Dy dekada pasi Zinedine Zidane ngriti trofeun e Kupës së Botës, për herë të parë për Francën vjen një rrëfim i pazakontë e i sinqertë që konfirmon zërat që qarkulluan në atë kohë për trukiminin e shortit të botërorit.
Konfirmimi vjen nga as më pak e as më shumë, por vetë Michel Platini, që në atë periudhë ishte pjesë e Komitetit Organizator të Botërorit.
“Të gjithë njerëzit donin një finale mes Francës dhe Brazilit, ndaj ne bëmë një hile të vogël. Ishte një truk i vogël për të mundësuar që të dy skuadrat të takoheshin vetëm në finale në Saint-Denis dhe jo më herët”, rrëfen ish-zv.Presidenti i UEFA-s.
Në atë kohë, “qëndisja” e shortit vendosi Brazilin, që vinte si kampion bote në fuqi, në Grupin A, ndërkohë Franca si vend organizator u vendos në Grupin C.
![](https://online1.gazetasi.al/wp-content/uploads/2018/05/platiniok.jpg)
“Nëse ne e mbyllnim grupin në vend të parë dhe Brazili gjithashtu, atëherë nuk do të mund të ndesheshim përveçse në finale. Mendoni se të tjerët nuk e bëjnë këtë në Botërorët e tyre?”, shton Platini.
Ashtu siç ishte parashikuar, ashtu ndodhi! Brazili u rendit i pari në grupin e vet me 6 pikë, duke lënë pas Norvegjinë të kualifikuar si e dytë me pesë. Franca nga ana tjetër fitoi grupin e saj me pikë të plota, 9 të tilla dhe si vend i dytë u kualifikua Danimarka me 4 pikë.
Por, skenari kishte përgatitur rrugën sesi duhej të ndodhnin gjërat, por për “Gjelat” kjo rrugë drejt finales nuk ishte e shtruar me “tapet të kuq”. Franca u përball me Paraguajin në raundin e të 16-ave dhe amerikano-jugorët për pak desh e hodhën në erë gjithë trukimin e Platini & Co. U desh koha shtesë që vendasit të kalonin me anë të një goli të shënuar nga Laurent Blanc në momentet e fundit.
Thuajse i njëjti skenar ndodhi edhe në çerekfinale, ku këtë herë Franca eleminoi pas 11-metërshave Italinë, ndërsa gjysmëfinalen me Kroacinë “Gjelat” e mbyllën brenda 90-minutëshit duke fituar 2-1.
Ndërkohë, Brazili nga ana tjetër kaloi Kilin (4-1), Danimarkën (3-2) dhe Holandën në gjysmëfinale pas 11-metërshave. Finalja e madhe e luajtur në 12 korrik në Saint-Denis sipas skenarit të Platinisë dhe organizatorëve të tjerë, u fitua nga “Gjelat” me rezultatin 3-0.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.