Teknologji dhe Inovacion

AI analizon ADN për të parashikuar rrezikun e goditjes në tru

Studiuesit kanë zhvilluar një model të inteligjencës artificiale që analizon ADN-në për të identifikuar faktorët gjenetikë që mund të rrisin rrezikun e goditjes në tru, një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në botë.

Ekipi i Universitetit të Teknologjisë në Sidnei (UTS) identifikoi variante specifike gjenetike që lidhen me një predispozitë më të lartë për goditje ishemike, formën më të zakonshme të kësaj gjendjeje, e cila ndodh kur një mpiksje gjaku bllokon furnizimin e trurit me gjak.

“Kur dikush pëson një goditje në tru, veçanërisht në moshë të re, shpesh lind pyetja nëse edhe anëtarët e tjerë të familjes janë në rrezik”, tha Kairui Guo, autori përgjegjës i studimit. Sipas tij, mjetet e reja të inteligjencës artificiale mund t’i ndihmojnë familjet të kuptojnë më mirë rrezikun gjenetik.

Studimet e mëparshme kanë sugjeruar se faktorët gjenetikë përbëjnë rreth 38% të rrezikut për goditje në tru. Guo theksoi se, megjithëse gjenetika nuk është konsideruar tradicionalisht një faktor kryesor në vlerësimin e këtij rreziku, studimi i ri nënvizon rëndësinë e saj.

Modeli i ri identifikon 18 variante gjenetike

Për të përmirësuar parashikimet, studiuesit krijuan një model të bazuar në teknologjinë e transformatorëve, e njëjta arkitekturë që përdoret nga modele të mëdha gjuhësore si ChatGPT.

Sistemi u trajnua me të dhëna gjenetike për të identifikuar lidhjet mes variacioneve të ADN-së dhe goditjes ishemike në tru.

Modeli identifikoi 18 variante gjenetike të lidhura me këtë gjendje, duke veçuar edhe gjene si EDEM2, aktiv në korteksin cerebral, dhe KANK2, i identifikuar në të dhënat e gjakut të plotë.

Studiuesit e testuan teknologjinë në dy grupe të mëdha të dhënash mjekësore, që përfshinin më shumë se 40 mijë individë.

Sistemi arriti t’i klasifikonte personat në grupe me rrezik gjenetik të ulët, të mesëm dhe të lartë. Gjatë periudhës së vëzhgimit, personat në grupin me rrezik të lartë kishin 21% më shumë gjasa të pësonin një goditje ishemike për herë të parë, krahasuar me ata në grupin me rrezik të ulët.

Si ndryshon nga metodat tradicionale?

Deri më tani, studiuesit kanë përdorur kryesisht rezultatet e rrezikut poligjenik (PRS), të cilat vlerësojnë predispozitën gjenetike për një sëmundje duke kombinuar ndikimin e shumë varianteve të ADN-së.

Megjithatë, kjo metodë ka kufizime, pasi nuk pasqyron plotësisht mënyrën se si variantet e ndryshme gjenetike ndërveprojnë me njëri-tjetrin dhe si pozicioni i tyre në sekuencën e ADN-së mund të ndikojë në rrezikun e përgjithshëm.

Modeli i ri synon të analizojë këto marrëdhënie më të ndërlikuara, duke hapur mundësi për vlerësime më të personalizuara dhe strategji parandaluese në të ardhmen.

Sipas Jie Lu, drejtor i Institutit Australian të Inteligjencës Artificiale, kjo teknologji mund të ndihmojë në zbulimin e lidhjeve mes gjeneve dhe sëmundjeve, si dhe në krijimin e vlerësimeve individuale të rrezikut.

Hapi tjetër, sipas tij, është zhvillimi i një sistemi multimodal të inteligjencës artificiale, i cili do të kombinojë të dhënat gjenetike me informacionin klinik, stilin e jetesës, skanimet dhe imazhet mjekësore.

Kjo qasje mund të përmirësojë vlerësimin e rrezikut duke përfshirë faktorë të tjerë të rëndësishëm, si mosha, presioni i lartë i gjakut, fibrilacioni atrial, diabeti i tipit 2 dhe kolesteroli.

Studiuesit theksojnë se gjenetika përbën vetëm një pjesë të rrezikut për goditje në tru. Kombinimi i saj me të dhënat shëndetësore dhe zakonet e jetesës mund të ndihmojë në identifikimin më të hershëm të personave në rrezik dhe në përmirësimin e masave parandaluese.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë