Samiti i shumëpritur i Ballkanit Perëndimor në Londër u zhyt në kaos dhe harresë ende pa filluar, pasi ministri i Jashtëm britanik u dorëhoq me anë të një vendimi dramatik, duke e lënë Kryeministren Theresa May në betejë për mbijetesë politke.
Boris Xhonson hodhi në erë jo vetëm politikën e jashtme britanike por edhe samitin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, pavarësisht zotimit të Londrës për forcimin e lidhjeve me kombet ballkanike dhe bashkëpunim të metejshëm ekonomik dhe politik. Vendimi i ministrit erdhi pak pasi Kryeministrja May miratoi propozimin e qeverisë për mbarëvajtjen e një Brexit-i "të butë", duke bërë sa më pak ndryshime në marrëdhëniet me BE-në. Ky vendim duket se ka zemëruar Xhonson dhe konservatorët e tjerë, të cilët kishin kërkuar një shkëputje totale nga Bashkimi Europian. Në mesin e kësaj rrëmuje Xhonson la në pritje ministrat e jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ata të Gjermanisë, Austrisë, Francës, Polonisë dhe Kroacisë.
Dorëheqja e tij, por edhe mungesa e mikëpritjes nga ana e qeverisë britanike duket se hodhi poshtë nisjen e samitit, i cili ishte faturuar si një mundësi e artë për qeverinë britanike, që të qëndronte e përfshirë në rajonin e Ballkanit, pavarësisht daljes nga unioni. Ky nuk ishte padyshim mesazhi që Mbretëria e Bashkuar kishte menduar të dërgonte, kur vendosi vullnetarisht të organizonte takimin. Me një kryeministre të gjunjëzuar dhe një ministër të Jashtëm që po largohet, Britania hoqi prozhektorët nga samiti, duke lënë sërish në errësirë Ballkanin Perëndimor.
"Mbretëria e Bashkuar dëshiron një rajon të fortë, të qëndrueshëm dhe të begatë të Ballkanit Perëndimor. Duke organizuar samitin në Londër, ne demonstrojmë interesimin dhe përfshirjen tonë të vazhdueshme në stabilitetin e rajonit përtej daljes sonë nga BE-ja "deklaroi disa ditë më parë Britania e Madhe, pa e ditur suprizën e hidhur që po gatuhej në qarqet e brendshme të qeverisë së saj. Samiti ishte planifikuar të kishte tri qëllime parësore, forcimin e bashkëpunimit ekonomik, bashkëpunimin rajonal për të trajtuar kërcënimet e përbashkëta si terrorizmi dhe bashkëpunimi politik për të kapërcyer konfliktet e trashëguara, si mosmarrëveshja dypalëshe Kosovë-Serbi.
Megjithatë debatet e brendshme të politikës britanike duket se trazuan edhe “ujërat e politikës europiane” duke bërë që samiti të kalonte automatikisht në plan të dytë. Më shumë se 20 sipërmarrës nga Serbia, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria u ftuan në samit, për të treguar së çfarë kishin për të ofruar në tregun e Mbretërisë së Bashkuar. Qeveria britanike nga ana tjetër pritej të njoftonte zyrtarisht se do të dhuronte 10 milionë paund për të ndihmuar në ndërtimin e aftësive dixhitale dhe perspektivave të punësimit për të rinjtë në Ballkanin Perëndimor, një lajm që kishte ngjallur jo pak entuziazëm në rajon, por Xhonson nuk u shfaq kurrë.
Në vend të tij, ishte Zyra e Ministrisë së Jashtme ajo që njoftoi se financimi do të shkojë për një sërë trajnimesh për fëmijët e 4,500 shkollave në Ballkan, si dhe për të identifikuar viktimat e luftës. Ndërkohë që zoti Xhonson mbylli dyert dhe vendosi të jepte dorëheqjen, ministri i Jashtëm gjerman, Michael Roth bëri një postim thumbues në Twitter, duke shkruar se ministrat e jashtëm ishin duke pritur ende për mikëpritjen e qeverisë britanike. Takimi vjetor për mbarëvajtjen e Procesit të Berlinit është një ngjarje e rëndësishme për vendet e Ballkanit dhe fqinjët e tyre, disa prej të cilëve kanë dërguar delegacione të mëdha në Londër. Kroacia, për shembull, përfaqësohej nga Kryeministri Andrej Plenkoviç, Ministri i Jashtëm Marija Buriç Pejçinoviç dhe Ministri i Brendshëm Davor Bozinoviç, ndërkohë që ai Shqipëria kryesohej nga Kryeministri Edi Rama, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe një sërë përfaquesish të tjerë, përfshirë këtu edhe biznesmenë të ndryshëm.
Samiti i Londrës u vendos përpara Brexit-it, por siç thotë edhe koordinator i Ballkanit për Politikat Evropiane, Florian Biber, është një marrëzi të mbash një samit për anëtarësimin e Ballkanit në Bashkimin Europian, në një vend që kërkon të largohet nga BE-ja. Sipas tij, Britania e gjen veten në fazën më të nxehtë të negociatave për daljen nga BE-ja dhe se dorëheqja e Boris Xhonson është shembulli më i mirë i rrezikut që paraqet mbajtja e këtij samiti në Londër. Edhe pse kishte premtuar një qasje më të qendrushme ndaj Ballkanit, dashjë-pasdashje Londra tregoi ditën e djeshme fytyrën e saj më të errët, duke lënë në baltë rajonin, në momentin që kishte më shumë nevojë.
Burimet: "The Independent", "EWB", "Foreing Policy"
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.