Rend dhe Ligj

Si u shua Gjykata Kushtetuese?

Në korrik të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese, megjithëse duhej të kishte nëntë anëtarë, në përbërje të saj kishte vetëm shtatë. Dy prej anëtarëve të tjerë u kishte përfunduar mandati dhe reforma në drejtësi e konflikti politik e kishin lënë pas dore zëvendësimin e tyre.

Në gusht të 2017, disa muaj para se të niste procesi i vettingut, gjyqtari Vladimir Kristo u dorëhoq. I zgjedhur si anëtar i Gjykatës Kushtetuese që në 2007, atij i kishte përfunduar mandati 9-vjeçar që në 2016, por kishte mbajtur detyrën për të mos futur këtë institucion në kolaps. Kristo bënte pjesë në listën e punonjësve të drejtësisë që nuk kishte dorëzuar formularin e vetëdeklarimit të pasurisë me arsyetimin se kishte mbushur moshën e pensionit.

Përfaqësues i Unionit të Gjyqtarëve duke dalë nga Gjykata Kushtetuese, tetor 2017

Dorëheqja e Kristos la me gjashtë anëtarë Gjykatën Kushtetuese, në momentin kur në këtë institucion, Unioni i Gjyqtarëve kishte dorëzuar disa ankimime. Mes ankimimeve të dorëzuara në fund të muajit maj të 2017, kur vendi ndodhej në fushatë elektorale, ishte edhe ai për Vettingun, konkretisht pikën për verifikimin e lidhjeve të gjyqtarëve, apo prokurorëve “me persona të dyshuar për lidhje me krimin e organizuar sipas informacioneve konfidenciale dhe pa një vendim të formës së prerë”. Unioni këmbëngulte në atë kohë se ky përkufizim mund të çonte në vendime abuzive.

Vjeshta nisi me ethet e vettingut edhe më të forta. Në fund të muajit tetor, e mbledhur me gjashtë anëtarë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve. Ndërkohë, prej disa muajsh institucionet ndihmëse, si Inspektoriati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurisë, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Shkolla e Magjistraturës kishin nisur të dorëzonin tek trupat e vettingut dosjet e tyre për mbi 700 prokurorë e gjyqtarë.

Rivlerësimi niste pikërisht me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese në pararojë. Kryetari i kësaj Gjykate, Bashkim Dedja e dinte situatën e vështirë në të cilën ndodhej institucioni i tij dhe në dhjetor lëshonte alarmin. Deklaronte për mediat se Kushtetuesja po shkonte drejt kolapsit dhe kjo mund ta penalizonte Shqipërinë në Gjykatën e Strasburgut. Si zgjidhje propozonte që anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese të emëroheshin fillimisht dhe më pas t’i nënshtroheshin Vettingut. Thirrja e tij ra në vesh të shurdhër, ndërsa në Kushtetuese situata u bë akoma më kritike, kur në fund të janarit të këtij viti, Besnik Imeraj jepte dorëheqjen.

Procesi i vettingut nisi në muajt e parë të këtij viti. Në mars të këtij viti në sitën e rivlerësimit profesional, integritetit dhe pasurisë kaloi anëtari i parë i Gjykatës Kushtetuese. Emri i tij ishte Fatos Lulo. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në gjetjet e tij tha se Lulo nuk justifikonte pasurinë, konkretisht shuma deri në 200 mijë dollarë.

Përmes avokatit të tij, Ardian Visha, gjyqtari Lulo deklaroi se do ta apelojë vendimin tek Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i cili do të mblidhet në Dhomë Këshillimi më 17 korrik për këtë çështje.

Gjyqtari Fatos Lulo, i shkarkuar nga KPK

Në kohën që Lulo i drejtohej KPA-së, në KPK kalonte në sitë Vitore Tusha. Pasi shqyrtoi pasurinë, integritetin dhe aftësinë profesionale, Tusha u bë gjyqtarja e parë e Kushtetueses që kalon me sukses vettingun.

Por, më pas u shkarkuan Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxhaj, deri tek i fundit që KPK e gjeti me shkelje këtë të hënë, Gani Dizdari. I vetmi që kaloi ishte Bashkim Dedja, që bashkë me Vitore Tushën janë dy anëtarët e sigurtë të Gjykatës Kushtetuese, në pritje të vendimeve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për shqyrtimin e dosjeve të dorëzuara nga Fatos Lulo dhe Fatmir Hoxha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë