Keshilla

Si të mbroni lëkurën e fëmijës nga dielli

Ndërsa termometri ka shënuar temperatura mjaft të larta gjatë këtyre ditëve, specialistët dhe dermatologët kanë dhënë këshilla për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve nga vapa.
Shijojeni kohën tuaj të lirë duke marrë rreze dielli, por pa u dëmtuar. Dermatologët thonë që varet vetëm nga ne, nëse dielli është një mik i mirë apo një armik i pamëshirshëm: duhet të mësojmë të mbrohemi mirë. Dhe sidomos ta ruajmë sa më mirë lëkurën e butë e delikate të fëmijëve. Ajo ka nevojë për një mbrojtje shumë të lartë, që të shmangë eritemat dhe djegiet dhe të stimulojë mbrojtjen e tij natyrale, nxirjen.

Fëmijët duhet t’i mbajmë larg nga dielli në ato orë që është piku i tij, domethënë nga ora 12 deri në 16. Dhe gjatë pjesës tjetër të ditës duhet t’i mbrojmë me kremra filtrues, që duhet të përhapen në mëngjes përpara se të shkoni në plazh, duke e përsëritur këtë gjë çdo dy orë, edhe nëse fëmija lahet në det edhe nëse vetëm luan në rërë. Sa e përket kremrave mbrojtës, një ditë ose disa orë para, provojeni si do të reagojë kremi në lëkurën e fëmijës suaj duke e vendosur atë vetëm në një sipërfaqe të lëkurës, me këtë rast do të mund të vëreni nëse shfaqet ndonjë reaksion alergjik ose reaksion tjetër i ngjashëm.
Procedura e vendosjes së kremit duhet përsëritur dhe para hyrjes në ujë edhe pas daljes nga uji.

Duhet pasur kujdes në mbrojtjen e pjesëve të ndjeshme (fytyra, hunda, buzët). Sytë e fëmijës janë shumë të ndjeshëm në diell, prandaj ato duhet të mbrohen me syze të cilat mbrojnë nga rrezet e diellit. Gjatë qëndrimit në diell fëmija duhet konsumojë ushqime të stinës të pasura me vitamina dhe shumë lëngje, pasi që dielli shumë shpejt mund ta thajë lëkurën dhe ta dehidrojë organizmin. Foshnjat duhet të jenë të veshura me rroba të holla dhe të mbajnë kapelë, ndërsa nuk duhet të qëndrojnë jashtë në kohën kur intensiteti i rrezatimit është shumë i madh.

Përveç lëkurës duhet të mbroni edhe kokën dhe sytë e fëmijëve. Pra kapela dhe syzet e diellit janë të domosdoshme, së bashku me një bluzë të bardhë për ta mbuluar kur e zë gjumi poshtë çadrës. Përsa i përket diellit, lëkura e fëmijëve duhet mbrojtur edhe kur ai është në det, sepse deti nuk i ndalon rrezet ultravjollcë. Për këtë duhet zgjedhur produktet kundër ujit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë