Teknologji dhe Inovacion

Si videot virale në TikTok po ndihmojnë bizneset e vogla të kenë sukses

Ndonëse tregtia elektronike e ka ditur fuqinë e TikTok-ut prej kohësh, bizneset fizike vetëm tani kanë filluar ta kuptojnë rëndësinë e tij dhe ta shfrytëzojnë atë.

Edhe pse u prezantua thjesht si një aplikacion më së shumti për të rinjtë , TikTok-u është bërë një mjet i rëndësishëm i rrjeteve sociale për kompanitë që kërkojnë të tërheqin klientë të të gjitha moshave.

Gjithnjë e më shumë aplikacioni i përbërë nga videot me minutazh të shkurtër po ndihmon bizneset fizike të marrin hov.

Disa nga këta pronarë të bizneseve shpjegojnë se si arritën sukses në aplikacion dhe strategjitë e tyre që do të përdorin për ta ruajtur në vazhdimësi.

Nina Berenato filloi të bënte video në TikTok për mënyrën se si krijon bizhuteri me dorë në dyqanin e saj me pakicë, në lagjen Domain Northside të Austin (SHBA), për të bërë shitje në internet gjatë karantinës. Rreth 80% e shitjeve nëpërmjet tregtisë elektronike të kompanisë u arritën nga llogaria e saj në TikTok, çka ndihmoi në shmangien e falimentimit përgjatë pandemisë Covid-19.

Nina Berenato, gjatë procesit të krijimit të bizhuterive të saj

Një lëvizje e zgjuar që ndihmoi në suksesin e saj ishte kur ajo bëri një video në TikTok duke shpjeguar se si bizhuteritë e saj u paraqitën në filmin muzikor të Beyonce në korrik 2020, “Black Is King”, pasi një mik e kishte rekomanduar atë në ekipin e këngëtares si dikush që mund të punonte shpejt.

Ekipi i Beyonce e kontaktoi dhe i kërkoi 20 bizhuteri brenda 48 orëve. Berenato ia doli dhe videoja e saj në TikTok ku tregonte eksperincën e asaj dite, arriti 1.5 milionë shikime në 24 orë.

Duke vijuar me të njëjtin vrull, ajo poston shumë video të punonjësve të saj dhe pjesë specifike të bizhuterive tërheqëse, të cilat i nxisin njerëzit të shkojnë në dyqan për të parë sendet personalisht.

Në përgjithësi, Berenato vlerëson se TikTok sjell rreth 30% të shitjeve të saj online dhe fizikisht. Ajo përpiqet të postojë në platformë të paktën tre herë në javë. 

“Tani, të qenit krijuese e përmbajtjes së Tik-Tokut është gjysma e punës sime”, thotë Nina, megjithëse ka mësuar se duhet të shkëputet nga pëlqimet dhe komentet si matës të suksesit.

Wake-n-Bakery, në Lakeview në Çikago, shet ushqime dhe pije duke ofruar një formë kanabisi të njohur si Delta 8.

Dyqani Wake-n-Bakery

Pronarët, Brianna Banks dhe M. Lotfy, thonë se kompania filloi të postonte video në  TikTok në tetor me qëllim edukimin e njerëzve përsa i përket Delta 8, i cili është më pak i fuqishëm se Delta 9, ose kanabisi i rregullt.

Përballja e parë e Wake-n-Bakery me viralitetin në platformë ishte kur një punonjës filmoi ambientin dhe tregoi ushqimet e mbushura me kanabis. Videoja gjeneroi mijëra shikime dhe rradhë të gjata rreth bllokut të dyqanit.

Tani Banks thotë se shitjet mujore në dyqan janë rritur me 80% që nga koha kur nuk përdornin TikTok.

Ajo ia atribuon këtë sukses strategjisë së postimit të videove në mënyrë të vazhdueshme, kryesisht të bëra nga punonjësit, të cilat variojnë nga klipe qesharake deri tek klipet që japin informacione të thelluara.

Furra e bukës ka krijuar “Të martat e TikTok-ut” ku çdo javë fton Influencer në dyqan, të cilët marrin produkte falas për sa kohë që bëjnë video në TikTok ose postojnë në Instagram për dyqanin.

Wake-n-Bakery gjithashtu tërheq audiencë duke mbajtur "giveaway" në TikTok me produkte të bëra në partneritet me bizneset lokale, të tilla si restorantet e picave.

Banks dhe Lotfy thonë se përqendrimi te produktet Delta 8 dhe përdorimi i TikTok për t’i tregtuar ato ka ndihmuar në zhvendosjen e planeve të tyre të rritjes drejt zgjerimit masiv.

Ata ridizajnuan faqen e tyre të internetit, punësuan 25 punonjës të tjerë, duke punuar aktualisht me një staf prej 28 personash dhe planifikojnë të hapin dy pika të tjera shitje në 2021.

Për muaj me radhë, ata kanë punuar nga ora 7 e mëngjesit deri në 1 të mëngjesit për të përballuar kërkesën e rritur. 

“Bëni kujdes se çfarë dëshironi në jetë”, thotë Lotfy në formë shakaje.

Burimi: INC


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë