Futboll

Sinjali që Neymar po shkon drejt Realit

Neymar ua ka bërë të qartë drejtuesve të PSG-së: këtë verë kërkon që të rikthehet në Spanjë për të veshur fanelën e Realit të Madridit.

Goal.com shkruan se me këtë dëshirë të sulmuesit brazilian është njohur bordi drejtues i skuadrës kampione franceze, që kërkon me çdo kusht ta mbajë atë në Francë.

Pini Zahavi, agjenti i Neymar është takuar më 13 maj me Presidentin e Realit të Madridit, Florentino Perez. Më pas, Zahavi është takuar me përfaqësuesit ligjorë të brazilianit dhe duket se nxitësi kryesor për rikthimin e Neymar në Spanjë është babai i tij, i njëjti që nxiti edhe largimin nga Barcelona në drejtim të Francës.

Dëshira e PSG-së është që ta mbajë lojtarin deri në vitin 2022, kohë kur i skadon kontrata, por nëse vetë Neymar këmbëngul dhe nëse Reali plotëson kushtet e kontratës dhe derdh në arkat e skuadrës franceze “shumën që nuk mund të refuzohet” as nga sheikët, atëherë gjasat janë që nga shtatori ai të veshë fanelën e bardhë madrilene.

Prej muajsh e ardhmja e tij në Paris është rrethuar nga spekulime mediatike, që pas përplasjes me Edinson Cavanin për gjuajtjen e një 11-metërshe ndaj Dijon. Zërat janë përforcuar pasi Neymar mungoi në festën e shpalljes së titullit kampion. Ai ndodhej në Brazil për shkak të një dëmtimi dhe mungesa në finalen e Ligue 1 e ka vënë në qendër të kritikave. Kampioni i botës me Francën, Christophe Dugarry e akuzoi se “po pështyn” mbi klubin.

Megjithatë, disa janë të bindur që Neymar nuk do të shkojë gjëkundi.

“Nuk dua të bëhem zëdhënësi i Neymar, por besoj se sezonin e ardhshëm ai do të jetë sërish këtu. Do të ishte gjëja e duhur për vetë atë, por edhe për skuadrën”, deklaroi trajneri në largim i PSG-së, Unay Emery.

Thashethemet mediatike kanë mbërritur edhe në veshët e Nasser Al-Khelaifi. Presidenti i parizienëve akuzoi mediat spanjolle se po abuzojnë dhe me çdo kusht kërkojnë që ta rikthejnë Neymar në Spanjë.

“Kush tha që ai nuk do të qëndrojë këtu? A e ka thënë njeri këtë? Askush! Ai ka një kontratë me ne dhe do të qëndrojë me 2000 për qind. Mediat spanjolle po punojnë për klubet spanjolle, por ajo që nuk kuptoj janë mediat franceze”, deklaronte ai disa muaj më parë.

Megjithatë, së fundmi e ka zbutur qëndrimin dhe nuk u shfaq më aq i prerë.

“Asgjë dhe askush nuk mund të dalë mbi klubin, as trajneri dhe as lojtarët. Klubi është dhe do të mbetet parësor dhe nëse dikush nuk e pranon këtë e nuk ndjehet i lumtur këtu, atëherë largohet”, tha ai për L’Equipe.

Pavarësisht dëmtimeve, Neymar shënoi 28 gola në 30 ndeshje me PSG-në, ndërkohë që është autor edhe i 19 asisteve. Braziliani e ka tejkaluar dëmtimin dhe pritet që të jetë në formë për Brazilin gjatë Kupës së Botës.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë