Një mjet i ri i inteligjencës artificiale mund të ndihmojë mjekët të vlerësojnë gjendjen shëndetësore të pacientëve përmes një fotografie të vetme të fytyrës, sipas studiuesve amerikanë.
I trajnuar me miliona fotografi të personave të shëndetshëm dhe rreth 35 mijë imazhe të pacientëve me kancer, sistemi mund të bëjë parashikime për mbijetesën duke analizuar tiparet e fytyrës, veçanërisht zonat përreth syve.
Megjithëse teknologjia është ende larg përdorimit në spitale, studiuesit shpresojnë që ajo të ndihmojë mjekët të zgjedhin trajtimet më të përshtatshme për pacientët.
Gjetjet paraprake janë publikuar në revistën The Lancet Digital Health.
Sytë zbulojnë më shumë
Mjeti i quajtur “FaceSurvival” sugjeron se zona poshtë syve dhe ajo rreth rrënjës së hundës përmbajnë të dhëna të rëndësishme për vlerësimin e jetëgjatësisë së pacientëve.
Sistemi u testua te persona me lloje dhe shkallë të ndryshme të kancerit, përfshirë pacientë tek të cilët sëmundja ishte përhapur në kocka ose në tru.
Shumica e pacientëve vinin nga Shtetet e Bashkuara dhe Holanda dhe ishin në të 50-at ose 60-at, por në studim përfshiheshin edhe fëmijë dhe persona mbi 90 vjeç.
Aktualisht, mjekët përdorin ekzaminime, analiza dhe vlerësime të hollësishme për të përcaktuar gjendjen e pacientëve dhe prognozën e tyre.
FaceSurvival, për të cilin është paraqitur një kërkesë për patentë, synon të ndihmojë në këtë proces, pa zëvendësuar rolin e mjekut.
Dr. Raymond Mak, nga Mass General Brigham në Boston, shpjegon se plakja e popullsisë po rrit nevojën për metoda më të mira për të vlerësuar gjendjen fizike të pacientëve përpara trajtimeve intensive, si kirurgjia, radioterapia apo terapitë sistemike.
Qëllimi, sipas tij, është që fotografitë e fytyrës të ofrojnë vlerësime më të matshme dhe të qëndrueshme, duke ndihmuar në marrjen e vendimeve për trajtime të personalizuara.
A mund të zbulojë fytyra moshën biologjike?
Studiuesit po vlerësojnë gjithashtu një mjet tjetër të inteligjencës artificiale, të quajtur “FaceAge”, i cili synon të përcaktojë moshën biologjike të një personi, pra sa i moshuar duket në krahasim me moshën e tij kronologjike.
Sistemi analizon tipare të ndryshme të fytyrës, përfshirë vijat rreth gojës, rrudhat në ballë, rrudhat në cepat e syve dhe ndryshimet në zonën e faqeve.
Disa zakone, si konsumimi i tepërt i alkoolit, përdorimi i drogave dhe duhanpirja, mund të përshpejtojnë procesin e plakjes.
Sipas Dr. Mak, FaceAge ka treguar rezultate të qëndrueshme në fotografi të zakonshme, pavarësisht ndryshimeve në ndriçim, pozicion, shprehje të fytyrës dhe grim.
Sistemi ka ruajtur qëndrueshmëri edhe pas shumicës së procedurave të kirurgjisë plastike të testuara, megjithëse pas rinoplastikës, ndërhyrjes në hundë, janë vërejtur ndryshime të vogla.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se nevojiten shumë më tepër fotografi dhe të dhëna, veçanërisht nga grupe të ndryshme etnike, për të vërtetuar saktësinë e këtyre mjeteve. Të dyja teknologjitë janë ende në faza të hershme zhvillimi.
Ekipi kërkimor po fton gjithashtu publikun të marrë pjesë në vlerësimin e moshës biologjike përmes ngarkimit të një fotografie të fytyrës.
Prof. Miroslaw Bober, ekspert në përpunimin e videove dhe mësimin e makinerive në Universitetin e Surrey-t në Mbretërinë e Bashkuar, e cilëson teknologjinë premtuese, por thotë se është ende herët për ta përdorur në praktikën klinike.
Sipas tij, sistemet duhet të testohen në spitale, te grupe të ndryshme pacientësh dhe të krahasohen me vlerësimet e mjekëve.
Ai paralajmëron gjithashtu se parashikimi i një rezultati nuk do të thotë domosdoshmërisht se inteligjenca artificiale mund të shpjegojë arsyet që qëndrojnë pas tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje