Analize

Skandal/ Qeveria bojkoton samitin e Bosnjës në solidaritet me Kosovën, por shkon Presidenti

Përplasjet e brendshme mes qeverisë nga njëra anë dhe opozitës e Presidentit të Republikës në ana tjetër duket se kanë shkaktuar një skandal me politikën e jashtme të Shqipërisë, duke u zhvendosur tanimë “luftën” e Tiranës në arenën ndërkombëtare.

Edhe pse qeveria shqiptare anuloi pjesëmarrjen në një samit për bashkëpunimin rajonal që po mbahet në Bosnjë-Hergovinë, në solidaritet me Kosovën, presidenti Ilir Meta e ka sfiduar Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.
Presidenti Meta ndodhet tanimë në Sarajevë, ku ka mbajtur edhe një fjalë, ndonëse dy ditë më parë ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj njoftoi se Tirana zyrtare e bojkotonte këtë samit. Ky rast dhe aq më shumë kur bëhët fjalë për Kosovën, tregon një moskoordinim të instituconeve kryesore për të patur një qëndrim në politikën e jashtme të Shqipërisë dhe që duhet të pasqyrojë edhe seriozitetin e shtetit shqiptar në rajon dhe me gjerë.


Ky skandal i politikës së jashtme të shtetit shqiptar është i pari i këtyre përmasave në dy dekadat e fundit që pas çlirimit të Kosovës. Pavarësisht konfliktualitetit të politikës në Tiranë apo edhe institucioneve, kur ka qënë puna për Kosovën, të djathtë e të majtë kanë patur një qëndrim. Tirana zyrtare ka qenë në krah të Prishtinës sa herë ajo është penguar që të marrë pjesë në aktivitete rajonale apo edhe nëdërkombëtare. Dhe jo vetëm ka protestuar, por edhe i ka bojkotuar ato takime ku Kosova nuk është ftuar që të jetë e barabartë në tryezë.

Çfarë ndodhi me samitin e Bosnjës?

Ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj deklaroi të dielën se qeveria shqiptare vendosi të bojkonte këtë samit duke u solidarizuar me Kosovën, pasi Sarajeva i kishte kërkuar presidentit Hashim Thaçi që të mos përfaqësohej si kryetar i shtetit të Kosovës, por me një fusnotë. Bosnja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës për shkak edhe të influencës së Republikës Srbska dhe një prej tre presidentëve, Milorad Dodik është i njohur për marrëdhëniet e ngushta me presidentit Aleksandër Vuçiç dhe presidentin rus Vladimir Putin. Të hënën ishte takimi i Ministrave të Jashtëm, ku Cakaj nuk shkoi, ndërsa të martën është tryeza e Presidentëve ku është present Ilir Meta.

Thaçi anuloi në shenjë proteste pjesëmarrjen, duke deklaruar se Kosova nuk kërkon asgjë më shumë sesa trajtimin e barabartë.


Por kjo nuk është hera e parë që Dodik sfidon shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Përveçse ka deklaruar publikisht se nuk do ta pranojë kurrë pavarsinë e saj, në samitin e vitin e kaluar ai e ka ndalur Prishtinën zyrtare të marrë pjesë, duke deklaruar se delegacioni i Kosovës nuk është i mirëpritur. Vitin e kaluar, kur takimi ishte mbajtur në Banja Luka, ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, u detyrua të anulonte pjesëmarrjen, pasi Dodik, në atë kohë lideri i Republikës Sprska deklaroi se ai nuk ishte i mirëpritur në rajonin autonom serb. Në atë kohë Ministri I Jashtëm Ditmir Bushati nuk morri pjesë për shkak të incidentit me pacollin. Pra përse vendosi Presidenti Meta të sfidojë qeverinë shqiptare duke marrë pjesë në një samit ku Kosova nuk është e mirëpritur? Kosova dhe debate që vijon prej muajsh për korrigjim kufijsh e ka ndarë Metën jo vetëm nga Ramën, por edhe me Thaçin dhe Presidenti i Shqipërisë është në një linjë me Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj për këtë çështje.

Çfarë deklaroi Meta gjatë samitit?

Duke qënë i vetmi zyrtar shqiptar që vendosi të merrte pjesë, Presidenti Meta u ndal për një kohë të gjatë tek Kosova dhe bojkotimi i samitit nga Prishtina, edhe pse nuk komentoi mospjesemarrjen e ministrit Cakaj.

Në fjalën e tij, drejtuar të pranishmëve, Meta shprehu keqardhjen që kryesuesja e radhës së këtij procesi, Kosova, nuk është e pranishme në këtë Samit. Ai i bëri thirrje Sarajevës të pranonte realitetin dhe të njihte pavarësinë e Kosvës.

“Tashmë është koha e duhur që Bosnja dhe Hercegovina, e jo vetëm, të bëjnë përpara në drejtim të njohjes dhe pranimit të realitetit. Republika e Kosovës është shtet i pavarur e sovran dhe duhet të trajtohet me respekt, para së gjithash nga vetë fqinjët e saj”, deklaroi ai.

Sipas presidentit Meta, mund të thuhet pa frikë se kurrë më parë rajoni nuk ka qenë më i qëndrueshëm dhe më i sigurt, por se një sërë sfidash rajonale ende mbeten në rrugën drejt integrimit të vazhdueshëm.

“Në këtë këndvështrim dua të shpreh keqardhjen për faktin se Republika e Kosovës, Kryesuesja jonë e ardhshëm, u detyrua të mos marrë pjesë në këtë Samit. Si mund të pretendojmë që të kemi një bashkëpunim të efektshëm ku disa nga pjesëmarrësit e këtij forumi bëjnë të pamundurën për të përjashtuar një popull dhe një një shtet të tërë fqinj nga përfitimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe projektet rajonale në fusha kaq të rëndësishme si siguria, arsimi, kultura, etj. Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe respekti i ndërsjellë janë thelbësore për të pasur një bashkëpunim të efektshëm rajonal, për sigurinë dhe begatinë ekonomike për të gjithë ne. Kështu që tani është koha e duhur që jo vetëm Bosnja dhe Hercegovina, që duhet të kishte bërë të gjitha përpjekjet për të garantuar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Samit, por edhe çdo vend tjetër të bëjë përpara në drejtim të njohjes dhe pranimit të këtij realiteti. Republika e Kosovës është shtet i pavarur e sovran dhe duhet të trajtohet me respekt, para së gjithash nga vetë fqinjët e saj”, u shpreh kreu i shtetit.

Presidenti u ndal edhe tek procesi i zgjerimit të BE-së, për të cilin tha është bërë shumë më sfidues, duke deklaruar se Shqipëria është e vetëdijshme se ka ende një punë të vështirë për të bërë që të përmbushë kriteret dhe standardet e nevojshme. “Ne duhet të japim rezultate të prekshme, duke u përqendruar në reformat që forcojnë institucionet shtetërore, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit si dhe krimit të organizuar. Mbetemi të përkushtuar dhe me shpresë se Këshilli i BE-së do të vendosë në tetor për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë fqinje. I jemi mirënjohës vizionit të Kancelares Merkel, që u përsërit edhe në Samitin e fundit të Poznanit, që dhënia e mundësisë vendeve të Ballkanit për t’i bashkëngjitur BE-së është në interesin strategjik të të bllokut komunitar europian”, tha Meta përballë homologëve tij, ku mungonte vetëm hashim Thaçi.

Reagimet në Prishtinë

Në reagimet e tyre të para, analistët në Prishtinë thonë se duke marrë pjesë në Samitin e Sarajevës presidenti Meta i ka dhënë një goditje të rëndë bashkëpunimit diplomatik mes Kosovës e të Shqipërisë, në një moment kur vihet në pikëpyetje interesi kombëtar.
“Duke marrë pjesë në Samitin e Sarajevës presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, bën që ai organizim të duket pa të meta, gjë që nuk është e vërtetë, sepse trajtimi i Kosovës tregon të kundërtën: i është bërë ftesë për ta nënvlerësuar. Duke marrë pjesë në Samitin e Sarajevës, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, prish rregullin e veprimit harmonik të Kosovës e të Shqipërisë kur është në pyetje interesi kombëtar”, shkruan politologu Urim Krasqini.
Megjithatë shfaqja e papritur e Metës në Sarajevë vjen vetëm një javë pasi Ministrat e Jashtëm të Kosovës dhe Shqipërisë nënshkruan një marrëveshje në Tiranë për të koordinuar politikat e tyre të jashtme dhe për të bashkuar misionet diplomatike. “Të dy vendet ranë dakord të bashkëpunojnë ngushtë në politikën e jashtme, të krijojnë misione të përbashkëta diplomatike dhe të ndajnë stafin dhe përvojën për zbatimin e interesave të tyre kombëtare”, shkruante Pacolli në Twitter.

Ilir Meta dhe presidenti Hashim Thaci

Megjithatë, përgjatë muajve të fundit, qëndrimet e kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Ilir Meta për sa i përket idesë së nënshkrimit të një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë janë diametralisht të ndryshme. Samiti i liderëve të Ballkanit në Tiranë, i mbajtur më 10 maj ka nxjerrë në pah mes të tjerash edhe përçarjet e spektrit politik shqiptar në Tiranë dhe Prishtinë, ndërkohë që kjo e fundit ndodhet në një moment kyç përballë arritjes së marrëveshje më Serbinë. Edhe pse duhet të ishin më të bashkuar dhe me një qëndrim më të unifikuar se kurrë, liderët shqiptarë duket se janë ndarë tanimë në dy fronte, në njërën anë Thaçi-Rama dhe në tjetrën, Haradinaj dhe Meta. Në atë kohë, Dodik u kthye në një mollë sherri për dy presidentët, pasi Thaçi do të dilte kundër pranisë së kreut boshnjak në Tiranë, duke mos pranuar të ulej në një tryezë me të. Duke iu kundërpërgjigjur fjalës së tij Meta tha se Dodik ka ardhur në Tiranë si president, por i kishte pëlqyer shumë Shqipëria dhe shumë shpjet do të vijë dhe si turist.
“Të gjithë do të donim që dialogu Kosovë-Serbi të përfundonte dje, jo sot dhe as nesër. Në rast që këto do të ndodhnin menjëherë dhe do thonin që janë në Beneluks dhe jo në këtë rajon kur përplasjet kanë qenë të hershme. Për sa i kërket prezencës së Dodik, ju e dini që ai ka qenë i ftuar si President i radhës si Bosnjës. Ai tashmë do të vijë dhe si turistë pasi i ka pëlqyer shumë Shqipëria”, u shpreh Meta.

Bosnja, e përçarë mes dy rajoneve etnike dhe e udhëhequr nga qeveri të dobët, nuk e ka njohur ende Kosovën për shkak të kundërshtimeve të serbëve atje, të cilët ndjekin me devotshmëri politikën e aleatëve të tyre në Serbinë fqinje. Dodik ka këmbëngulur prej kohësh për shkëputjen e Republikës Serbe nga Bosnja dhe ka intensifikuar retorikën nacionaliste pas deklaratave të Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçit për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Por Thaçi ka anuluar pjësëmarrjen në takimin e Sarajevës duke deklaruar se sjellja e Bosnjës është e papranueshme dhe paradoksale, pasi përfaqësuesit e saj aplikojnë praktika tërësisht antieuropiane, që nuk dallojnë nga ato të Serbisë.

Një ditë pas Thaçit, edhe Cakaj njoftoi anulimin e pjesëmarrjen në Samitin e SEECP, duke deklaruar se nuk ka bashkëpunim pa trajtim të barabartë. Pas Bosnjës, ajo që do të marrë presidencën e bashkëpunimit rajonal do të jetë Kosova, por repikat me Serbinë dhe Bosnjën pritet të vazhdojnë pasi asnjë nga liderët e të dyja vendeve nuk ta ngjarë të pranojnë që të shkojë në Prishtinë.

Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se mospjesëmarrja e Prishtinës në nismat rajonale, në disa aspekte të caktuara, mund ta lerë Kosovën prapa. Por, sipas tij, edhe në rastet kur Kosova shpreh vullnetin për të qenë pjesë e takimeve rajonale, në disa raste përballet me probleme të politike, sidomos me shtetet që kanë probleme lidhur me shtetësinë e Kosovës.

Liderët rajonalë gjatë takimit të Procest të Brdo-Brijonit që është mbajtur në Shqipëri

“Kjo na e dëshmon edhe një herë se sa të parëndësishme nganjëherë janë marrëveshjet e Brukselit, të cilat mund të arrihen në letër, por në qoftë se nuk ka zbatim të duhur të tyre, atëherë ato nuk vlejnë asgjë. Rasti konkret dhe përfaqësimi rajonal i Republikës së Kosovës, madje edhe me fusnotë, shpeshherë nuk po kryen punë, sepse Kosova thjesht po anashkalohet për shkak të çështjes së pavarësisë dhe pengesës që ky proces ka shkaktuar në aspektin politik te disa shtete tjera”, theksoi Murati.

Sipas tij, e ngjashme është situata edhe me CEFTA-n dhe forumet e tjera ndërkombëtare, ku shtetësia e Kosovës vazhdon të kundërshtohet nga vendet tjera.

Ndërkaq, deputeti I PDK-së Elmi Reçica shpreh mendimin se në të kaluarën Marrëveshja e Brukselit për paraqitjen e Kosovës në forume dhe nisma rajonale me fusnotë, ka shënuar përparësi, për shkak se Kosova është ftuar dhe ka qenë e pranishme në këto nisma dhe forume rajonale.
“Mirëpo, me angazhimin e Serbisë, prezenca e Kosovës ka filluar të zbehet, por njëkohësisht edhe mundësia për të prezantuar dhe për të qenë pjesë aktive në vendimmarrje në këto nisma rajonale. Ne e dimë që marrëveshja e përfaqësimit të Kosovës me fusnotë, ka qenë një marrëveshje kompromisi, por po vërehet dhe po dëshmohet çdo ditë që fusnota nuk është më një mundësi për ta prezantuar Kosovën si shtet të pavarur”, vlerësoi Reçica.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë