Keshilla

Si të përballoni temperaturat e larta nëse ndodheni në shtëpi

Temperaturat e larta të këtyre ditëve kanë bërë që shumë njerëz të zgjedhin bregdetin për të përballuar orët e nxehta të ditës, por ka edhe nga ata që qëndrojnë në shtëpi, për këta të fundit të kalosh ditët kur termometri shënon vlera maksimale, në ambientet e shtëpisë është një sfidë më vete. Megjithatë ekzistojnë disa mënyra se si mund ta mbani shtëpinë tuaj të freskët, pa pasur një kondicioner.

Së pari duhet të këni parasysh që dritarët duhet të jenë të mbyllura gjatë orëve të pikut. Shtëpinë mund ta ajrosni në mëngjes dhe në darkë, ndërsa në drekë dyert dhe dritaret mbajini mbyllur, pasi e gjithë vapa depërton brenda në shtëpi në rast se këto të fundit janë hapur. Ajri që qarkullon dhe futet në shtëpi gjatë mëngjesit dhe darkës është i freskët dhe këtë ajër të freskët, kur është futur brenda, ju mund ta izoloni duke i mbyllur dyert dhe dritaret kur dielli fillon të depërtojë përmes tyre.

Gjithashtu mos ndizni pajisjet elektrike. Ndoshta ju nuk e dini, por pajisjet si TV dhe ekranet kompjuterike përcjellin shumë nxehtësi, dhe do ishte mirë që të paktën në drekë t’i fiknit ato. Duket e habitshme sepse nxehtësinë që lëshon secila pajisje e konsiderojmë të pallogaritshme. Por problemi qëndron në faktin se nuk është vetëm një pajisje që qëndron e ndezur por disa dhe nxehtësia që ato lëshojnë është e konsiderueshme në temperaturat e stinës së verës.

Përdorni tenda-Nëse ju keni një ballkon, tenda është e domosdoshme. Mbajtja e saj hapur, sidomos në periudhën e drekës, do t’ju mbrojë nga dielli, duke krijuar jo vetëm hije por edhe duke ndaluar depërtimin e rrezeve të diellit brenda në shtëpi. Gjithashtu kujdesuni që kjo tendë të ketë një ngjyrë të çelur pasi ngjyrat e errëta thithin rrezet e diellit pa i pasqyruar më pas dhe kështu krijojnë nxehtësi në ambientet tuaja.

Qëndroni larg kuzhinës.-Ju e dini që duhet të përpiqeni ta përdorni sa më pak sobën në kohën e drekës. Nëse nxehtësinë e pajisjeve elektronike harrojmë ta marrim në konsideratë, nxehtësinë e sobës së gatimit gjithkush nuk e duron dot në stinën e verës. Ndaj për të shmangur gatimet e shpeshta, përpiquni që të hani ushqime të ftohta, pasi soba çliron shumë nxehtësi, që përcillet në të gjithë shtëpinë tuaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë