Futboll

Si e ndryshoi Manchester City futbollin

Janë bërë 10 vjet nga momenti kur sheiku Mansur bleu klubin e Manchester City, për ta bërë atë një nga klubet e futbollit më të mëdhenj dhe të suksesshëm në botë, që shënon njëkohësisht edhe një pikë kthese për futbollin në tërësi. Me trajnerin Pep Guardiola, klubi i dytë nga Manchester po bëhet gati për shkuar në majën e botës. Nëse duam të kuptojmë pse Premier League sot konsiderohet si kampionati më i fortë në botë, duhet të shkojmë disa vite pas në histori. Gjithçka kishte nisur me futjen në tregun e futbollit britanik të miliarderit rusi Roman Abramoviç, i cili bleu klubin londinez Chelsea, që në atë kohë ishte në prag të falimentit. Investimi madh në blerje dhe rroga futbollistësh i dha efektet e para, pasi Chelsea fitoi titullin kampion, duke i hapur rrugën kështu një tjetër investimi akoma dhe më gjigand. Paratë nga Gjiri Persik përmes sheikut Mansur në vitin 2008 u futën në Premier League. Miliarderi arab mori në zotërim klubin e Manchester City që kishte qenë gjithmonë nën hijen e klubin fqinj, Manchester United. Viti 2008 është datë e rëndësishme, jo vetëm për këtë klub, por për të gjithë futbollin, pasi duke nisur nga ai vit, ky sport nuk do të ishte më i njëjtë.

Blerjet e futbollistëve

Kur braziliani Robinho la Real Madrid për të shkuar te Manchester City e gjithë bota e futbollit u habit. Por sheiku arab Mansur, nuk u ndal me aq, pasi nga rivalet e qytetit mori yllin argjentinas, Karlos Teves. Që nga ky moment të gjithë u bindën se ishte duke i krijuar një klub i madh, i cili shumë shpejt do të ishte në majën e botë. Fundja shembulli ishte gati nga Chelsea, por me një diferencë se paratë ishin akoma dhe më shumë, por se do nevojitet një menaxhim më i mirë. Pikërisht këtë vuajtën “blutë e Manchester” që edhe pse me shpenzime të mëdha në merkato, duke afruar lojtarë të kalibrit ndërkombëtar, sërish nuk ia dolën që ta thyejnë lehtë dominimin e Chelsea dhe Manchester United në Premier League. Vetëm në vitin 2012 me Mancinin në stol, City arriti të triumfojë në Premier League. Por me lojtarë si Yaya Ture, Sergio Aguerro, Samir Nasri, David Silva apo Kolarov, do të ishte vështirë që titulli kampion të humbej. Në këto dhjetë vite, në krahun blu të Manchester-it kanë parakaluar disa nga yjet më të mëdhenj të futbollit botëror, por edhe disa nga trajnerët më të mirë.

Më i fundit quhet Pep Guardiola, që pas dy vitesh në drejtimin e ekipit ka filluar t’ia japë fizionominë e tij. Për të arritur në këtë pikë, tekniku spanjoll shpenzoi një “mal të madh me para”, më saktë 11.43 miliardë paund. Kjo është shifra më e madhe që një klub futbolli anglez ka shpenzuar për të blerë futbollistë. Në total 74 futbollistë të blerë nën epokën Mansur të blerë nga Manchester City, që i takon një shumë prej 19.37 milionë euro mesatarisht për çdo lojtarë të blerë. Transferimi më i shtrenjtë i bërë nga Manchester City është mesfushori Kevin De Brynje, që deri më tani i ka justifikuar paratë e shpenzuara, pasi prej dy sezonesh ka marrë në dorë frenat e mesfushës së Manchester City.

Rrogat e lojtarëve

Në futbollin e sotëm shumë futbollistë ndryshojnë skuadrat për ta arritur majën e karrierës, ose për të fituar trofe. Por ka edhe nga ata futbollistë që ndryshojnë ekip për të marrë një rrogë më të majme. Rasti më tipik për këtë gjë është transferimi i futbollistëve te Manchester City. Në klubin e sheikut Mansur nuk ka lojtarë që mund të jenë të pakënaqur për rrogën që marrin. Buxheti total i Manchester City në vitin 2008 për rrogat ishte 54 milion paund, për ta arritur në sezonin e shkuar që klub shpenzoi plot 265 milionë paund. Politika e klubit të Manchester City është e tillë që për çdo futbollist titullar që është duke bërë mirë në fushën e lojës, ofrohet rinovimi çdo dy vite, me një rritje të pagës. Në dhjetë vite fondi total i Manchester City i shpenzuar për rroga të futbollistëve i kalon 1.67 miliardë paund. Aktualisht lojtari më i paguar te skuadra e Guardiolës është Sergio Aguerro, i cili ndiqet nga Kevin De Brynje.

Trofetë e fituar në 10 vite

Me gjithë këto para të shpenzuara në 10 vite, Manchester City tashmë është kthyer në një markë dhe një klub që thith lojtarët dhe trajnerët më të mirë botë. Janë tre, titujt në Premier League, trofetë më të rëndësishëm që “qytetarët” kanë arkivuar nën drejtimin e presidentit Mansur. Për ambiciet e sheikut arab tre tituj Premier League në 10 vite janë shumë pak, pasi ai kërkon që skuadra e tij të dominojë edhe në Europë. Prej 5 vitesh Manchester City kërkon që të fitojë Champions League. Për të arritur te ky trofe klubi anglez mori në pankinë një trajner ekspert që di si fitohet ky trofe, si Pep Guardiola pasi e ka fituar këtë kupë dy herë me Barcelonën. Me gjithë këto para të shpenzuara dhe rroga shumë të larta, të gjithë janë në një mendje se futbolli në këto dhjetë vite nuk është më i njëjti. Pas Mansur te Manchester City, shembullin e tij e ndoqi edhe Nasser Al Khelaifi, që bleu PSG në Francë dhe metoda ka qenë e njëjtë, shpenzo para pa fund për të blerë lojtarë dhe rroga marramendëse për më të mirët.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë