Dosje

Si u zbulua grupi i mashtruesve online, shqiptarët dhe alibia e “çiftit” nga Kameruni

Katër personat e arrestuar nën akuzën e mashtrimit online me shuma të mëdha parash dy ditë më parë, janë lënë në burg nga Gjykata e Tiranës.

Dy shqiptarë dhe dy shtetas nga Kameruni, kishin krijuar llogari fiktive biznesesh në Shqipëri, nga ku më pas ndërhynin përmes emailit në negociata me biznese të huaja, duke u shtirur si klientë të tyre dhe duke iu marrë para.

Xhentil Kupe 54 vjeç, banues në Tiranë, Fatbardh Danja, 40 vjeç, banues në Tiranë dhe Donad Anu alias Ugochukëu 34 vjeç, shtetas i Kamerunit, kanë mohuar që të kenë gisht në mashtrimin kibernetik prej 4 milionë eurosh, çështje për të cilën janë vënë në pranga.

Të pranishëm në sallën e gjyqit, ku iu komunikua dhe masa e sigurisë “arrest me burg”, të tre mohuan të kishin lidhje me këtë mashtrim, bashkë me 31-vjeçaren nga Kameruni, Marie Goufman e cila shpërtheu në lot.

Si u njohën

Në gjykatë, Fatbardh Danja, ka pretenduar se shtetasin nga Kameruni, ia kanë prezantuar si sipërmarrës dhe se ai ka bërë rolin e përkthyesit, dhe nuk ka qenë në dijeni të mashtrimit që është kryer.

Ai ka deklaruar se ka punuar për rreth një vit në këtë detyrë dhe pagesat i ka marrë rregullisht, një pagë mujore prej 300 mijë lekësh të vjetra pa përfshirë siguracionet.

Më pas biznesmeni afrikan, e ka angazhuar edhe me pjesën administrative të bizneseve të tij, duke e siguruar se ato ishin të ligjshme.

Biznesmeni i gurëve i akuzuar për vjedhjen e kishës

Ndërkohë, Xhentil Kupe i arrestuari tjetër, si i përfshirë në skemën e mashtrimit, është pronari i një subjekti që merret me blerjen dhe shitjen e gurëve të çmuar, arit, metaleve të rralla dhe të gjitha llojet e mineraleve.

Në dosjen e prokurorisë, thuhet se në vitin 2010, ai ka qenë i arrestuar si i dyshuar për vjedhjes e Kishës së Shën Mërisë në Voskopojë, ku ishin vjedhur disa mbajtëse llampadarësh dhe një pjesë e ikonostatit.

Në datë 15 prill të këtij viti, ai ka bërë një tërheqje parash në bankë, të një shume prej 41 mijë eurosh. 10 ditë më vonë, me anë të një prokure, ka deklaruar si përfaqësues ligjor kamerunasin e arrestuar bashkë me të nga policia në lidhje me skemën e mashtrimit, Emmanuel Emereibenu.

Denoncimi i biznesmenit zbuloi grupin

E-maili i mbërritur nga një biznesmen i huaj në bankën e nivelit të dytë se dikush ka tentuar të vjedhë nga llogaria e tij, ka vënë në lëvizje agjencitë e zbatimit të ligjit që kanë zbuluar mashtrimin kompjuterik me vlera të mëdha të grupit që ndërhynte në e-mailet mes qytetarëve, në marrëdhënien klient-biznes.

Grupi i mashtruesve ndërhynte në email në momentin që do bëhej pagesa, duke ndërruar të dhënat e llogarive. Në dërgesat e tërhequra rezultojnë shuma të ndryshme nga 300 mijë euro deri në 15 mijë euro, që Donald Fonken dhe dy shqiptarët kanë tërhequr nga bankat e nivelit të dytë.

Si pjesë e mashtrimit nëpër banka ata deklaronin se kishin aktivitet tregtimin e arit, gurëve të çmuar dhe metaleve të rralla nga minierat.

Alibia mes “çiftit” nga Kameruni

Në Gjykatë, 31-vjeçarja nga Kameruni, Marie Goufan, 31 vjeçe, ka deklaruar se ndodhej në Tiranë, pasi kishte njohje me djalin tjetër nga Kameruni, Donad Anu dhe se kishte ardhur për të nisur një jetesë të re më të këtu në Tiranë.

Mes lotëve, ajo ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për veprimtarinë e jashtëligjshme, ndërsa ka pranuar se ka shkuar vetëm njëherë në bankë me Xhentil Kupen.

Nga ana tjetër, 34-vjeçari nga Kameruni, i cili kishte mbaruar studimet per teologji, ka thënë se ishte i martuar dhe me dy fëmijë dhe se ai ishte në Tiranë për turizëm, duke krijuar përplasje në deklaratat e bashkëkombëses së saj.

“Erdha të nisja një jetë të re me Donald Anu. Jemi të dashur”, - tregon ajo. “Kam ardhur për turizëm në Tiranë,”- mohoi i riu.

Një alibi ndryshe, e kthyer në kontradiktë mes “çiftit” afrikan, që duhet të zbulohet nga hetuesit që kanë marrë dosjen dhe provat paraprake në dorë.

Në dosjen e prokurorisë, thuhet po ashtu se shtetasit shqiptarë dhe të huaj, kanë pasur takime të vazhdueshme mes tyre, ku duket se janë thurur dhe planet e mashtrimit.

Për mashtrimin me vlerë që përllogaritet rreth 4 milionë euro, janë shpallur në kërkim dhe 4 persoma të tjerë, mes të cilëve tre të huaj, për të cilët policia ka kërkuar ndihmë nga Interpol, për të bërë të mundur arrestimin e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë