Futboll

Si e ka ndryshuar Southgate Anglinë

Ndaj Kosta Rikës Anglia zhvilloi ndeshjen e fundit përgatitore për Botërorin. Skuadra e Gareth Southgate fluturoi më pas drejt Rusisë me bindjen se mund të shkojë larg në këtë kompeticion.

“Tre Luanët” nuk radhiten mes favoritëve kryesorë për ta fituar trofeun e madh, por e sigurtë është që nuk duhen nënvlerësuar. Janë disa sinjale që faza përgatitore ka treguar se kjo Angli mund të jetë ndryshe nga ato që janë parë dekadat e fundit nëpër kampionatet europiane e botërore.

Anglia e këtij viti ka shmangu dramat e dëmtimeve, është një skuadër e plotë dhe për më tepër, nuk ka ndodhur ajo që ndodhte thuajse gjithmonë: përfundimi në faqet e para të tabloidëve për shkak të skandaleve seksuale të lojtarëve.

Kjo është edhe meritë e Southgate dhe stafit të tij organizator. Tashmë, trajneri duhet të dëshmojë, se ashtu siç ka idetë e qarta në pjesën organizative, i ka edhe në fushën e lojës, duke shmangu gabimet e paraardhësve.

Mjafton të kujtojmë se në 2010, 6 vite pas Paul Scholes ishte tërhequr nga Kombëtarja, ai mori një ftesë të pazakontë për t’iu bashkuar skuadrës në botërorin e Afrikës së Jugut, ndërsa në 2016, Wayne Rooney u aktivizua si mesfushor dhe të gjithë e panë atë eleminim të turpshëm nga Islanda.

Wayne Rooney dylufton me Gylfi Sigurdsson për kontrollin e topit, gjatë ndeshjes Angli-Islandë, Euro 2016

Deri më tani, “Tre Luanët” e Southgate kanë arritur që të realizojnë një fazë përgatitore larg vëmendjes së mediave dhe me një qetësi që s’ka ekzistuar kurrë tek Anglia. A është kjo qetësi, një qetësi para stuhisë, apo është një tregues që skuadra është e përqendruar në maksimum dhe në këtë botëror mund të shkojë larg?

“Gjithçka është e mundur”, deklaronte Marcus Rushford në përfundim të miqësores ndaj Kosta Rikas.

Optimizmi i anglezëve shtohet më shumë kur sheh edhe lojën që zhvillon skuadra e Southgate. Trajneri duket i qartë në idetë e tij, i bindur se kë duhet të aktivizojë ku, dhe mekanizmi i skuadrës si një grup po funksionon.

Pikërisht grupi i ka munguar në të shkuarën “Tre Luanëve”. U ka munguar organizimi dhe përçarjet që pasonin skandalet seksuale që shpërthenin para dhe gjatë botërorit, por janë penalizuar edhe nga dëmtimet e shumta dhe lojtarët jashtë forme e të demoralizuar.

Gareth Southgate ka arritur t’i mbajë për 12 muaj larg këto probleme për skuadrën që drejton dhe përveç kësaj, ndan bindjen e vet se një prapavijë me 3 mbrojtës dhe një mesfushorë të populluar është çelësi i suksesit për Anglinë në Rusi.

A do t’ja dalë mbanë? Aventura nis më 18 qershor për Anglinë dhe pengesa e parë mban emrin Tunizi.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë