Vende dhe Udhetime

Sirena e Sarandës zbulon misteret e Detit Jon- Një eksperiencë turistike unike nën ujë

Nga Gazeta Si- Historia, natyra, arti dhe teknologjia bashkohen në një projekt inovativ që premton t’u ofrojë turistëve një përvojë të pazakontë në zemër të Detit Jon.

“Sirena e Sarandës dhe Misteret e Detit Jon”, një nismë e mbështetur financiarisht nga Ministria e Turizmit, synon të sjellë një mënyrë të re eksplorimi të pasurive natyrore dhe historike të gjirit të Sarandës.

Magjia e udhëtimit plotësohet nga shfaqja artistike e “Sirenës së Sarandës”

I konceptuar si një “muze i gjallë” nën ujë, projekti fton vizitorët të ndërmarrin një udhëtim mes historisë, legjendave dhe biodiversitetit detar, aktivitet që do të zhvillohet çdo të shtunë gjatë muajve qershor dhe korrik, duke shtuar një atraksion të ri në ofertën turistike të qytetit.

Në qendër të kësaj eksperience qëndron udhëtimi me nëndetësen gjysmë-zhytëse, e cila do t’u mundësojë turistëve të zbulojnë botën nënujore të Jonit nga një këndvështrim i veçantë. Pa ndërhyrë në ekosistemin detar, vizitorët do të kenë mundësinë të vëzhgojnë nga afër pasuritë natyrore që fshihen nën sipërfaqen e ujit.

Magjia e udhëtimit plotësohet nga shfaqja artistike e “Sirenës së Sarandës”, personazhi simbol i projektit. E shfaqur mes ujërave të kaltra të gjirit, sirena shndërrohet në një udhërrëfyese imagjinare, duke krijuar momente të veçanta për fotografi dhe ndërveprim me turistët.

Tre sirenat shprehen se për to është një eksperiencë dhe magjia e kësaj vere që të jenë pjesë e një udhëtimi unik.

Organizatorët besojnë se kjo eksperiencë do të nxisë vizitorët të ndajnë përjetimet e tyre në rrjetet sociale, duke promovuar natyrshëm Sarandën dhe bukuritë e saj.

Sirena e Sarandës zbulon misteret e Detit Jon

Një element tjetër i rëndësishëm i projektit është podcast-i audio historik, i cili do të shoqërojë udhëtimin. Përmes një rrëfimi të kuruar, turistët do të njihen me historinë e anijes italiane të mbytur në ujërat e Sarandës, si dhe me legjenda, ngjarje dhe mistere që lidhen me këtë rajon.

Kjo ndërthurje e historisë me teknologjinë synon ta kthejë vizitën në një përvojë njëkohësisht argëtuese dhe edukative.

Sipas organizatorëve, “Sirena e Sarandës dhe Misteret e Detit Jon” synon të krijojë një produkt turistik origjinal, që ndërthur trashëgiminë kulturore, natyrën dhe kreativitetin bashkëkohor.

Projekti pritet të pasurojë ofertën turistike të qytetit dhe t’u ofrojë vizitorëve një mënyrë krejtësisht të re për të zbuluar historitë e fshehura nën sipërfaqen e detit.

Përmes kësaj nisme, Saranda synon të prezantohet jo vetëm si një destinacion i njohur për plazhet dhe diellin, por edhe si një vend ku historia, legjendat dhe deti bashkohen për të krijuar përvoja të paharrueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Një përgjigje te “Sirena e Sarandës zbulon misteret e Detit Jon- Një eksperiencë turistike unike nën ujë”

  1. Justin McCarty thotë:

    Hey there, I was wondering if you took guest posts on gazetasi.al? If so, how would I go about getting one on your site? If there is a fee, let me know.

    Also, if you have any other sites you can get me a post on please list them.

    Thanks

    Justin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë