Keshilla

Si të refuzoni ftesat pa mërzitur të tjerët

Kur çifti Karaçi, Zawar dhe Manahyl, filluan të dërgonin ftesa për dasmën e tyre në tetor, ata ishin të bindur se nuk kishin harruar asgjë. Ata krijuan grupe në WhatsApp për të organizuar festa para dasmës dhe u dërguan ftesa tradicionale anëtarëve të familjes për të nderuar traditën.

Duke pritur me gëzim përgjigje entuziaste, ata u dëshpëruan dhe u mërzitën kur filluan të vinin justifikime nga disa prej mysafirëve.

“Ai u bë një moment përcaktues dhe na bëri të rivlerësojmë marrëdhënien tonë me njerëzit që i donim... njerëzit që mendonim se na donin gjithashtu”, thanë ata.

Të gjithë e kemi ndjerë atë trishtim kur dikush refuzon ftesën tonë. Kur ftojmë dikë në një angazhim social, ne po i kërkojmë të bëjnë më shumë sesa thjesht të marrin pjesë në një takim, në një kohë të caktuar. Ne po i ftojmë ata të jenë pjesë e jetës sonë. Ne madje, pavetëdije mund të krijojmë ndodhitë dhe çdo gjë që mund të ndodhë duke qenë pjesë edhe personi në fjalë.

Kjo do të thotë që edhe nëse personi tjetër ka një arsye të besueshme për të refuzuar ftesën tonë, ne mund të ndihemi të shpërfillur.

Hulumtimi i ri e lidh këtë reagim me perceptimet tona për zgjedhjen dhe kontrollin. Nëse besojmë se ftesa jonë është refuzuar për shkak të faktorëve të jashtëm (pra nuk ka qenë zgjedhja e personit për të refuzuar ftesën), ne e marrim atë më pak personale dhe e pranojmë atë refuzim. Kuptimi i dallimeve midis llojeve të refuzimeve është i rëndësishëm për të na ndihmuar të moderojmë përgjigjen tonë si ftues dhe madje mund të na ‘mundësojë’ që t'i refuzojmë me kujdes ftesat që na bëjnë edhe ne.

"Njerëzit e urrejnë refuzimin e ftesave të tyre sepse është një formë refuzimi shoqëror nga ata për të cilët interesohen më shumë”, shpjegojnë Jay Van Bavel dhe Dominic Packer psikologë të cilët së fundmi kanë botuar një libër për identitetet e përbashkëta shoqërore.

Të ndihesh keq për shkak të një ftese të refuzuar mund të jetë gjithashtu një përgjigje evolucionare, shpjegojnë ata.

“Pothuajse e gjithë historia jonë përfshin jetesën në grupe të vogla dhe përjashtimi... nënkuptonte gati vdekjen e sigurt. Truri ynë është i përshtatur në mënyrë unike me shenjat e përfshirjes dhe përjashtimit. Kur dikush na refuzon, ai dërgon një sinjal të thellë dhe të fuqishëm se vendi ynë në grup mund të mos jetë aq i sigurt sa kishim shpresuar. Njerëzit kanë një reagim të madh ndaj këtij lloj kërcënimi”, tha Packer.

Megjithatë, hulumtimet e reja tregojnë se lloji i arsyes që citojnë të ftuarit kur refuzojnë një ftesë luan një rol të madh në mënyrën se si ftuesi e percepton përgjigjen. Hulumtimi i publikuar nga Journal of Consumer Psychology tregon se citimi i mungesës financiare është një mënyrë më e mirë për të refuzuar një ftesë sesa mungesa e kohës. Me fjalë të tjera, refuzimi i një ftese duke thënë: "Nuk kam para" interpretohet më mirë nga ftuesi sesa ftuesi duke thënë: "Nuk kam kohë".

Një nga studimet u përqendrua veçanërisht në 132 çifte që planifikonin dasmat e tyre. Çifteve iu kërkua të tregonin se si i perceptonin refuzimet e ftesave (të cilat bazoheshin ose në justifikime të lidhura me kohën ose paratë) dhe të përdornin një shkallë prej shtatë pikësh për të treguar se sa ata e konsideronin justifikimin si të pranueshëm dhe sa i besueshëm ishte.

Çiftet u pyetën se sa të afërt ndiheshin me mysafirët e tyre, si para dhe pas marrjes së arsyeve për refuzimin e ftesës së tyre.

“Dallimi ishte i theksuar”, thotë Grant E Donnelly, profesor i marketingut në Universitetin Shtetëror të Ohajos, SHBA dhe një nga autorët e hulumtimit: ndikimi negativ i refuzimit duke përdorur kohën si justifikim ishte rreth dy herë më i fortë se refuzimi duke përdorur si justifikim paratë.

"Ftesat janë thjesht tepër intime. Me anë të një ftese njeriu tregon edhe dëshirën për të qëndruar me një person dhe refuzimi i saj trego se nga ana tjetër, personi nuk do të qëndrojë dhe nuk i kushton vëmendje”.

Kjo për shkak se ne i shohim paratë si diçka mbi të cilën ushtrojmë një shkallë të kufizuar kontrolli, me faktorë të jashtëm që ndikojnë ndërsa koha është diçka që na jepet të gjithëve njësoj dhe pastaj zgjedhim vetë si ta kalojmë.

Në një kontekst më të gjerë, Donnelly dhe bashkautorët e tjerë gjithashtu kryen analizat e të dhënave në Twitter në 2649 postime.

Ata zbuluan se përdoruesit e Twitter-it kishin dy herë më shumë gjasa të bënin like tek një postim që shkruhej “nuk kam para për të blerë diçka” sesa tek një postim ku thuhej “kam një punë për të bërë por nuk kam kohë”. Kjo mund të jetë sepse shpesh herë, të thuash se nuk ke kohë është mburrje modeste.

"Një mënyrë e sigurt për të prishur marrëdhëniet është të thuash që nuk ke kohë. Në përgjithësi, njerëzit kanë këtë besim të rremë se ju i jepni përparësi gjërave që vlerësoni. Pra, është pothuajse një fyerje personale për ju që nuk i vlerësoni ato", thotë Donnelly.

"Njerëzit ndoshta i gjejnë refuzimet që fajësojnë problemet me paratë, nevojat për kujdesin e fëmijëve ose rrethana të tjera të pafavorshme më pak të dëmshme, sepse duket se vendimi është jashtë kontrollit të tyre", shtojnë Bavel dhe Packer, që do të thotë se "nuk është aspak refuzim, thjesht një pamundësi reale për të qenë pjesë”.

Pra, mund të duket sikur kemi zgjidhur problemin se si të refuzojmë një ftesë pa fyer njeri. Në të vërtetë, përmendja e mungesës së parave si arsye për refuzimin e një ftese vjen me një përfitim tjetër; ai gjithashtu mbron marrëdhëniet sepse është një e dhënë që i lidh më shumë personat pasi jo çdo njeri e pranon para të tjerëve se nuk ka para.

Megjithatë, Donnelly thotë se përmendja e mungesës së parave nuk është i vetmi justifikim.  

"Të thuash që nuk ke energji funksionon gjithashtu, sepse është diçka që nuk e kemi ne në dorë. Kohët e fundit është një justifikim i mirë edhe refuzimi për shkak të Covid-19.

Çfarëdo që të zgjidhni, Donnelly rekomandon ofrimin e provave të hollësishme për të forcuar besueshmërinë e justifikimit, kryesisht duke theksuar se si është diçka që nuk e kemi ne në dorë.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë