Lajme

Skandali i gruas më të pasur në Afrikë, gjendet i vdekur bankieri

Një bankier i përfshirë në çështjen e përvetësimit dhe pastrimit të parave kundër gruas më të pasur të Afrikës, Isabel dos Santos, është gjetur i vdekur në Lisbonë.

Nuno Ribeiro da Cunha,45 vjeç, administronte llogaritë e firmës së naftës Sonangol, e drejtuar më parë nga Znj.Dos Santos, në bankën portugeze, EuroBic. Ai vdiq të mërkurën, por ngjarja u raportua të enjten, menjëherë pasi prokurorët e Angolësi e akuzuan si fajtor në çështjen e korrupsionit.

Dos Santos mohoi akuzat për korrupsionin e pretenduar, pas publikimit të dokumenteve. Da Cunha u gjet i vdekur në një nga pronat e tij në Lisbonë. Një burim policie tha për mediat portugeze se sipas hetimeve paraprake bëhet fjalë për vetëvrasje. Sipas mediave lokale, policia deklaron se Da Cunha provoi të vriste veten edhe më parë këtë muaj dhe vuante nga depresioni.

Të mërkurën EuroBic tha se do t’i jepte fund marrëdhënieve të biznesit me Dos Santos, e cila thuhet se është aksionerja kryesore e bankës përmes dy kompanive që ajo zotëron. Më vonë u raportua se gruaja më e pasur e Afrikës po shiste kapitalin e saj të aksioneve në bankë.

Banka shtoi se do të hetojë transferimet me vlerë dhjetëra miliona dollarë që ajo kishte bërë. Në një deklaratë, zonja Dos Santos i përshkroi akuzat kundër saj si "jashtëzakonisht të gabuara dhe të pavërteta".

Për çfarë akuzohet Dos Santos?

Prokurorët angolanë po kërkojnë të rikuperojnë 1 miliard dollarë që Dos Santos dhe bashkëpunëtorët e saj pretendohet se i detyrohen shtetit. “Isabel dos Santos akuzohet për keqmenaxhim dhe përvetësim të fondeve gjatë mandatit të saj në Sonangol,”- deklaroi Pitta Gros, prokurori i çështjes, në një konferencë për shtyp mbrëmjen e së mërkurës. “Ajo akuzohet edhe për pastrim parash, menaxhim të gabuar dhe falsifikim të dokumenteve, mes krimeve të tjera ekonomike.”

Autoritetet e Angolës do të kryejnë një hetim penal për të përcaktuar nëse ajo duhet të akuzohet zyrtarisht. 5 persona të tjerë janë të dyshuar në këtë rast, ku një prej tyre është Ribeiro da Cunha dhe i kanë kërkuar atyre të kthehen në Angola.

Z. Pitta Gros tha se nëse zonja Dos Santos nuk kthehej vullnetarisht, do të lëshohej një urdhër arrest ndërkombëtar për të. Dos Santos u emërua në krye të Sonangol në qershor 2016 nga babai i saj, presidenti i atëhershëm i Angolës. Ajo u shkarkua nga posti në 2017 nga pasardhësi i babait të saj, Presidenti João Lourenço. Një hetim mbi zonjën Dos Santos u hap pasi pasardhësi i saj në Sonangol, Carlos Saturnino, paralajmëroi autoritetet rreth transferimeve të parregullta të parave. Pasuritë e saj në Angola janë ngrirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë