Mendim

Situata me dhunën në familje është tashmë jashtë kontrollit!

Denisa Daka - Dhjetëra gra e fëmije, për shkak të izolimit e qëndrimit në karantinë, po provojnë tmerrin e ferrin përgjatë këtyre ditëve, për shkak të dhunës ekstreme ushtruar kundra tyre!

I bëj thirrje autoriteteve me përgjegjësi qytetare, të konsiderojnë prioritet, marrjen e disa masave, të cilat i konsideroj imediate:

-Krijimi i menjëhershëm i qëndrave provizore sociale, për të pritur e strehuar përgjate kësaj kohe, numrin e shumtë të viktimave të dhunës në familje.

-Mbikqyrje të rreptë nga ana e forcave policore, të të gjitha zonave ku dhunuesit janë të identifikuar tashmë.

-Caktimi i nje fondi të posaçëm nga KM, për t'i ardhur në ndihmë në të gjitha format e mundshme kësaj kategorie vulnerabël të shoqerisë.

-Pergatitja e shpërndarja e fletëpalosjeve me informacionin e duhur brenda saj, në zonat rurale apo të thella kryesisht.

-Lejimi i lëvizjes pa kufizim për çdo qytetar ndodhur në këto kushte.

Në një trysni të fortë e të pazakonte, survejuar nga dhunuesit pergjatë 24 orëve, të shumta janë gratë që nuk mund të përdorin asnjë mjet komunikimi në këto kushte!

E më të rrezikuarit a më të prekurit nga gjithë kjo dramë unike e cila nuk po do të mbarojë, janë ata te mirët, te bukurit e te pafajshmit, femijët e tyre.

Është tepër e gjitha ç'ka ndodh dhe përgjatë këtyre ditëve të vështira, për forcën e durimin që Zoti i ka dhuruar një nëne posaçërisht.

Në Gjykatat e të gjitha rretheve lëshohen orë pas ore urdhëra mbrojtje, të cilat nuk kanë asnjë vlerë në fakt, teksa dhunuesit e viktimat jane të detyruar të qëndrojnë a të ndajnë sërish të njëjtin mjedis orë pas ore.

Fashat e orareve të caktuara, nuk lejojnë çdonjërin prej tyre t'i drejtohet komisariateve apo gjykatave, ndërkohë që situata me dhunën po del jashtë kontrollit.

Aplikimi online për lejet përkatese për dhjetra në rradhe është i pamundur apo pesë me hiç ndodhur në këto kushte.

Qëndrat sociale mungojnë ndërsa ato pak që ekzistojnë, jane një tjetër kalvar mundimesh për çdonjerën, per shkak të dhjetra problematikave në rradhë.

Parandalimi apo mbështetja në kohën e duhur për secilin nga ana e strukturave policore është ende në nivele të pakonsiderueshme, ndërsa efektivin e zones nuk e njeh askush.

Përpos përpjekjeve titanike në lufte me varfërine e dhjetra pamundesi në rradhe, këto zonja rrezikojnë të mos zgjohen një mengjes a të mos kenë mundësi të perqafojnë fëmijët e tyre.

Autoritetet përkatese, përgjegjëse për jetën e gjithsecilit prej nesh, duhet të zgjohen nga gjumi letargjik e të veprojnë në formën e kohën e duhur sa nuk është vonë!

Ndryshe rastet e humbjeve të jetëve për këtë shkak, do të jenë shumë herë me të mëdha se ato të raportuara nga COVID-19!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë