Njerez

Si funksionon ‘Fototerapia’. Pse ka rëndësi për marrëdhënien psikolog-pacient (edhe në Shqipëri)

Nga Gazeta Si - Një studim në vitin 2019 tregoi se fototerapia kishte një efekt pozitiv tek të rinjtë e sëmurë me kancer duke u lehtësuar reflektimin e tyre rreth vdekjes.

Studimi konfirmoi se ‘procedura’ krijon një diskutim më të qetë mes terapistit dhe pacientit për çështje të vështira.

Fototerapia është një formë e fundit e terapisë së artit e përdorur në psikologji që synon të promovojë mirëqenien duke lehtësuar përshtatjen e njerëzve ndaj ngjarjeve stresuese dhe duke lehtësuar dhimbjen psikologjike.

Kjo metodologji është përdorur në botë si një mjet i dobishëm edhe në ato raste në të cilat duhet të trajtohen tema shumë delikate. Është aplikuar me sukses në një sërë situatash si për shembull, me personat me HIV-AIDS dhe terapistë të ndryshëm kanë thënë shpesh se kjo teknikë është e rëndësishme sidomos për të rinjtë me sëmundje të pashërueshme, pasi me anë të fototerapisë ato përmirësojnë mirëqenien e tyre mendore duke folur për fotografi.

Psikologia dhe terapistja Lorela Garuli tregon për Gazetasi.al se fototerapia, “që vjen për herë të parë dhe në Shqipëri, është një nga mjetet që terapisti mund të përdorë gjatë terapisë, së bashku me mënyra të tjera dhe është një mënyrë e mirë për të marrë informacione edhe mbi historikun e rastit”.

Kjo lloj terapie mund të përdoret me adoleshentë dhe të rritur, në terapi individuale ose në grup. Garuli tregon se kjo lloj terapie është e nevojshme në vendin tonë sepse promovon një komunikim më të lehtë mes pacientit dhe terapistit. Gjithashtu është një mundësi e mirë për faktin se konteksti social na lejon të kemi akses fotografik dhe është më e thjeshtë për të komunikuar me një pacient nëpërmjet fotografisë.

“Qëllimi është që fotografia të jetë një dritare komunikimi. Këtu nuk e shikojmë fotografinë si zhanër fotografik por në aspektin psikologjik. Normalisht imazhet janë të ndryshme dhe lidhen me jetën e pacientëve dhe fotografi që mund të ketë terapisti dhe kështu ndërtohet një urë komunikimi më e lehtë mes pacientit dhe terapistit pasi është fotografia në mes dhe kështu është më i lehtë komunikimi sesa të bisedosh me fjalë”, shpjegon Garuli duke shtuar se kjo lloj terapie është pritur mjaft mirë në vendin tonë, sidomos nga të rinjtë të cilët e kanë më të lehtë të tregojnë botën e tyre komplekse duke interpretuar një fotografi.

Fototerapia i lejon pjesëmarrësit të përballen me tema dhe emocione të forta duke ruajtur një “distancë mbrojtëse” midis terapistit dhe pacientit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë