Bota

Australi, 16-vjeçari i radikalizuar sulmon me thikë policinë dhe ekzekutohet me armë zjarri

Gazeta Si - Një tjetër episod i dhunës ekstremiste në Australi, ku një 16-vjeçar i cilësuar si i “radikalizuar” u vra nga policia pasi plagosi një person me thikë.

Adoleshenti, sipas kryeministrit të Australisë Perëndimore, Roger Cook, "u afrua" drejt policisë dhe u qëllua për vdekje. Djali, nga sa doli nga hetimet, ishte radikalizuar në internet.

Incidenti ndodhi të shtunën në mbrëmje në parkun e makinave të një dyqani harduerësh në periferi të Willetton, një periferi e madhe në jug të Perth.

Policia kishte marrë një telefonatë të shtunën në mbrëmje nga një burrë që paralajmëronte se do të kryente "akte dhune", por pa dhënë emrin ose vendndodhjen e tij, tha një zyrtar i policisë së shtetit.

Disa minuta më vonë, shtoi ai, policia mori një telefonatë urgjente duke i njoftuar se "një burrë me thikë po vraponte" në një parkim makinash në Willetton.

Pasi ka goditur me thikë një burrë (i cili është në gjendje "të rëndë, por të qëndrueshme"), adoleshenti, ende i armatosur me thikë, "u vërsul" drejt policisë që kishte mbërritur ndërkohë në vendngjarje dhe u qëllua për vdekje nga një oficer.

Kryeministri Cook shpjegoi gjatë një konference për shtyp se "ka të dhëna se ai është radikalizuar në internet. Por unë dua të siguroj njerëzit se në këtë fazë duket se ai ka vepruar i vetëm".

Sipas pamjeve të marra nga kamera e policisë, adoleshenti refuzoi të vendoste thikën në tokë, siç kërkuan efektivët, të cilët më pas qëlluan me dy armë paralizuese, por "asnjëra prej tyre nuk pati efektin e dëshiruar".

Djali "vazhdoi të përparonte drejt një oficeri të armatosur, i cili qëlloi një të shtënë dhe e plagosi për vdekje".

Vitet e fundit, sipas policisë, adoleshenti ishte pjesë e një programi kundër dhunës dhe ekstremizmit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë