Futboll

Si po e ndryshon futbolli shoqërinë konservatore saudite

Arabia Saudite udhëtonte drejt Rusisë e vetëdijshme se kalimi i grupit është një mision thuajse i pamundur. Hera e fundit që sauditët arritën që të kalojnë fazën në grupe ishte në vitin 1994 në Botërorin e zhvilluar në SHBA.

Edhe atëherë pati një ndërthyrje të pashembullt mes fatit dhe talentit personal të sulmuesit Saeed Al-Owairan, që shënoi një gol që në minutën e pestë ndaj Belgjikës dhe i dhuroi skuadrës së tij kualifikimin dhe rezultatin më të mirë historik.

Menjëherë pas fazës në grupe, Arabia Saudite do të përballej me Suedinë, një skuadër shumë e fortë për ta dhe ndeshjen e humbën me rezultatin 3-1. Por, eleminimi nuk kishte rëndësi dhe në vendlindje 11-shja e lojtarëve finalistë u pritën si heronj, aq sa autori i golit ndaj Belgjikës mori si dhuratë nga Mbreti i asaj kohe një makinë luksoze.

Sot në Rusi Arabia është edhe matematikisht e eleminuar, por rezultatin pozitiv sporti më i ndjekur në botë nuk e ka dhënë në fushë për sauditët, por jashtë saj. Futbolli ka qenë një prej elementëve që ka ndikuar më shumë që shoqëria konservatore saudite t’u njohë disa të drejta grave.

Në janar u lejua pjesëmarrja e grave në stadiume pa shoqërimin e burrave

Në muajin janar, femrat për herë të parë u lejuan që të hynin në stadium të pashoqëruara. Vendimi mbërrinte pak muaj pasi autoritetet vendase, nën drejtimin e Princit të kurorës kishin lejuar gjithashtu që gratë të drejtonin makinën.

“Deri në janar grave u ndalohej me ligj hyrja në një stadium ku luhej futboll. Deri më tani, futbolli luhej nga ekipe femrash amatore, por ndeshjet zhvilloheshin larg syrit të publikut dhe të burrave”, thotë për BBC, Najah Al-Otaibi nga Fondacioni Arab, një fondacion që lufton për të drejtat e grave në vendlindjen e saj.

Pavarësisht se niveli i Kombëtares nuk është ai që do të dëshironin sauditët, futbolli është më shumë se një pasion në Arabinë Saudite dhe në vitet, e sidomos në muajt e fundit është shndërruar në një mjet për një progres që as që mund të imagjinohej në vendin ultrakonservator deri më tani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë