Ka ndodhur

Situata e zjarreve, disa vatra vijojnë të jenë ende problematike

Në bilancin ditor të saj, Ministria e Mbrojtjes, bën të ditur se situata e zjarreve në vend nuk është kritike, por disa zona vijojnë të jenë ende problematike.

Sipas saj, nuk ka rrezik për zonat e banuara dhe për tunelin e Kalimashit, aty ku prej javësh vatrat kanë qenë aktive.

Në Mirditë, njësia administrative Fan, fshati Thirrë,  ka shumë tym në zonë dhe erë të fortë, si pasojë vështirësohet kryerja e operacioneve efektive nga toka, megjithatë situata momentalisht nuk është problematike, nuk ka rrezik për zona të banuara dhe për tunelin e Kalimashit. FA dhe zjarrfikesit lokalë po punojnë në terren.

Edhe në Rubik, fshati Katund i vjetër situata paraqitet më e qetë duke mos rrezikuar banesat pranë vatrave. Ka vijuar puna për normalizimin e situatës nga FA dhe zjarrfikesit lokalë.

Në Fan, fshatrat Munellë dhe Domgjon, aktualisht vatra nuk paraqet rrezik dhe po mbahet ne monitorim.

Në Lezhë, njësia administrative Kolsh, fshati Patalej, vatra e zjarrit është izoluar në masën 95%. Situata është e qetë dhe në terren po punojnë punonjësit e pushtetit vendor.

Në Shkodër, Bashkia Pukë, Fushë Kumullise, Qershizë,  janë angazhuar 40 trupa nga FA dhe 25 punonjes të pushtetit vendor. Po punohet për normalizimin e situatës, për momentin nuk paraqet rrezik.

Në Fuzhë Arrëz, njësia administrative Blerim, fshati Flet, vatra e zjarrit që ka prekur fshatin Kryezi është izoluar. Në krahun tjetër po punohet nga 40 FA dhe 25 forca bashkiake.

Po në Shkodër, njësia administrative Gur i zi, fshati Gur i zi, vatra aktualisht është izoluar pasi forcat tokësore kanë krijuar breza ndarës.

Sitata po mbahet nën kontroll dhe po punohet për shuarjen përfundimtare. Në operacion janë angazhuar 30 punonjës nga njësia administrative Postribë.

Në Kukës, Maja e Rrunës, zjarri është aktiv prej 15 ditësh dhe është në drejtim të fshatit Shëmri.

Për normalizimin e situatës është angazhuar dhe helikopteri holandez. Trupat e FA-ve, punonjës të pushtetit vendor dhe vullnetarë po punojnë ne terren.

Në Has, njësia administrative Golaj, vatra në fshatin Nikoliq është shuar. Në Elbasan, Bashkia Prrenjas, Mali i Rrajcës, vatra e zjarrit ndodhet në pjesën lindore të fshatit Skënderbej.

Është shmangur rreziku për parkun kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Situata është nën kontroll dhe aktualisht në terren po punojnë zjarrfikësit e Prrenjasit.

Në Dibër, njësia adminstrative Selishtë, Qafë Murrë, Kacni, situata paraqitet më e qetë, stukturat e pushtetit vendor po punojnë për shuarjen përfundimtare. Në Gjirokastër, Bashkia Memaliaj, njësia administrative Krahës, zjarri ne fshatin Allkomemaj është shuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë