Futboll

Si të mos shpenzosh paratë e varfërisë

Ekziston një vend i varfër afrikan, i cili çdo vit tërheq miliona paundë në formë ndihme humanitare nga Britania e Madhe, por që nuk e pengon që një pjesë të kësaj ndihme ta rikthejë sërish në Londër, por me një destinacion të pazakontë.

Ruanda do të derdhë 30 milionë paundë në arkat e Arsenalit, skuadra e zemrës e diktatorit despot, Paul Kagame.

Shuma në fjalë është justifikuar me argumentin se Arsenali do të promovojë turizmin vendas përmes fanelave të tij, por futja e një klauzole, që i siguron Paul Kagames dhe gjithë familjarëve të tij një vend të përhershëm në Emirates Stadium zbulon qëllimin e vërtetë të kësaj ujdie.

Ironia më e madhe është që paratë janë që të gjitha ndihma nga Britania e Madhe, pjesë e një programi 62 mln paundësh për vendin afrikan që të zhvillojë infrastrukturën dhe forcojë institucionet shtetërore.

Bërja publike e kësaj kontrate ka shkaktuar debat në Angli. Kritikët e programit vjetor prej 13 miliardë paundësh për ndihma dhe kredi të buta për vendet e varfëra e marrin Ruandën dhe presidentin e saj, Paul Kagame si shembullin perfekt sesi abuzohet me paratë e taksapaguesve britanikë.

Ruanda është një prej vendeve më të varfra në botë. Pjesa më e madhe e popullsisë jeton me më pak se 1 dollarë në ditë, mungesa e energjisë elektrike është kronike thuajse në të gjithë vendin dhe ka mangësi të mëdha në spitale, shkolla dhe infrastrukturën rrugore.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë