Lajme

"S'ka asnjë projekt në Shqipëri për hekurudhën Durrës-Prishtinë"

Teksa kryeministri kosovar në detyrë, Ramush Haradinaj vazhdon të jetë optimist për realizimin e një linje hekurudhore Prishtinë-Durrës, në Shqipëri habiten për realizimin e një projekti të tillë, të paktën për këtë vit.

Në një konferencë për shtyp kur do të pyetej nëse do të ketë marrëveshje me Beogradin për linjat hekurudhore pas asaj ajrore, Haradinaj do të thoshte se më të interesuar janë që të jetësojnë linjën hekurudhore me Shqipërinë.

Haradinaj do të sqaronte se, fillimisht duhet të bëhet një analizë për këtë projekt.
Një projekt i tillë i linjës hekurudhore Kosovës-Shqipëri do të përmendej do kohë më parë dhe në janar të vitit 2015, homologët e Ministrisë së Infrastrukturës të Kosovës dhe Shqipërisë do të binin dakord që menjëherë të fillonin punimet nga grupet e ekspertëve për ndërtimin e kësaj linje.

Por duket se nga pala shqiptare një projekt i tillë është një ëndërr në sirtar që tashmë është pluhurosur dhe nuk kujtohet.

E pyetur nga gazeta “Si”, Ministria e Infrastrukturës nëse ka një plan për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë, thotë se të paktën në afatshkurtër “jo”.

“Vitin e ardhshëm janë zgjedhjet, më pas nuk i dihet”- përgjigjen në Ministri.

Në fakt, jo vetëm për linjën e mundshme Durrës-Prishtinë që arka e shtetit nuk ka para, por financat i prenë në mes shqiptarëve për këtë vit ndërtimin e hekurudhës së vendit.

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2020 do të thoshte në Komisionin për Ekonominë dhe Financat se “Ky buxhet nuk mund të quhet asesi “Buxheti i Infrastrukturës”, edhe pse në perceptim infrastrukturën e kemi lidhur me rrugët, infrastruktura nuk është vetëm rrugë. Grupi i Ministrisë që ka punuar për projektin e Hekurudhës është shumë i pezmatuar që fondet për të janë zeruar për 2020-n”.

Ajo do të informonte se për këtë projekt është punuar për 10 muaj rresht në mënyrë intensive që të arrihej të fitohej financimi nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Projekti hekurudhor parashikonte të kalonte në linjën Tiranë-Linë-Pogradec me dy segmente; njëri për në Maqedoninë e Veriut dhe tjetri për në Greqi.

Për këtë projekt do të garonin 8 kompani ndërkombëtare, por që punimet nuk do të nisin këtë vit për shkak të prerjes së fondeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë