Futboll

Skandal në Katar, punëtoret e stadiumeve të botërorit 10 muaj pa u paguar

Duhen edhe katër vite që të luhet, por botërori i vitit 2022 që do të zhvillohet në Katar pritet të jetë më i diskutuari i të gjitha kohërave. Debatet në fillimin kishin të bënin me mënyrën e përzgjedhjes, ku FIFA akuzohet se disa anëtarë të saj  janë korruptuar për të marrë vendimin që botërori të zhvillohet në këtë vend. Por tashmë është një tjetër temë shumë më delikate, që ka të bëjë me të drejtat e njeriut.

Një raport i Amnesty International shkruan për të drejtat e punëtorëve që janë angazhuar për ndërtimin e stadiumeve të botërorit, ku një pjesë e madhe  e tyre ka muaj pa u paguar. Lidhur me këtë akuzë, FIFA nuk ka reaguar ende. Sipas Amnesty International janë me mijëra punëtorë nga Nepali, Filipinet dhe India që nuk janë paguar për të paktën 10 muajt e fundit.

Ky mospagim i punëtoreve që vijnë nga këto vende ka sjellë një shkatërrim të ekonomive të këtyre familjeve edhe pse qeveria e Katarit është shprehur se pagesat do të lëvrohen shumë shpejt.

Për të realizuar këtë raport, Amnesty International ka bërë një sërë intervistash me punëtorë që punojnë në këto impiante. Shumë nga këta punëtorë për shkak të mos marrjes së pagesave kanë mbetur të bllokuar në Katar, pasi nuk mund të largohen nga vendi pa marrë paratë e tyre, për të cilat kanë punuar edhe kushte shumë të vështira. Ky është vetëm skandali i radhës që ka shpërthyer në Katar në lidhje me përgatitjet që po bëhen për kampionatin botëror, teksa FIFA nga ana e saj ende nuk ka reaguar.

https://www.youtube.com/watch?v=9WAp6YinSr0
Video e projekteve për të gjithë stadiumet në Katar

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë