Mendim

Si po i përdor Europa testet e antigenit për të testuar të gjithë popullatën

Pas një sërë diskutimesh në mediat sociale pas lajmit se Shqipëria do të marrë testet e antigenit në shkurt, ndërkohë që të gjitha vendet europiane do të jenë duke shpërndarë vaksinën, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi të mërkurën se këto teste do të mbërrinin brenda dhjetorit.

Testet e antigenit, të cilat zbulojnë brenda disa minutash nëse një qytetar është i infektuar me Covid-19 ose jo, po përdoren prej muajsh në Maqedoninë e Veriut, Greqi, Serbi apo Kroaci dhe kanë një kosto prej vetëm 5 eurosh. Sipas planeve të Ministrisë së Shëndetësisë, kur të mbërrijnë në vendin tonë, ato do të përdoren së bashku me testimet PCR për të shtuar kapacitetet e ekzistuese të testimet.

Por në Europë, duke shfrytëzuar prodhimin masiv dhe kostot e ulëta, disa vende kanë vendosur t’i shfrytëzojnë testet e shpejta për testimin masiv të popullsisë.

Testet e shpjeta të antigenit po bëhen në fakt arma e fundit në luftën e Europës kundër koronavirusit. Sllovakia ishte e fundit që testoi të gjithë popullsinë, duke lejuar ata që raportuan rezultate negative të fitonin përsëri liritë themelore si hyrja në dyqane dhe rikthimi në punë. Austria ka planifikuar gjithashtu të testojë shumicën e popullsisë së saj kur kufizimet e saj aktuale të hiqen në fillim të dhjetorit.

Ndërkohë, Britania e Madhe po provon testimin masiv në qytetin e Liverpulit, duke kryer 10 milion teste në ditë. Po ashtu, disa aeroporte të BE tani po kontrollojnë udhëtarët në mënyrë rutinore përpara se të hipin në bord nëpërmjet testeve të antigenit. Sllovakia këtë javë njoftoi madje tre raunde të tjera testimesh masive deri në Krishtlindje.

Një avantazh kryesor për testet e antigenit është se ato shihen si alternative më të lira, më të shpejta ndaj testeve PCR. "Ata do të zbulojnë virusin tek një numër i madh njerëzish që nuk kanë bërë kurrë më parë asnjë test", tha John Bell, profesor i mjekësisë në Universitetin e Oksfordit. “Por sigurisht, duhet ët jemi të vetëdijshëm se testet e antigenit nuk janë aq të sigurta sa tamponi.”

Deri më tani, testimi në masë duket si një qasje logjike për të identifikuar rastet dhe për të përmbajtur pandeminë. Ministrat e shëndetësisë, kryeministrat dhe madje presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen i kanë vlerësuar këto teste dhe i kanë kërkuar vendeve anëtare t'i blejnë me shumicë dhe të testojnë me shumicë.

Kryeministri i Sllovakisë Igor Matovič tha se një nga dy testet e shpejta të përdorura (RapiGEN dhe SD Biosensor) është në gjendje të zbulojë mbi 96 për qind të rasteve pozitive, krahasuar me testet PCR.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka blerë teste të shpejta të antigenit nga kompania Innova. Vlerësimi klinik nga Shëndeti Publik Angli dhe Universiteti i Oksfordit treguan se ky lloj testi zbulon mbi tre të katërtat e rasteve pozitive.

Sidoqoftë, Jon Deeks, profesor në Universitetin e Birmingamit thotë se shifra e vërtetë mund të jetë shumë më e ulët dhe se testet e antigenit zbulojë zakonisht vetëm 70 për qind të rasteve me koronavirus. Përveç kësaj, një studim i SHBA tregoi se këto teste nuk zbulojnë rastet që janë në fazat e hershme të sëmundjes.

Deeks vuri në dukje se testet antigenit japin rezultate më të sakta kur kryhet nga infermierë me përvojë, sesa nga njerëz të trajnuar vetëm për të kryer testime masive. Por ato janë sipas tij një alternatië e mirë ndaj tamponëve, sidomos në vendet më të varfra.

Qëllimi i testimit të të gjithë popullatës është të përmbajë virusin midis atyre që kanë sëmundjen pa e ditur “, vuri në dukje Allyson Pollock, profesorë në Universitetin e Newcastle.

Franca gjithashtu ndryshoi ligjin në fillim të këtij muaji për të lejuar që testet e antigenit të përdoren për të rritur kapacitetin ekzistues të testimit. Nga ana e tyre, shumë kompani ajrore e kanë mirëpritur mbërritjen e testeve të shpejta për lehtësinë e marrjes së rezultateve perfektë brenda disa minutave. Disa nga aeroportet më të ngarkuara të Europës, duke përfshirë në Milano, Romë, Frankfurt, Londër dhe Paris, po planifikojnë ose përdorin këto teste. Numri i infeksioneve ditore është stabilizuar në Sllovaki gjatë javës së kaluar me rreth 2,000 raste të reja nga 17 mijë që u regjistruan disa javë më parë, falë testimit masiv dhe izolimit në kohë të të gjitha rasteve.

Njerëzit kanë qenë në gjendje të bëjnë jetë relativisht normale falë testimit masiv, i cili u krye për herë të dytë fundjavën e kaluar, megjithëse në një shkallë më të vogël.

Sllovakia ka testuar çdo të rritur dhe fëmijë mbi 10 vjeç gjatë katër javëve të kaluara, në përpjekje për të frenuar pandeminë, duke testuar 100,000 njerëz në ditë për disa javë rresht. Nëpërmjet testeve të antigenit, qeveria bëri të mundur që çdo i rritur i vendit me 5.5 milion banorë të testohej dy herë para fundit të nëntorit. Ata që refuzuan të testoheshin u urdhëruan të qëndronin në shtëpi për 10 ditë, ose të përballeshin me gjobë deri në rreth 1,600 euro.

Sllovakia është vendi i parë perëndimor që provon testimin e gjithë popullatës. Shumë epidemiologë dhe shkencëtarë të mjekësisë në universitetet europiane kanë vlerësuar testimin masiv si një zgjidhje që mund t’u lejojë qeverive të izolojnë grupet e vogla të njerëzve të ekspozuar në vend që të imponojnë karantinimi e të gjithë vendit.

“Kjo është rruga më e mirë, nuk ka dyshim për këtë,” tha Luke O’Neill, profesor në Shkollën e Biokimisë dhe Imunologjisë në Dublin. “Ky është një rast i mirë studimi dhe të jetë shembull për pjesën tjetër të botës.

Në Europë, udhëheqësit janë përpjekur të shmangin zhytjen e ekonomive të tyre në një raund tjetër kufizimesh drakoniane. Në vend të kësaj, qeveritë kanë ngritur ekipe për gjurmimin e kontaktit për të izoluar vetëm të infektuarit dhe jo një zonë ose qytet të tërë. Gjurmimi i kontakteve ka dështuar pasi të gjitha vendet po përjetojnë një rritje drastike të rasteve ditore. Fqinja e Sllovakisë, Republika Çeke, tani po vuan shkallën më të lartë të shtrimeve në spital në kontinent, sipas Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve. Rreth 1% e banorëve të vendit është aktualisht e infektuar me Covid-19.

Më shumë se 40,000 mjekë dhe ekipe mbështetëse nga ushtria, policia, punonjës administrativë dhe vullnetarëve po punojnë në 5,000 qendra për të administruar testet e koronavirusit, Testimi ishte falas dhe vullnetar, por qeveria ka thënë se ata që nuk marrin pjesë, ë kanë të ndaluar të kthehen në punë. Kryeministri, Igor Matovič, kërkoi falje për ushtrimin e presionit mbi njerëzit për të marrë pjesë, por tha se kërkesa ishte e justifikuar. “Liria duhet të shkojë së bashku me përgjegjësi ndaj atyre që janë më të dobëtit midis nesh,” tha ai në një konferencë shtypi.

*Burimet: "Euractiv", Politico.Eu"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë