin e parave.

“Operacionet policore për të çmontuar organizatat kriminale janë intensifikuar. Disa operacione policore rezultuan me arrestime të shumëfishta dhe pati një sërë dënimesh të rëndësishme. Këto operacione kanë rezultuar me arrestimin dhe ndjekjen penale të udhëheqësve të njohur të grupeve kriminale të organizuara. Bashkëpunimi ndërkombëtar i policisë, veçanërisht me Shtetet Anëtare të BE-së, gjithashtu është intensifikuar, duke çuar në një sërë operacionesh të suksesshme të zbatimit të ligjit në shkallë të gjerë. Vazhdimisht për vitet e fundit, Shqipëria tregoi një angazhim të fortë për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e kanabisit.  Në dy sezonet e kaluara, mbikëqyrja ajrore ka vërtetuar se pothuajse asnjë kultivim i kanabisit nuk ka ndodhur në Shqipëri. Këto hapa paraqesin progres të prekshëm në përmbushjen e rekomandimeve të viteve të fundit, por përpjekjet duhet të vazhdojnë, në veçanti duke trajtuar pastrimin e parave dhe konfiskimin e pasurive që rrjedhin nga krimet dhe pasuritë e tjera të pajustifikuara.

Prishtine

Kosova

Sipas Komisionit, Kosova ka bërë progres në zbatimin e disa reformave kryesore të lidhura me BE, veçanërisht në lidhje me përmirësimin e kuadrit ligjor në fushat e sundimit të ligjit dhe administratës publike. “Megjithatë, një sërë masash dhe vendimesh nuk ishin në përputhje me objektivat reformës të qeverisë. Numri i lartë i zyrtarëve të qeverisë, duke përfshirë rritjen e mëtejshme të numrit të zëvendësministrave, ka vazhduar të ndikojë në kredibilitetin dhe efektivitetin e saj. Kuvendi ishte në gjendje të formonte shumicën për disa çështje strategjike kyçe për Kosovën, siç tregohet nga ratifikimi i marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi dhe miratimi i reformave legjislative të rëndësishme në BE” thekson raporti.

Sa i përket marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal, raporti thekson se Kosova vazhdoi të merrte pjesë në shumicën e forumeve rajonale, por se një tarifa prej 100% ndaj importeve serbe dhe boshnjake ka dëmtuar përpjekjet e bashkëpunimit rajonal.

“Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Kosova ka mbetur e angazhuar në dialog. Megjithatë, qeveria e Kosovës duhet të heq tarifat për importet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Kosova duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme të konsiderueshme për të krijuar një mjedis të favorshëm për përfundimin e një marrëveshjeje ligjore me Serbinë. Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugët e tyre europiane”, thekson raporti.

Dokumenti thotë po ashtu se situata në veri të Kosovës mbetet veçanërisht sfiduese.

“Në Veri ka një nivel të ulët përgatitor në fushën e reformës së administratës publike. Gjatë kësaj periudhe është bërë një përparim i përgjithshëm, megjithatë janë të nevojshme përpjekjet serioze për të trajtuar ndikimin politik në rekrutimin e nëpunësve të lartë civilë. Ka pasur përparime me miratimin e paketës së ligjeve për funksionimin dhe organizimin e administratës publike, zyrtarët publikë dhe pagat. Arritje të tjera përfshijnë miratimin e udhëzimeve për planifikimin strategjik dhe fillimin e zbatimit të planit të veprimit për racionalizimin e agjencive” thotë Komisioni

Sipas tij, reforma në sistemin gjyqësor të Kosovës është në një fazë të hershme. “Janë arritur disa përparime, pasi u miratua Ligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe Ligji për Ndërmjetësim dhe avancimi i sistemit elektronik të menaxhimit të rasteve. Numri i stafit gjyqësor u rrit në vitin 2018, duke përfshirë edhe Prokurorinë Speciale. Ndërsa integrimi në sistemin gjyqësor të gjyqtarëve serbë, prokurorëve dhe stafit mbështetës të tyre zyrtarisht u mbyll në vitin 2017, nevojitet më shumë punë për të siguruar funksionalitet të plotë, veçanërisht në lidhje me Gjykatën e Apelit. Gjyqësori është ende i prekshëm ndaj ndikimit të panevojshëm politik. Administrimi i drejtësisë mbetet i ngadalshëm dhe joefikas dhe institucionet e sundimit të ligjit kërkojnë përpjekje të vazhdueshme për të ndërtuar kapacitetet e tyre”, thekson raporti.

Komisioni Europian po ashtu thotë se  Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Disa përparime janë bërë kryesisht përmes reformave të rëndësishme legjislative në fushën e sundimit të ligjit, në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të nivelit të lartë. Megjithatë, është bërë pak progres në konfiskimin përfundimtar të pasurive dhe ende ka shumë pak hetime dhe dënime përfundimtare. Masat janë të nevojshme për të siguruar se nuk ka ndërhyrje politike me aktivitetet operative të organeve të zbatimit të ligjit dhe prokurorisë. Situata në veri të Kosovës në lidhje me krimin e organizuar vazhdon të paraqesë sfida për agjencitë e zbatimit të ligjit”, thvijon KE.

Megjithatë, sipas raportit, Kosova ka bërë progres në luftën kundër terrorizmit, veçanërisht në lidhje me krijimin e kushteve më të mira për rehabilitimin dhe riintegrimin e luftëtarëve të ISIS-it dhe familjeve të tyre. “ Kuadri ligjor në përgjithësi garanton mbrojtjen e të drejtave njerëzore dhe themelore në përputhje me standardet evropiane. Megjithatë, zbatimi i legjislacionit dhe strategjive të të drejtave të njeriut shpesh dëmtohet nga burimet joadekuate financiare veçanërisht në nivel lokal. Mbetet varësia e madhe nga donatorët e huaj”, thekson raporti.

Shkup

Maqedonia e Veriut

Sipas Komisionit Europian, Maqedonia e Veriut ka përshpejtuar ritmin e reformave dhe ka ndërmarrë hapa për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit. Raporti thekson se Shkupi ka vazhduar t’u nënshtrohet ndryshimeve  thelbësore në një atmosferë të hapur politike. “Maqedonia e Veriut ka vazhduar të japë rezultate të prekshme në fushat kryesore si gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma e shërbimeve të inteligjencës dhe administrata publike”, thotë raporti. Pas nënshkrimit të marrëveshjes historike të arritur me Greqinë në qershor 2018, në shtator u organizua një referendum konsultativ, ku shumica dërrmuese e votuesve që hodhën votat e tyre mbështetën anëtarësimin në BE dhe NATO duke pranuar marrëveshjen e Prespës. Zgjedhjet presidenciale ishin mirë të organizuara dhe liritë themelore u respektuan, duke u dhënë mundësi qytetarëve të zgjedhin të mirë informuar. Parlamenti ka përmirësuar performancën e tij si një forum për dialog politik konstruktiv dhe ka zgjeruar funksionet e saj mbikëqyrëse dhe legjislative, duke përfshirë kufizimin e përdorimit të procedurave të shpejta’, thekson ai.

Komisioni duket se përgëzon qeverinë maqedonase edhe për përmirësimin e marrëdhënie ndëretnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve. “Situata ndëretnike mbeti e qetë në përgjithësi. Qeveria u angazhua për të rritur besimin mes komuniteteve. Marrëveshja Kornizë e Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe siguron kuadrin për ruajtjen e karakterit shumetnik të shoqërisë, përmendet në preambulën e Kushtetutës dhe vazhdon të zbatohet”, thekson raporti.

Sipas Komisionit, sistemi gjyqësor i Maqedonisë së Veriut ka arritur një nivel mesatar përgatitor. “Shkupi demonstroi vendosmëri të vazhdueshme për të përmirësuar sistemin gjyqësor. Është përgatitur një ligj i ri për Prokurorinë Publike dhe Gjykatat kanë dhënë dënime mbi disa çështje të profilit të lartë të parashtruara nga Prokuroria Speciale. Përtej ndryshimeve ligjore, të gjitha institucionet gjyqësore duhet të demonstrojnë shembullin e tyre dhe të kontribuojnë, nëpërmjet përpjekjeve shtesë, për rivendosjen e besimit të publikut në gjyqësor.

Sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ashtu si Shqipëria, edhe Maqedonia e Veriut ka një nivel të ulët përgatitor.

Në vitin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet të zbatojë në mënyrë pro-aktive rregullat e reja për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, të riafirmojë vullnetin  politik për të luftuar korrupsionin duke mbështetur të gjitha institucionet relevante me autonominë e nevojshme dhe të konsolidojë gjykimet përfundimtare në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, duke përfshirë konfiskimin e pasurive kriminale”, thotë Komisioni.

Komisioneri Hahn tha se Maqedonia e Veriut pas marrëveshjeve me Bullgarinë dhe Greqinë me Marrëveshjen e Prespës, është i vetmi vend në rajon që tashmë nuk ka probleme me fqinjët dhe vendet e tjera duhet ta marrin si shembull atë që bëri Shkupi dy vitet e fundit.

Podgorica

Mali i Zi

Komsioni Europian nuk duket shumë i kënaqur me reformat e ndërmarrë në Malin e Zi, duke e vënë theksin tek lufta kundër korrupsionit dhe kriza mes opozitës dhe qeverisë, e cila ka  çuar në protesta masive në Podgoricë.

“Progres i kufizuar është bërë në rivendosjen e dialogut politik në Parlament gjatë vitit 2018 me kthimin e përkohshëm dhe të pjesshëm të shumicës së partive opozitare në Parlament dhe krijimin e komitetit të përkohshëm parlamentar. Megjithatë, pas arrestimit të një anëtari të parlamentit nga radhët e opozitës në fund të vitit 2018, dhe pretendimeve për korrupsion dhe financim të paligjshëm të partive politike, në fillim të vitit 2019, opozita u kthye kryesisht në bojkotimin e Parlamentit. Këto pohime gjithashtu nxitën mobilizimin e qytetarëve përmes protestave në rrugë dhe kërkesave të opozitës për formimin e një qeverie teknike”, thekson raporti.

Komisioni përmend edhe skandalin që ka përfshirë partinë e presidentit Gjukanoviç për financimin e paligjshëm. “Këto pretendime kërkojnë një përgjigje institucionale të besueshme, të pavarur dhe efektive. Sa i përket qeverisjes, ekziston nevoja për të forcuar transparencën, pjesëmarrjen e aktorëve dhe aftësinë e qeverisë për të zbatuar reformat”, thotë raporti.

“Sistemi gjyqësor i Malit të Zi është i përgatitur në mënyrë të moderuar. Korniza legjislative që synon rritjen e pavarësisë dhe profesionalizmit të gjyqësorit ende nuk është zbatuar plotësisht”, shton Komisioni.

Dokumenti thekson po ashtu se korrupsioni është i përhapur në shumë fusha në Malin e Zi dhe mbetet një çështje shqetësuese. “Sfidat për besueshmërinë, pavarësinë dhe përcaktimin e prioriteteve të Agjencisë Kundër Korrupsionit ende duhet të adresohen. Hetimet financiare dhe sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive mbetet për t'u përmirësuar. Po ashtu edhe reagimi i drejtësisë ndaj korrupsionit në nivel të lartë mbetet shumë i kufizuar”, thotë raporti, duke theksuar se Mali i Zi ka probleme edhe në  luftën kundër krimit të organizuar.

Bosnjë Hercegovina

Komisioni Europian thotë se Bosnja duhet të përshtatë kuadrin kushtetues me standardet europiane dhe të sigurojë funksionalitetin e institucioneve të saj.

“Bosnje Hercegovina do të duhet të reformojë institucionet për të qenë në gjendje që të marrin pjesë në mënyrë efektive në vendimmarrjen e BE-së dhe për të zbatuar plotësisht reformat e nevojshme”, thotë raporti.

Sipas Komisionit Europian, Sarajeva duhet të përmirësojë kuadrin zgjedhor dhe funksionimin e gjyqësorit, të forcojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë pastrimin e parave dhe terrorizmin, si dhe të sigurojë funksionimin efektiv të sistemeve të menaxhimit të kufijve, emigracionit dhe azilit. Po ashtu Komisioni kërkon që Bosnja të rrisë mbrojtjen e të drejtave themelore të të gjithë qytetarëve dhe të plotësojë hapat thelbësorë në reformën e administratës publike.

“Bosnje Hercegovina duhet të trajtojë pengesat për funksionimin e duhur të mekanizmave të tregut, të tilla si sundimi i dobët i ligjit, burokracia e konsiderueshme, korrupsioni, procedurat administrative të gjata dhe tepër komplekse dhe fragmentimi i lartë i tregut të brendshëm të vendit. Në mënyrë që të mundësojë që në periudhën afatmesme të përballet me presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda Bashkimit Europian, ajo duhet t'i kushtojë një vëmendje të veçantë kualitetit të ulët të arsimit, zhvillimin pamjaftueshëm të infrastrukturës së transportit dhe rregullimi i ngadalshëm i strukturës ekonomike të vendit.

Beograd

Serbia

Komisioni Europian i bën thirrje Serbisë të krijojë më shumë hapësirë ​​për debat  ndërpartiak, me qëllim që të krijojë një konsensus të gjerë pro-evropian, i cili është jetik për përparimin e vendit në rrugën e saj të BE. “Disa parti opozitare filluan bojkotimin e parlamentit në fillim të vitit 2019. Praktikat parlamentare të koalicionit qeverisës çuan në një përkeqësim të debatit dhe shqyrtimit legjislativ dhe minuan mbikëqyrjen e parlamentit të ekzekutivit. Disa parti opozitare kanë njoftuar synimin e tyre për të bojkotuar zgjedhjet parlamentare duke kërkuar zgjedhje të lira dhe të drejta. Serbia duhet të adresojë plotësisht të gjitha rekomandimet për zgjedhjet, të identifikuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë, si një çështje prioritare”, thekson raporti.

Sipas Komisionit, ashtu si Shqipëria edhe sistemi gjyqësor i Serbisë ka një nivel të ulët përgatitor dhe zyrtarët e BE-së duken të pakënaqur nga reformat e ndërmarra në Beograd në këtë fushë. “Procesi i reformës kushtetuese, që synon të harmonizojë kushtetutën me standardet europiane për gjyqësorin, po vazhdon. Përveç miratimit të ndryshimeve kushtetuese, sistemi i emërimit dhe vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të rishikohet për të lejuar rekrutime të bazuara plotësisht në merita. Aktualisht ndikimi politik mbetet shqetësues”, thotë Komsioni.

Raporti thekson po ashtu se Serbia ka një nivel të ulët përgatitor në luftën kundër korrupsionit. “Autoritetet e zbatimit të ligjit dhe ato gjyqësore duhet të krijojnë një regjistër të besueshëm për ndjekjet penale mbi korrupsionin e nivelit të lartë. Në përgjithësi, korrupsioni është i përhapur në shumë fusha dhe mbetet një çështje shqetësuese”, thekson ai.

Sipas raportit, Serbia ka po ashtu një nivel të ulët përgatitor në luftën kundër krimit të organizuar. “Serbia ende nuk ka krijuar një dokument bindës mbi hetimet efektive, ndjekjet penale dhe dënimet përfundimtare në rastet e krimit të organizuar, duke përfshirë hetimet financiare që çojnë në konfiskimin e pasurive të kriminelëve. Numri i dënimeve për krimin e organizuar (sidomos në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore) mbetet i ulët”, thotë Komisoni.

Duke iu referuar bashkëpunimit rajonal dhe përplasjeve me Kosovën raporti thotë se “Serbia duhet të krijojë një mjedis të favorshëm për arritjen e një marrëveshjeje me Kosovën

“Serbia ka mbetur e angazhuar në dialog dhe ka treguar vetëpërmbajtje në reagimin e saj ndaj tarifave doganore. Sidoqoftë, Serbia duhet të bëjë përpjekje të konsiderueshme për të krijuar një mjedis të favorshëm për përfundimin e një marrëveshjeje me Kosovën. Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Serbia dhe Kosova të përparojnë në rrugët e tyre europiane", thekson dokumenti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë