Ne rrjet

Si miqësia e Melonit dhe darkat e shtruara nga Macron, e bindën Orbanin për t’i dhënë ‘OK’ ndihmës ukrainase    

Pikërisht kur ai mendoi se ishte jashtë, ata e futën përsëri në lojë.

U desh një ofensivë sharmi prej muajsh nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe disa darka me francezët për ta bindur kryeministrin hungarez Viktor Orbán që të pranonte të mbështeste dërgimin e 50 miliardë eurove ndihmë për Ukrainën.

Meloni drejtoi bisedat me Orbanin falë marrëdhënies së tyre të gjatë, thanë dy diplomatë nga vendet që nuk ndajnë pikëpamjet e saj politike të ekstremit të djathtë. “Ajo u përpoq disa herë të ishte një ndërmjetëse dhe përshtypja është se këtë herë funksionoi”, tha një nga diplomatët.

Orbán më në fund u ul për mëngjes me shefen e Komisionit Ursula von der Leyen, kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni.

Vendimi, i arritur në  samitin e Brukselit të enjten, ishte një vendim kyç për liderët e BE-së që donin të përcillnin mbështetje për Ukrainën, duke treguar gjithashtu se ishin në gjendje të mbanin në linjë rebelimin e Hungarisë.

Orbán ka kërcënuar vazhdimisht se do të përdorë veto taktike për një gamë të gjerë çështjesh evropiane.

Udhëheqësit e BE-së njoftuan përparimin e rëndësishëm në një kohë kur ndihma e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën është pezull në Kongres për muaj të tërë dhe pasi Ukraina ka nevojë për injektimin jetik të parave në luftën e saj të ngecur me Rusinë.

"Kjo dërgon një sinjal të rëndësishëm edhe për SHBA-në," tha kryeministri suedez Ulf Kristersson në dhomën e liderëve pasi arritën një marrëveshje, sipas dy zyrtarëve të njohur me diskutimin, të cilët folën në kushte anonimeti.

Duke hyrë në takimin e të enjtes, udhëheqësit theksuan se ndërsa një marrëveshje pa Hungarinë ishte e mundur, ajo do të sinjalizonte mungesën e unitetit evropian për Rusinë.

"Ka vetëm një shfaqje në qytet sot dhe ajo është me numrin 27," tha kryeministri holandez Mark Rutte të enjten në mëngjes përpara se të shpallej marrëveshja.

Njerëz të njohur me zyrën e kryeministres italiane thanë se ajo filloi të ashtuquajturën punën e saj diplomatike muaj më parë, me bisedime dhe takime që përfshinin ministra dhe zyrtarë të ndryshëm, madje edhe përpara se 27 liderët të dështonin të arrinin një marrëveshje për ndihmën për Ukrainën në dhjetor, sepse Orbán nuk e mbështeti.

Të mërkurën mbrëma, delegacionet punuan deri në orët e vona të natës për të siguruar një përparim me Orban.

Këtë javë, Meloni i shtoi përpjekjet e saj, duke folur me Orbanin në telefon, duke e takuar atë në hotelin e mrekullueshëm Amigo të Brukselit për një bisedë një orëshe dhe përsëri të enjten në mëngjes para fillimit të takimit.

Të mërkurën mbrëma, presidenti francez Emmanuel Macron u takua gjithashtu me Orbanin, pasi kaloi javë të tëra të fokusuara në ndërtimin e urave të komunikimit me të. Në fillim të këtij muaji, ai u përpoq të fitonte besimin e liderit hungarez gjatë një dreke në Elysée. Gjatë asaj dreke, Macron i kërkoi Orbanit të ndante vizionin e tij se si të integrohen më mirë vendet e BE-së Lindore me disa liderë të tjerë.

Macron luajti një rol kyç në këto negociata, theksuan francezët, një pikëpamje që u konfirmua edhe nga zyrtarë jo-francezë.

“Ai kurrë nuk donte të antagonizonte Orbanin, por përkundrazi ta merrte atë në bord. Dhe kjo është qasja që sot po jep rezultate," tha dikush i afërt me presidentin francez.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë