Keshilla

Si t’u përgjigjeni pyetjeve të pamenduara dhe ofenduese?

Është mjaft e vështirë të gjesh fjalët e duhura kur gjendesh përballë një situate që nuk e ke menduar dhe nuk di çfarë të thuash. Është akoma më e vështirë për ato që “presin” fjalë që personi përballë nxjerr nga goja vetëm sepse nuk e di çfarë të thotë.

Jamie Aten është një pedagog psikologjie në Kolegjin e Wheaton, Illinois SHBA, i cili thotë se përballja me komentet e papërshtatshme ka qenë e vështirë edhe për të që e studion këtë temë e jo më për njerëzit që nuk dinë si të kalojnë momente të tilla në momentin që gjenden përballë një situate jo të këndshme.

“Pasi u diagnostikova me kancer e gjeta veten duke u përballur me një mori komentesh nga më të ndryshmet ku pjesa më e madhe ishin të pavend.” thotë  Aten.

Ai tregon se i është dashur një punë e madhe me veten për të shpëtuar nga këto komente dhe të mos i lejonte ato të ndikonin në gjendjen e tij psikologjike.

 Ai gjithashtu ka thënë se ka takuar shumë njerëz që vuanin nga e njëjta sëmundje si ai dhe se të gjithë janë përballur herë pas here me komente dhe pyetje të papërshtatshme.

Për këtë, Aten ka treguar disa strategji se si mund të përgjigjeni ku të tjerët thonë diçka të papërshtatshme apo dhe të pandjeshme.

Vendosni kufij me të tjerët. Kjo nuk do të thotë të mos i lejoni ato të flasin. Kufijtë vlejnë në momentin që personi në fjalë thotë diçka që nuk duhet. Në këtë moment ju duhet të jeni të vetëdijshëm se nuk keni pse prekeni apo pse i lejoni këto komente të ndikojnë në gjendjen tuaj emocionale.

Gjithashtu duhet të dini se nuk është përgjegjësia juaj të rregulloni situatën në momentin që dikush thotë diçka që nuk duhet thjesht sepse nuk di se çfarë të thotë.

Mundohuni të kuptoni personin përballë dhe kontekstin që ai flet. Në momentin që personi flet diçka që nuk duhet, mund të jetë sepse thjesht po bën shaka apo dhe sepse nuk e di çfarë të thotë. Në të dyja rastet keni të drejtë të prekeni nëse ndodh kjo por është e rëndësishme të dini se ka njerëz që nuk e mendojnë atë që thotë dhe kjo nuk ka pse ndikon tek ju.

Bëni humor për të kaluar situatën. Ndonjëherë thonë se "e qeshura është ilaçi më i mirë". Kjo është e vërtetë pasi sipas Aten, të bësh shaka në një situatë ku e gjen veten ngushtë është një nga mënyrat më të mira që ajo situatë të mos ndikojë në gjendjen tuaj psikologjike. Ashtu siç e kalon në moment me të qeshur, ashtu do ti shmangë dhe vetëdija juaj ato komente.

Injorimi i asaj që thonë të tjerët mund të jetë gjithashtu një përgjigje e shëndetshme ndonjëherë. Jo të gjitha fjalët kanë të njëjtin ndikim dhe ndikimi i fjalëve që njerëzit na thonë shpesh varet nga shumë faktorë. Disa fjalë lehtë mund të injorohen. Mund të ketë edhe raste kur mund të jetë më e dobishme për mirëqenien tuaj që thjesht të ndryshoni temën. Mund të përgjigjeni në momentin që e ndjeni ta bëni por e mira është që shumë herë thjesht ta lini ta injoroni atë që u tha dhe do të jeni në rregull me veten.

Korrigjo atë që ka thënë personi tjetër dhe bëj të ditura nevojat e tua. T’u tregosh të tjerëve se ajo që ato thanë ju lëndon është një mënyrë tjetër për të trajtuar situata të ndryshme. Kjo mund të jetë pak e vështirë në fillim por është një mënyrë për të edukuar personin përballë dhe për ti treguar se ajo që tha ju lëndon dhe duhet të tregojë kujdes herën tjetër.

“Këto këshilla më kanë ndihmuar mua dhe shpresoj të ndihmojnë dhe të tjerët.” thotë Aten.

Ai thotë se kurrë nuk ka një mënyrë perfekte si mund t’ju përgjigjesh komenteve dhe pyetjeve që nuk duhet të thuhen por këto mund të jenë disa mënyra që ndihmojnë deri diku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë