Futboll

Skandali në Belgjikë, media serbe përfshin edhe Igli Taren

Futbolli belg në ditët e fundit është përfshirë nga një skandal i madh korruptiv që sa vjen edhe zgjerohet. Autoritetet belge e kanë emërtuar operacionin si “duart e pastra” dhe figurat e përfshira deri më tani janë të nivelit të lartë. Por sipas disa medieve në Belgjikë dhe asaj në Serbi “Kurir”, pritet që në ditët në vijim të ketë të tjerë të përfshirë në këtë histori korruptive.

Deri më tani i akuzuari kryesor është ish-futbollisti dhe menaxheri i njohur i futbollistëve, Matja Krezhman. Ky i fundit ka në pronësi disa futbollistë të njohur nga Ballkani, mes të cilëve edhe “yllin” e Lacios, Sergej Milinkoviç Saviç. Pikërisht nga ky i fundit, ka nisur hetimi i autoriteteve belge, të cilat dyshojnë për abuzime dhe mashtrime me deklarimin e të ardhurave gjatë transferimeve të lojtarëve. Sipas medies belge nieuwsblad.be, Krezhman dyshohet se nuk i ka treguar të gjitha të ardhurat që ka përfituar nga menaxhimi që i bën prej disa vitesh mesfushorit të Lacio.

Nëse gazetat në Belgjikë druhen në përmendjen e Lacios dhe drejtorit të saj, Igli Tare në këtë histori korruptive, një gjë të tillë nuk e kanë bërë ato serbe. Gazeta e njohur në Serbi, Kurir ka aluduar se i përfshirë në këtë skandal mund të jetë edhe klubi italian, përmes drejtorit Igli Tare. Kurir shkruan se Tare mund të jetë përfshirë në këtë aferë jo vetëm në rastin e transferimit të Milinkoviç nga Genk, por edhe të futbollistëve të tjerë ballkanas që kanë ardhur nga kampionati belg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë