Keshilla

Si të “divorcohemi” nga frigoriferi në këtë periudhë

Gjatë kësaj periudhës së izolimit të gjithë jemi të stresuar dhe nuk mund ta mohojmë, se jemi fokusuar te ushqimi, për të anashkaluar stresin e vetë izolimit dhe sëmundjes së koronavirusit të ri. Në një intervistë për Gazetën “Si”, dietologia Anila Kalleshi na tregon si të menaxhojmë  ngrënien emocionale dhe të fokusohemi tek menaxhimi i stresit, duke u “divorcuar” nga frigoriferi.

“Në librin e tij “UnDo It” kardiologu i mirënjohur amerikan Dean Ornish përdor një shprehje shumë të veçantë: “Eat well, move more, stress less, love more”, pra ushqehu mire, lëviz më shumë, stresohu më pak dhe duaj më shumë. Në këtë periudhë refreni i të gjithëve është: “po çmendem”. Frika dhe paniku për të panjohurën, papunësia dhe paaftësia ekonomike kanë bërë që nivelet e kortisolit të arrijnë në maksimum,”shprehet dietologja Kalleshi.

1- Si mund ta anashkalojnë Shqiptaret ngrënien emocionale(pra ngrënien nga stresi)?
Në fakt ushqimi ka një ndikim shumë të madh në menaxhimin e stresit. Studimet e shumta nga Harvard Medical School kanë treguar se mjaftojnë të bëjmë disa ndryshime të vogla në jetën tonë të përditshme për të rritur mirëqenien dhe për të menaxhuar stresin.
Një ndër këto hapa është vendosja e prioriteteve. Në jetën tënde ti je personi me i rëndësishëm i vetes tënde, ndaj kjo duhet të jetë një nga arsyet se përse duhet të vendosësh veten tënde si prioritet jo vetëm në menaxhimin e stresit por edhe në ushqyerjen e shëndetshme dhe në një stil të shëndetshëm jetese në favor të jetës tënde cilësore, duke ndjekur disa hapa thelbësore si:
- Është shumë e rëndësishme gjatë kësaj periudhe mos të anashkaloni vaktet. Ushqehuni cilësisht mirë dhe në mënyrë të kujdesshme duke konsumuar të gjitha vaktet edhe kur jeni në gjendje stresi. Mos ngrënia në mënyrë të duhur të vakteve ngadalëson metabolizmin dhe nxit akumulimin e depozitave dhjamore. Ushqyerja e vazhdueshme dhe e shëndetshme e mban larg stresin. Shmangni ushqimet e proçesuara, ato që përmbajnë kripëra, sheqerëra, konservantë dhe aromatizues, ngjyrosës dhe elemente të tjera të cilat ulin në minimum vlerat ushqyese të produkteve ushqimore.
- Shmangni ushqimet që përmbajnë yndyra të ngopura, pijet energjike dhe ato me gaz, si dhe lengjet e gatshme të frutave. Ushqimet e pasura me vitamina dhe minerale e bëjnë trupin të ndihet më mirë dhe ti përballojë më së miri situatat stresuese. Sigurohuni të konsumoni më shumë ushqime të pasura me vitaminat B, magnez, vitaminë C dhe acidet yndyrore omega-3.
- Mos harroni t’i jepni rëndësinë e duhur vakteve të ndërmjetme. Gjatë kësaj periudhe si vakt të ndërmjetëm do të ju rekomandoja më shumë fruta të freskëta por edhe të thata dhe të mos e tproni me kafeinën

2- Cilat janë strategjitë për të forcuar sistemin imunitar
Të gjithë e dimë se linja e parë e mbrojtjes është të zgjedhim një mënyrë jetese të shëndetshme. Ndjekja e udhëzimeve të përgjithshme të mira shëndetësore është hapi i parë më i mirë që mund të ndërmarrim për ta mbajtur sistemin tuaj imunitar të fortë dhe të shëndetshëm në mënyrë natyrale. Çdo pjesë e trupit, përfshirë sistemin tuaj imunitar, funksionon më mirë kur mbrohet nga sulmet mjedisore dhe mbështetet nga strategji të shëndetshme të jetesës si këto:
- Zgjidhni një dietë të pasur me fruta dhe perime.
- Ushtroni rregullisht.
- Mbani një peshë të shëndetshme.
- Praktikoni strategji për të menaxhuar stresin
Ndiqni aktivitete me mendje si joga. Rralloni konsumin e alkoolit dhe duhanitdhe merrni masa për të shmangur infeksionet, siç është larja e duarve shpesh dhe larja e plotë e ushqimit për t’u ngrënë i papërpunuar.Pwrdorni vitaminën A, C, B6,B9, D, selen, zink, magnez dhe hekur.
3- Si ndikon ushqyerja në sistemin imunitar?
Qelizat e një sistemi imunitar të shëndetshëm kanë nevojë për ushqim të shëndetshëm dhe të rregullt. Shkenca ka pranuar prej kohësh që njerëzit që jetojnë në varfëri dhe kushte të pangopura, janë më të prekshëm ndaj sëmundjeve infektive. Por është e pasigurt nëse rritja e shkallës së sëmundjes është shkaktuar nga efekti i kequshqyerjes në sistemin imunitar. Akoma ka studime relativisht të pakta mbi efektet e ushqimit në sistemin imunitar të njeriut dhe madje, edhe më pak studime që lidhin efektet e ushqimit drejtpërdrejt me zhvillimin (krahasuar me trajtimin) e sëmundjeve.

4- Çfarë mund të bëhet për të përmirësuar dietën ushqimore?
Nëse dyshojmë se dieta jonë mund të mos i mbulojë nevojat tona mikronutriente . Për shembull, nuk na pëlqejnë perimet, marrja e një shtese multivitamine dhe multiminerale çdo ditë mund të sjellë përfitime të tjera për shëndetin tonë. Përveç çdo efekti të dobishëm në sistemin imunitar nuk duhet të marrim mbidoza të një vitamine të vetme. Shumë shtesa ushqimore pretendojnë se rritin ose mbështesin imunitetin, por koncepti i forcimit të imunitetit në të vërtetë ka pak kuptim shkencor. Në fakt, rritja e numrit të qelizave në trupin tonë si qelizat imune nuk është domosdoshmërisht një gjë e mirë.
Megjithëse disa përgatitje kanë ndryshuar disa komponentë të funksionit imunitar, deri më tani nuk ka asnjë dëshmi se ato forcojnë imunitetin në pikën, kur jeni më mirë të mbrojtur nga infeksionet dhe sëmundjet.
5- Si ndikojnë ushtrimet fizike në sistemin imunitar
Në këtë artikull dua të bëj një fokus të veçantë në ushtrimet fizike. E cila, për mendimin tim, praktikimi i duhur dhe rregullisht mbetet shtylla më e fortë e një stili jetese të shëndetshëm. Ushtrimet përmirësojnw shëndetin kardiovaskular, ulin presionin e gjakut, ndihmojnë në ruajtjen e peshës së shëndetshme të trupit dhe mbron nga një sërë sëmundjesh. Ashtu si një dietë e shëndetshme dhe e ekuilibruar, stërvitja e përshtatshme dhe e rregullt mund të kontribuojë në një shëndet të mirë të përgjithshëm dhe, për rrjedhojë, për një sistem të shëndetshëm imunitar. Mund të kontribuojë edhe më drejtpërdrejt duke promovuar qarkullimin e mirë, i cili lejon që qelizat dhe substancat e sistemit imunitar të lëvizin lirshëm nëpër trup dhe të kryejnë punën e tyre në mënyrë efikase. Mbani mend? Bilanci dhe harmonia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë