Ka ndodhur

Zbulohet një skemë mashtrimi miliona euro me pagesat online me anë të postës elektronike

Katër persona të dyshuar si të përfshirë në një skemë mashtrimi me vlera të mëdha që kapin shifrën e 4 mln euro, janë arrestuar nga policia.

Bëhet fjalë për dy shtetas shqiptarë dhe dy të huaj. Ndërkohë që janë shpallur në kërkim 8 persona dhe është proceduar një tjetër në gjendje të lirë.

Sipas policisë, ky grup, krijonte biznese fiktive dhe mashtronte qytetarët nëpërmjet pagesave online, duke i zhvatur paratë nga llogaritë bankare përmes postës elektronike.

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, ka bërë me dije në një konferencë për mediat se në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Policinë e Tiranës, kanë mbyllur një hetim të nisur që në vitin 2020.

“Mashtrimi me vlera të mëdha problem që po cënon më së shumti shoqërinë shqiptare, si veprimtari kriminale duke hyrë deri në tjetërsim, manipulim e ndryshim të të dhënave kompjuterike, te llogarive bankare. Nga hetimi ka rezultuar dhe një problem tjetër, persona të huaj qarkullojnë në Shqipëri me dokumente false e qëndrojnë këtu me kohë të gjatë”, ka thënë ajo.

Në pranga, kanë rënë shtetasit: 

1.Donald Anu, 34 vjeç, shtetas i Kamerunit,  alias Ugochukwu Emmanuel Emereibenu 39 vjeç, shtetas i Nigerisë;

2.Marie Goufan, 31 vjeçe, shtetase nga Kameruni, banuese në Tiranë;

3.Fatbardh Danja, 40 vjeç, banues në Tiranë;

4.Xhentil Kupe, 54 vjeç, banues në Tiranë.

Si funksiononte skema

Së bashku me shtetas të tjerë jashtë territorit shqiptar, të ndaluarit kanë kontrolluar komunikimet e postës elektronike midis klientëve dhe subjekteve tregtare.

Pasi kanë ndërhyrë në sistemin kompjuterik ata kanë qëndruar të “fjetur” derisa kanë parë kërkesa specifike në lidhje me fonde ose pagesa të ndryshme.

Në këtë moment, këta shtetas kanë bërë lëvizjet e tyre. Ata kanë kontaktuar klientin, duke marrë rolin e subjektit pritës të fondeve, duke i informuar ata se detajet bankare të kompanisë kanë ndryshuar dhe duke kërkuar që ata të transferojnë fondet në llogarinë e re.

Ata, duke qenë në brendësi të komunikimeve kanë qenë në gjendje të prodhojnë një mesazh të postës elektronike me pamje të njëjtë me të vërtetin.

Që kjo skemë të funksiononte, këta shtetas kishin hapur subjekte tregtare fiktive dhe në shumë raste me dokumente të falsifikuara të krijuara nëpërmjet pajisjeve elektronike, por dhe llogari bankare me dokumente të falsifikuara si administratorë subjektesh.

Pasi vlerat monetare transferoheshin në llogaritë që këta shtetas kishin çelur ato tërhiqeshin dhe dërgoheshin në shtete të tjera.

Kompanitë dhe subjektet fiktive

Subjektet që janë verifikuar deri më tani si subjekte tregtare fiktive dhe të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe që më pas në emër të tyre janë hapur numra llogarish bankare janë:

1.CONNECTA INTERCONTINENTAL SHPK

2.WORLDWIDE GO LTD

3.WORLDWIDE TRADING LIMITED

4.AFRICAN-ALBANIAN COMERCE

5.KWOK TANG SHPK,

6.KRACO LIMITED SHPK

7.MICHAEL ODYLON LAGMON ROMERO SHPK

8.PILATUS AIRCRAFT LTD SHPK

9.TANG KWOK YUE SHPK

10.LEKLIFARM GLOBAL sh.p.k

11.MAIBOM GBMH

12.HORTIFEEDS

13.TEST FUCHS GBMH

14.GS ECOMETAL CO LTD

15.ECI PHARMACEUTICALS LLC

16.AGNES KATBETH KREIMER

17.XHENTIL KUPE

Shtetet e përfshira në mashtrim

Deri tani janë evidentuar subjekte që kanë rënë pre e këtij mashtrimi nga vende të ndryshme të botës dhe më saktësisht nga:

1.SHBA

2.GJERMANI

3.ANGLI

4.TURQI

5.BELGJIKË

6.ZVICËR

7.FINLANDË

8.LITUANI

9.FILIPINE

Po ashtu janë evidentuar llogaritë bankare të hapura në bankat e nivelit të dytë dhe në bashkëpunim të ngushtë me këto banka janë mbajtur në kontroll transaksionet e kryera nga këta shtetas nëpërmjet kompanive fiktive të krijuara prej tyre, me qëllim dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal. Vlerat monetare të evidentuara dhe të dyshuara si të ridrejtuara si pasojë e kësaj skeme kriminale janë rikthyer tek subjektet që i kanë dërguar ato duke minimizuar dëmin dhe viktimat e mundshme.

Deri më tani dyshohet se këta shtetas kanë ushtruar aktivitetin e tyre kriminal për një periudhë të gjatë kohore prej rreth 2 vjetësh dhe së bashku me shtetas të paidentifikuar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë mund të kenë kryer mashtrime të pagesës nëpërmjet postës elektronike në një shumë prej rreth 4.000.000 eurosh.

Çfarë sekuestroi policia

1.Një automjet i markës Huyndai

2.Tre pajisje kompjuterike laptop

3.Njëmbëdhjetë telefona celularë

4.Njëzet karta SIM

5.Dy pajisje kompjuterike tablet

6.Tre vula subjektesh

7.Tetë karta krediti/debiti

8.Nëntë karta memorie

9.Pajisje të tjera elektronike ndihmëse etj.

10. Dokumente të ndryshme si vërtetime bankare, fatura bankare, fotokopje pasaportash shtetasish shqiptarë e të huaj, ftesa për leje qëndrimi, kontrata të ndryshme noteriale, prokura përfaqësimi etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë