Para

Sivjet hidhen për herë të parë në qarkullim kartëmonedhat 10 mijë lekëshe

Banka e Shqipërisë do të hedh këtë vit në treg tri kartëmonedha të reja, një prej të cilave nuk ka qarkulluar më parë në Shqipëri që është ajo 10 mijë lekshe.

Por pamja e kësaj kartmonedhe që pritet të hidhet në treg nga Banka Qendrore deri në fund të 2021 nuk është bërë publike.

Sipas BSH-së, “Vendimi miratoi tematikën që do të pasqyrohet në kartëmonedhën shqiptare me kurs ligjor me vlerë 10000 lekë. Kjo kartëmonedhë do të pasqyrojë figurën e poetit të njohur shqiptar, Asdrenit, kombinuar me simbolet figurative të ‘Flamurit Kombëtar’, si dhe një varg të zgjedhur nga ‘Himni Kombëtar’, që njihet edhe si HIMNI I FLAMURIT ‘Rreth flamurit të përbashkuar/me një dëshir’ e një qëllim’. Krahas kësaj, u miratuan tekstet shoqëruese që lidhen me emrin e bankës, vlerën nominale, si dhe u miratuan përmasat e kartëmonedhës”.

Po ashtu do të dalin në treg prerjet e reja 1 mijë lekë dhe 2 mijë lekë, të cilat janë prezantuar me të gjitha elementet e sigurisë që do të kenë.

“Prodhimi i një serie të re kartëmonedhash është një proces kompleks, gjatë të cilit mund të hasen vështirësi teknike që mund të shkaktojnë ndryshime në afatet e planifikuara për hedhjen në qarkullim të kartëmonedhave”, thotë BSH.

Në vitin 2022 do të hidhet prerja e fundit prej 500 lekësh, ndërsa 200 dhe 5000 lekë u hodhën në qarkullim në 30 shtator të vitit 2019. Seria e re e kartëmonedhave është prodhuar me teknologjitë më të fundit në fushën e prodhimit dhe elementeve të sigurisë së kartëmonedhave, me qëllim që ato të jenë më të sigurta, duke ia bërë “më të vështirë jetën” falsifikatorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë