Ngjarje

“Siptares”, muzeu kroat ofendon “padashje” shqiptarët

Muzeu i Zadarit në Kroaci është vënë në qendër të kritikave nga minoriteti shqiptar në këtë vend, pas publikimit të një studimi, ku përdoret një term përçmues dhe ofendues për shqiptarët.

“Incidenti” ndodhi gjatë një paneli shkencor të organizuar në kroatisht dhe anglisht nga departamenti arkeologjik i këtij muzeu.

“Pasardhësit e ilirëve sot në Ballkan janë shqiptarët, ose “shiptares”, thuhet në pjesën e publikuar në anglisht të këtij studimi.

Termi racist “shiptares” është përdorur dhe përdoret ende nga radikalët serbë, që e lidhin me fjalën “Sheep”, e cila nga anglishtja do të thotë “dele”.

Gazeta kroate, Novosti, e cila e publikoi e parë lajmin solli edhe reagimin e drejtorit të Muzeut në fjalë, Jakov Vuçiç. Ai thotë se studimi është i viteve 1970.

“Autori është i ndjeri Sime Batoviç dhe është një botim i fillimit të viteve ’70 dhe me aq sa di unë, askush nuk është ankuar për këtë. Ndoshta në atë kohë, kjo fjalë nuk ka patur këtë nënkuptim negativ që ka sot”, thotë Vuçiç.

Megjithatë, Jakov Vuçiç thotë se Muzeu është i gatshëm që ta heqë termin në fjalë nëse shndërrohet në një çështje problematike, që ai vetë e minimizon.

“Në gjithë atë punë kërkimore, ajo është vetëm një fjalë”, thotë ai për gazetën Novosti.

Unioni i Shqiptarëve në Kroaci shprehu pakënaqësinë ndaj rastit në fjalë dhe kërkoi nga Muzeu që të tregohet i kujdesshëm në termat e përdorur në studimet e veta, që të shmangë incidente të ngjashme në të ardhmen.

Në Kroaci jetojnë pak më shumë se 17 mijë shqiptarë, që njihen zyrtarisht si pakicë kombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë