Opinion

Si e deformoi Trump komentin e Macron

Nga Rick Noack dhe James McAuley – Udhëheqësit botërorë u mblodhën në Paris këtë të dielë për të përkujtuar fundin e Luftës së Parë Botërore, dy ditë pasi Gjermania përkujtoi nisjen e masakrave të nazistëve ndaj hebrenjve. Mesazhi që liderat botërorë kërkuan të përcjellin ishte shpresa se tmerret e të dyja luftërave botërore nuk do të përsëriten kurrë më, kjo edhe falë aleancës transatlantike që ka ndihmuar në shmangien e konflikteve në Europën Perëndimore për më shumë se gjysmëshekulli.

Por, të premten kur ishte rrugës në Paris, Presidenti amerikan, Donald Trump u dha një tjetër drejtim ceremonive me një koment të beftë për homologun francez, Emmanuel Macron.

“Presidenti Macron i Francës sapo këshilloi që Europa duhet të ndërtojë ushtrinë e vet të përbashkët për t’u mbrojtur nga Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia. Shumë poshtëruese! Ndoshta Europa duhet së pari që të paguajë pjesën e vet që i takon në NATO, të cilën SHBA e paguan me gjithë qejf”, shkroi Presidenti amerikan në Twitter.

Nëse duhej hapur tema e financimit në NATO përgjatë ceremonive përkujtimore të fundit të Luftës së Parë Botërore ha debat, por duhet thënë se kjo deklaratë e Trump për komentet e Macron është e shtrembër. Ajo çka Presidenti francez nënkuptoi është në fakt ajo që Donald Trump po kërkon prej kohësh: Europë të shkëputet nga varësia amerikane dhe të ndërtojë kapacitetet e veta mbrojtëse ushtarake.

“Unë besoj se tek projekti i një Europe sovrane dhe të begatë. Por, ne nuk mund të mbrojmë Europën nëse nuk vendosim që të kemi një ushtri europiane, një ushtri të përbashkët. Rusia është në kufijtë tanë dhe mund të jetë kërcënuese. Do të dëshiroja që të nisja një dialog sigurie me Rusinë, që është një vend europian dhe një vend që unë e respektoj. Por, ne duhet të kemi një Europë në gjendje që të mbrojë vetveten, pa u varur nga ndihma e Shteteve të Bashkuara”, deklaroi Presidenti francez në një intervistë për radion Europe 1.

Kërkesa e Macron është pritur me skepticizëm në vendet e tjera të Bashkimit Europian javën e kaluar, por jo për arsyet që beson Donald Trump. Disa vende anëtare kanë qasje më të ngushtë dhe bashkëpunim me të fortë ushtarak, madje duke ngritur brigada të përbashkëta, ose duke plotësuar njëra-tjetrën në anën logjistike për të ulur kostot. Por, Kushtetutat e vendeve anëtare ndryshojnë thelbësisht sa u takon operacioneve ushtarake.

Si shembull, Kushtetuta gjermane e vendosur që pas Luftës së Dytë Botërore kufizon operacionet ushtarake, shumë më shumë se Britania ose Franca, vende që kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në sulmet kundër Sirisë. Ushtria gjermane ofroi ndihmë vetëm me anën logjistike të komunikimit dhe koordinimit dhe nuk u përfshi drejtpërdrejtë në konflikt, sepse Kushtetuta ja ndalonte dhe ja ndalon.

Ideja e Macron nuk është e re dhe gjasat janë që ajo të mbesë e tillë për një kohë të gjatë, nisur nga sfidat me të cilat përballet ngritja e një strukture ushtarake të përbashkët europiane, sfida që lidhen kryesisht me pengesat politike dhe ndasitë mes vendeve anëtare.

Verën e kaluar, Kancelarja gjermane, Angela Merkel shprehu me fjalë të tjera një ide të ngjashme të Macron. “Ne duhet të marrim vetë në dorë fatin tonë”, deklaroi ajo, megjithëse nuk foli posaçërisht për anën ushtarake.

Por, Merkel ka këmbëngulur prej kohësh se Europa duhet të lëvizë përpara drejt ngritjes së aftësive të qëndrueshme për të mbrojtur vetveten dhe duke bashkëpunuar miqësisht e si e barabartë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe dhe fqinjët e tjerë, kudo ku ky bashkëpunim është i mundur. Gjermania sot është një prej vendeve me bazat më të mëdha amerikane në Europë dhe nuk ka ndërmend që t’i largojë këto baza.

Kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti Macron gjate nje takimi. Foto AP

Ashtu si Merkel, edhe Macron ka mbrojtur gjithmonë dëshirën e vullnetin për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe nën Presidencën Trump, pavarësisht se lidhjet tradicionale miqësore janë vënë nën një presion të vazhdueshëm.

Në mbështetje dhe mbrojtje të komenteve të Donald Trump disa komentuan në rrjetet sociale duke risjellë edhe njëherë citimin e Emmanuel Macron. Europa duhet të mbrojë vetveten “duke respektuar plotësisht Kinën, Rusinë dhe SHBA”, tha ai. Por, kjo pjesë e deklaratës së tij radiofonike nuk lidhej me ushtrinë, por me nevojën për të rritur sigurinë kibernetike dhe bashkëpunimin europian në këtë sektor.

Prej vitesh ka një aktivitet të dendur amerikan në Europë, por kritikat vërshuan në 2014, kur u mësua se agjencia amerikane, National Security Agenci kishte përgjuar deri edhe vetë Merkelin. Nga kendvështrimi europian, mungesa e aftësisë për të mbrojtur vetveten është naivitet.

Pavarësisht këtyre, kjo ka qenë një javë e vështirë për Emmanuel Macron, të paktën në raport me mediat. Keqinterpetimi i deklaratave të tij ka dominuar tituj kryesorë të mediave edhe tradicionale.

Si të mos mjaftonin këtë, të mërkurën e javës së kaluar, duke folu në një nga ceremonitë e organizuara për të përkujtuar fundin e Luftës së Parë Botërore tha se Philippe Petain, një prej udhëheqësve të qeverisë kukull të vendosur nga gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte një ushtar i madh në Luftën e Parë Botërore dhe ishte i ligjëruar nderimi i marshallëve si ai.

Kjo deklaratë shkaktoi zemërim tek komuniteti hebre dhe një pjesë e opinionit publik, aq sa Elysee u detyrua që të dalë me një deklaratë mbrojtëse, ku mohoi se do të ketë përkujtimore formale për Petain.

Me deklaratat e fundit për raportet SHBA-Europë, Macron është larg së qënuri i vetmi lider europian që fajëson SHBA për venitjen e bashkëpunimit. Trump ka kërcënuar me vendosjen e tarifave për Bashkimin Europian, është tërhequr nga marrëveshja me Iranin, të cilës BE vazhdon t’i qëndrojë. Përveç këtyre, Presidenti amerikan vazhdimisht ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e NATO-s.

Komentet e Macron reflektojnë pikërisht këtë ndasi dhe nuk ka asnjë arsye që të besosh se ato i referohen “kanosjes pushtuese” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Marrë nga “The Washington Post”

Përktheu Mentor Kasa


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë