Ne rrjet

Si mund ta përmirësojnë mediat procesin e votimit

Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka quajtur mediat "armikun e popullit". Por në të vërtetë, media është aleatja më e vyer e qytetarëve. Gazetarët mbajnë nën presion punonjësit e administratës, sigurojnë transparencën e nevojshme nga ana e qeverisë dhe balancën e nevojshme mes institucioneve. Mediat përkrahin demokracinë dhe madje mund të luajnë një rol edhe në vetë procesin zgjedhor.

Ky ishte mesazhi i “Ithaca Times”, një gazetë e përjavshme e një qytetit të vogël në Nju Jork, e cila e përdori faqen e saj të parë për të publikuar një formular për regjistrimin e votuesve. Lexuesit mund të plotësonin formularin dhe ta dërgonin direkt tek platformat shtetërore për t’u regjistruar.

Marshall Hopkins, drejtori i projektit tha se qëllimi i gazetës ishte të ofronte një provë të fuqishme në lidhje me përgjegjësinë qytetare, veçanërisht për studentët. "Kjo ka rëndësi më shumë sesa të kemi logon e gazetës sonë në faqe të parë", tha ai.

Sipas “Washington Times” , faqja e gazetës shërben si një shembull i mirë për ta bërë procesin e votimit më të lehtë. Duke parë lajmet e vazhdueshme rreth shtypjes së votuesve, zhdukjes së votave apo mbylljes së qendrave të votimit, mediat duhet të dyfishojnë përpjekjet për të mbrojtur të drejtën e votës. Ndoshta çdo gazetë në botë, përfshirë edhe ato në Shqipëri, duhet të ndjekë shembullin e Times.

Disa shtete në SHBA e kanë bërë regjistrimin e votuesve më të lehtë, nëpërmjet regjistrimit automatik të votuesve. Nën këtë proces, shteti amerikan ka përgjegjësinë të regjistrojë votuesit duke përdorur informacionin që ka nga zyrat shtetërore. Kjo reformë ka rritur në mënyrë drastike pjesëmarrjen e votuesve. Në Oregon pati rreth 100,000 votues të rinj në vitin 2016. Megjithatë, në shumicën e shteteve të tjera amerikane, votuesit duhet të ndërmarrin një hap afirmativ për t'u regjistruar 30 ditë përpara zgjedhjeve. Nuk është çudi që miliona votuesve nuk u jepet mundësia për të votuar ditën e zgjedhjeve. Sigurisht, veprimi i një gazete lokale në Nju Jork nuk do të zgjidhë problemet e regjistrimit të votuesve, por ka arsye të mjaftueshme për të besuar se diçka më e madhe mund të dalë prej saj. Në fund të fundit, shumë inovacione demokratike fillojnë në nivel lokal.

Shumë qytetarë amerikanë kanë bërë thirrje se gazetat në të gjithë vendin duhet të ndjekin shembullin e Times dhe të vendosin formularin e regjistrimit të votuesve në faqet e parë. Dhe cili është rasti më i mirë për median amerikane që të promovojë pjesëmarrjen në zgjedhje, sesa 25 shtatori, Dita Kombëtare e Regjistrimit të Votuesve?

Përveç vendosjes së formularëve të regjistrimit, gazetat duhet të krijojnë një faqe interneti në mënyrë që përdoruesit të drejtohen direkt tek platformat e regjistrimeve online. Mbrojta e të drejtës së votës duhet të jetë tashmë një ndër misionet më të mëdha të medias.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë