Ne rrjet

Si hyri Gruevski nga mali në Shqipëri për t’u arratisur drejt Malit të Zi

Ish-kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski ka arritur të arratiset nga vendi i tij ku u dënua për shpërdorim detyre, nëpërmjet Shqipërisë. Ajo që gjatë gjithë ditës së enjte ishte spekuluar nga mediat e të gjithë rajonit, u konfirmua në orët e mbrëmjes nga autoritetet shqiptare: Gruevski ka hyrë “nga mali”në Shqipëri për të dalë drejt Malit të Zi me makinë të trupit diplomatik hungarez.

Departamenti i Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit duke iu përgjigjur interesimit të medias në lidhje me hyrjen dhe daljen nga territori i Republikës së Shqipërisë të shtetasit Nikolla Gruevski, informon se:

"Shtetasi Nikola Gruevski më datë 11.11.2018,  rreth orës ora 19:11, ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotitnë drejtim të Malit të Zi, si pasagjer në automjetin  me targë CD1013A, në pronësi të Ambasadës Hungareze në Tiranë.

Në datën 11.11.2018 për shtetasin Nikolla Gruevski nuk ka pasur asnjë njoftim në kufi apo shpallje si person në kërkim. Vetëm dy ditë më vonë, Interpol Shkupi, pra në datë 13.11.2018, rreth orës 19.35, i ka dërguar Interpol Tiranës njoftimin për shpallje në kërkim ndërkombëtar për këtë shtetas”.

Në njoftimin e autoriteteve shqiptare nënvizohet vetëm dalja e ish-kryeministrit maqedonas, por jo hyrja. Cka do të thotë se ai ka hyrë në mënyrë ilegale në territor shqiptar, duke ka përcyer brezin e gjelbër midis Maqedonisë dhe Shqipërisë. Departamenti i Kufirit por edhe policia shqiptare nuk japin detaje të tjera, lidhur me mënyrën se si ka kapërcyer kufirin Gruevski, personat që e kanë shoqëruar, apo edhe ata që e kanë pritur në tokë shqiptare, të cilët besohet se kanë qenë njerëz të Ambasadës Hungareze në Tiranë.

Ish-kryeministri tashmë në kërkim ndërkombëtar duket se e ka pasur të qartë se ndaj tij do të kërkohet arrestimi i menjëhershëm në Shkup, ndaj duket se ka shfrytëzuar në avancë dy ditët deri sa Interpol Shkupi ka nxjerrë urdhërin ndërkombëtar për ndalimin e tij.

Kur Nikolla Gruevski njoftoi se kishte kërkuar azil në Hungari dy ditë më parë, pyetja e parë e autoriteteve maqedonase ishte si u bë i mundur largimi i tij pa papasaportë.

Gazeta Si kontaktoi me Ambasadën Hungareze ne Tirane mbi këto raporte, por zyrtarët hungarezë nuk pranuan të komentonin. Makina e Ambasades Hungareze që e shoqëronte Nikolla Gruevskin ka kaluar në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit për ne Malin e Zi. dhe prej andej ka kaluar në Serbi dhe më pas në Hungari me ndihmën e diplomatëve hungareze.

Hani i Hotit

Pak orë pasi u shfaq ne Budapest ku kërkoi azil politik, autoritetet maqedonase njoftuan se kishin lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar për ish-kryeministrin. Policia shqiptare nisi një verifikim nëse ishin thyer rregullat për sa kohe Gruevski ishte në kërkim ndërkombëtar dhe rezultoi se ai kishte ikur nga vendi i tij ende pa u shpallur në kërkim.

Këto raporte dolën fillimisht në dritë nga mediat serbe, të cilat pretendonin madje se Gruevski kishte kërkuar azil në vendin tonë.

“Nikolla Gruevski u arratis nga Tirana!” Ky ishte titulli i disa gazetave serbe dhe maqedonase mëngjesin e të enjtes, të cilat pretendonin se ish-kryeministri maqedonas i shpëtoi burgut falë strehimit në Tiranë.

Gazeta “Politika” shkruante se ish-kryeministri Gruevski hyri në Hungari nëpërmjet Shqipërisë, ku sipas saj kërkoi fillimisht azil.

“Duke përdorur një pasaportë të rreme Gruevski kaloi natën në kufirin shqiptaro-maqedonas për të arritur më pas ilegalisht në Tiranë”, shkruante gazeta. “Në Tiranë ai është pranuar në Ambasadën e Hungarisë dhe në mëngjesin e së nesërmes është nisur me avionin e kompanisë hungareze "Malev" duke udhëtuar drejtpërdrejtë nga Tirana në Budapest” shton e përditshmja serbe.

Megjithatë, përtej këtyre spekulimeve mediatike, kompania ajore “Malev” nuk është prej vitesh pjesë e tregut shqiptar të aviacionit, pasi ka falimentuar.

Ndërkohë, sipas portalit serb “Krstarica”, ekuipazhi i avionit nuk e dinte se kush ishte pasagjeri me kapelë dhe syze dielli, pasi nuk i kishte hequr në aeroplan. Ai shton se në momentin kur  Gjykata dha vendimin e dënimit me dy vjet burg, Gruevski ndodhej tashmë në Budapest. E përditjshmja serbe “Politika” bën edhe pak ironi në fund të shkrimit pasi thotë se Gruevski përdori pikërisht Shqipërinë për t'u arratisur, e cila kishte punuar fort kundër tij për ta rrëzuar nga pushteti duke kujtuar atë që njihet si “Platforma e Tiranës”.

Pas konfirmimit të dënimit dy-vjeçar, kryeministri Gruevski ka kërkuar azil politik tek një prej aleatëve të tij më të mëdhenj politikë, kryeministri Viktor Orban. Qeveria hungareze i ka pranuar kërkesën Gruevskit për arsye sigurie.

Nikolla Gruevski dhe Viktor Orban

"Duke pasur parasysh se Gruevski ka qenë për 10 vite kryeministër dhe duke marrë në konsideratë rrethanat e sigurisë, autoritetet tona i kanë lejuar Gruevskit të dorëzojë zyrtarisht kërkesë për azil dhe e kanë dëgjuar arsyetimin e tij në zyrat e Byrosë për migrim dhe azil në Budapest. Autoritetet hungareze do ta shqyrtojnë kërkesën e Gruevskit dhe do ta vlerësojnë në përputhje me ligjet hungareze dhe ato ndërkombëtare”, thuhet nga qeveria hungareze.

Fati i ish-kryeministrit të Maqedonisë është tani në duart e kryeministrit hungarez Viktor Orban, një prej aleatëve më të vyer të Nikolla Gruevksit gjatë kohës që ishte në pushtet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë