Futboll

Simeone, njeriu që mposhti dominimin Barça-Real

Kur themi futbolli spanjoll rrjedhimisht gjëja e parë që të vjen ndër mend janë dy emra, Real Madrid dhe Barcelona. Por në 5 vitet e fundit mes tyre ka pasur gjithmonë një skuadër që ka ndërhyrë si për të prishur punë. Quhet Atletiko Madrid, është ekipi i dytë i kryeqytetit spanjoll dhe në stol ka një prej trajnerëve më të mirë në botë për momentin, si Diego Simeone. Argjentinasi në 6 vite e gjysmë në drejtimin e “los colchoneros” ia ka dalë që të bëhet trajneri më i suksesshëm në historinë e këtij klubi dhe t’ju dhurojë shumë lumturi të gjithë tifozëve që për vite më radhe ishin mësuar me poshtërimin që iu bëhej nga rivalët e qytetit, Real Madrid.

Filloi me fitoren e parë në derbi pas 15 vitesh

Kishin qenë 15 vite të vështira për tifozët e Atletiko Madrid nga 1999 deri në 2015, ku për më shumë se 15 vite në përballjet me Real Madrid kishin pësuar vetëm humbje dhe disa barazime sporadike. Më 7 shkurt 2015, Atletiko Madrid do të merrte fitoren e parë pas 15 vitesh përballë “Merengues” dhe më Simeonen në stol. Nuk ishte një fitore e thjeshtë, por 4-0, më rënda që Real Madrid kishte pësuar që nga “manita” e famshme e 2010-ës. Që nga kjo fitore kanë ardhur edhe disa triumfe të tjera për klubin e dytë të Madridit. Simeone ka fituar me Atletikon e tij 7 trofe dhe shumë të rëndësishëm, duke filluar që nga kampionati spanjoll, dy Europa League dhe superkupa europiane.

Por nuk duhen harruar edhe dy finalet e Ligës së Kampionëve, në të cilat Simeone me Atletikon e tij nuk ia ka dalë që të marrë vete trofeun.

Pasi ngriti lart Superkupën e Europës në qiellin e Talin në mbrëmjen e së mërkurës, Diego Simeone u bë trajneri më i suksesshëm i Atletiko Madrid, pasi asnjë nuk ka fituar më shumë se ai trofe dhe mbi të gjitha pjesa më e madhe e tyre janë ndërkombëtarë.

Por suksesi më i madh i trajnerit argjentinas është fitimi La Liga në sezonin 2013-2014, duke mposhtur hegjemoninë e Barcelonës dhe Real Madrid. Në çdo fund-sezon ka pasur aludime për largimin e Simeone nga Atletiko për t’u ulur në stolin e një skuadre që mund të plotësojë kërkesat e tij financiare dhe që të ndërtojë një ekip për të fituar tituj kampion dhe trofe të mëdhenj. Por argjentinasi nuk është larguar dhe kur i kanë ikur futbollistë të rëndësishëm, ai ka ditur t’i zëvendësojë duke marrë të tjerë lojtarë që bëjnë diferencën.

Me këtë trofe përballë skuadrës që ka fituar rresh tre herë Ligën e Kampionëve, Diego Simeone tregoi se me Atletikon e tij ai mund të shkojë larg edhe këtë sezon, pse jo të pretendojë për të fituar kampionatin, fundja cilësitë dhe mentaliteti nuk mungojnë.

Simeone, argjentinasi që duhet për kombëtaren

Diego Simeone ka pasur një karrierë të mirë si futbollist, duke shkëlqyer më së shumti në Serie A me Inter dhe Lacio, por edhe me ekipin e tij kombëtar ai ka bërë paraqitje shumë pozitive. Duke parë sukseset e tij në vitet e fundit, nuk kanë qenë të paktë njerëzit që i kanë kërkuar “il cholo” të marrë drejtimin e ekipit kombëtar argjentinas, që ka dështuar rresht disa herë edhe pse ka pasur në gjirin e saj lojtarin më të mirë në botë, Lionel Mesin.

Para kampionatit botëror të Rusisë, Simeone dukej shumë pranë marrjes së drejtimit të kombëtares, por diçka nuk shkoi siç duhet dhe në vendin e tij u ul Sampaoli, që rezultoi një dështim i vërtetë. Vetë “il cholo”, nuk e ka mohuar asnjëherë uljen në stolin e Argjentinës, por duke e shtyrë atë në kohë. Duke qenë se botërori i ardhshëm është disi larg, mund të jemi të qetë, pasi për të paktën 2 vite Simeonen do e kemi në Europë.

 

Më Shumë