Bota

Skandal spiunazhi politik në Greqi, shërbimet sekrete përgjonin kreun e PASOK-ut

Gazeta Si - Kryeministri grek i qendrës së djathtë, Kyriakos Mitsotakis të hënën u përpoq të sqaronte qëndrimin e tij dhe të qeverisë që drejton për një skandal të madh spiunazhi politik që e përfshiu  javën e kaluar, pasi Nikos Androulakis, lideri i Partisë Socialiste, kishte denoncuar se ishte përgjuar për muaj të tërë nga shërbimet sekrete greke.

Të premten, shefi i inteligjencës greke dhe Sekretari i Përgjithshëm i kryeministrit (një nga bashkëpunëtorët kryesorë të Mitsotakis, si dhe nipi i tij), dhanë dorëheqjen, një veprim që u pa si një pranim i fajit.

Shërbimet sekrete në Greqi varen drejtpërdrejt nga zyra e kryeministrit, me zgjedhjen e Mitsotakis, duke qenë një nga aktet e tij të para të qeverisjes.

Spiunazhi i një rivali politik, është kthyer shpejt në një çështje të rëndësishme, e cili po rrezikon qeverinë greke.

Mitsotakis u mbrojt duke pretenduar se nuk dinte asgjë dhe duke fajësuar shërbimet.

Androulakis, euro-deputeti i zgjedhur në krye të Partisë Socialiste (PASOK) në dhjetor 2021, tha se ai ishte paralajmëruar nga autoritetet evropiane se telefoni i tij ishte kontrolluar me istemin “malëare Predator”, një softuer që lejon jo vetëm aksesin në biseda, edhe të kriptuara, por që mund të aktivizojë regjistrimet audio dhe video për të spiunuar cilindo që e përdor atë.

Bëhet fjalë për një teknologji të avancuar dhe shumë të kushtueshme, vështirë se është e disponueshme për individët, por e përdorur nga shërbimet sekrete qeveritare.

Denoncimi i Androulakis, kreut të partisë rivale historike të Mitsotakis, Demokracia e Re dhe tani forca e tretë e vendit, pasoi ato të dy gazetarëve grekë, nga ana e tyre të spiunuar nga qeveria: njëri punon në sektorin e lajmeve financiare, tjetri merret me migracionin.

Pas një përpjekjeje fillestare për të mohuar përfshirjen, përgjegjësitë e shërbimeve sekrete u bënë të qarta.

Disa burime qeveritare pranuan se telefoni i Androulakis ishte monitoruar, por me kërkesë të shërbimeve sekrete të huaja, që sipas shtypit grek janë ato të Armenisë dhe Ukrainës.

Burimet e mediave greke flasin edhe për lidhje me Kinën, por këto shpjegime u konsideruan menjëherë të dobëta dhe të lëkundura, jo vetëm sepse nuk është e qartë pse shërbimet greke duhet të spiunojnë shtetasit e tyre në emër të vendeve të tjera. Armenia dhe Ukraina kanë mohuar tashmë përfshirjen e tyre.

Përgjigja e parë e qeverisë të premten ishte dorëheqja e kreut të inteligjencës (EYP) Panagiotis Kontoleon dhe Grigoris Dimitriadis, Sekretar i tij i Përgjithshëm dhe i konsideruar si ndihmës i tij i parë.

Dorëheqja nuk e qetësoi polemikën: partia kryesore opozitare, Syriza, ka bërë thirrje për dorëheqjen e Mitsotakis.

Në mesazhin e tij televiziv të hënën, Mitsotakis mohoi çdo përfshirje personale, ai tha se mësoi për spiunimin ndaj Androulakis vetëm disa ditë më parë dhe se kontrolli i telefonit të tij kishte filluar përpara se Androulakis të bëhej kreu i PASOK-ut.

Ai e quajti operacionin e shërbimit sekret "formalisht dhe ligjërisht adekuat, por politikisht të papranueshëm".

Mitsotakis njoftoi gjithashtu një reformë të shërbimeve sekrete, me kontroll dhe transparencë më të madhe.

Shpjegimet nuk e kanë bindur opozitën dhe një pjesë të madhe të opinionit publik, por ende nuk dihet nëse skandali do të çojë në krizë.

Megjithëse Demokracia e Re është përgjithmonë partia e parë me konsensus në Greqi, Mitsotakis do të përballet me një fushatë të ndërlikuar zgjedhore për rizgjedhje vitin e ardhshëm, e vështirë edhe sipas ligjit të ri zgjedhor, i cili vështirë se do ta lejojë Demokracinë e Re të arrijë shumicën edhe në rast të suksesit zgjedhor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë