Financa Personale

Si duhet të veprosh për rimbursimin e biletës kur ke probleme me fluturimin

Sabina Veizaj-Nëse je një pasagjer që po orvatesh në aeroportin e Rinasit si pasojë e anulimeve të fluturimeve nga kompania ajrore “Fly Ernest” dhe biletën e ke blerë në një prej agjencive të udhëtimeve që operojnë në treg, duhet t’i drejtohesh menjëherë agjencisë, edhe nëse ajo nuk të ka njoftuar paraprakisht për problematikat e fluturimit.

Floria Marini nga Alex Travel & Tours dhe me eksperiencë të gjatë në fushën e turizmit dhe kompanive ajrore shpjegon për gazetën “Si” se si duhet të veprojë një pasagjer, kur kompania ajrore me të cilën ai pritet të fluturojë ka problematika.

Floria Marini, Alex Travel & Tours

Ka një rregull thotë Floria, që kur një kompani fluturimi njofton agjencitë me të cilat bashkëpunon se ka vonesa apo anulime fluturimi, agjencia duhet të njoftojë klientët e saj.

Pasagjerit i vihen përballë disa alternativa; fluturim i mëvonshëm, fluturim ditë tjetër, fluturim për një destinacion të përafërt me destinacion për të cilin ka prerë biletën. Nëse pasagjeri nuk pranon asnjë nga alternativat, kalohet në procedurën e rimbursimit, të cilën e kryen agjencia.

Nëse pasagjeri e ka prerë biletën me kartën personale të kreditit, atij i duhet të kontaktojë me e-mail vetë kompaninë, në këtë rast Fly Ernest Airlines.

“Zakonisht një kompani i kryen rimbursimet brenda muajit, por në rast fluksi të madh, mund të arrijë deri në tre muaj. Nëse kompania shpall falimentin, pasagjerët nuk duhet të presin rimbursim, siç ndodhi edhe me rastin e Belle Air. Por ndodh që agjenci të ndryshme, si unë, klientët e rregullt i kompensoj menjëherë nga agjencia, mandej pres rimbursimin e kompanisë. Por kjo nuk mund të ndodhë me klientë të rastësishëm”- tregon Floria për gazetën “Si”.

Të njëjtin shpjegim jep edhe Eva Rama nga Explorer Travel & Tours.

Eva Rama, Explorer Travel & Tours

“ Ne nuk kemi shitur më bileta për llogari të Fly Ernest pas njoftimit të parë në funddhjetor se kompanisë i është pezulluar licenca e fluturimit. Kam patur dy klientë të cilët kanë qenë në radhën e atyre që u është anuluar fluturimi dhe kam nisur procedurën e rimbursimit. Është herë të flasim nëse rimbursimi do të kryhet sepse ende nuk i dihet fati kompanisë, por ne e bëmë tonën.”- shprehet Eva Rama e Explorer Travel & Tours.

Floria Marini thotë se vetëm një klient ka patur për të aplikuar për rimbursim sepse, shpjegon ajo “agjencitë me eksperiencë janë skeptikë për kompanitë e reja që herë janë provizore në treg, herë eksperimentojnë. Duke arsyetuar në këtë mënyrë, ne u sugjerojmë klientëve tanë kompani të tjera fluturimi të konsoliduara në treg që kryejnë të njëjtat destinacione. Prandaj kjo është një nga pasojat pse Fly Ernest nuk ka funksionuar. Nuk ka arritur të plotësojë numrin e pasagjerëve për fluturim, nuk ka mundur të investojë në marketing dhe pas 2015 kur hyri në treg u zhduk, për tu rishfaqur vitin e kaluar. Prandaj priteshin këto problematika”.

Përfaqësuesit e agjencive thonë se Fly Ernest si kompani e huaj që funksionon mbi bazën e legjislacionit ndërkombëtar, raportet financiare i kryen vetë dhe nuk ka një entitet në vend që mund t’i ankohesh, përpos Autoritetit të Aviacionit Civil.

Pas njoftimit nga Autoriteti Italian i Aviacionit Civil (ENAC) për pezullimin e licencës së kompanisë "Ernest", si autoriteti përgjegjës për licencimin e kësaj kompanie, Autoriteti Aviacionit Civil Shqiptar (AAC) do të deklaronte se , i dërgoi një kërkesë sqaruese ENAC dhe u informuam se për shkak të vështirësive financiare me likuiditetin e kompanisë, autoriteti italian ishte detyruar të merrte këtë vendim me shpresën se kompania, deri me datë 13 Janar 2020, do jetë në gjendje të vërtetojë garanci financiare të nevojshme për vijimin e aktivitetit.

Kompania "Ernest" nga ana e saj iu përgjigj AAC-së, se do të angazhohej në marrjen e masave të nevojshme për garantimin e zhvillimit të fluturimeve të programuara deri më datë 13 janar.

Që nga momenti i njoftimit për pezullim, kompania është duke operuar me kapacitet të kufizuar në avionë dhe staf operues. Kjo situatë ka sjellë edhe anulime dhe ri-skedulime të fluturimeve, por jo deri në pikën e ndalimit total të fluturimeve.

Duke qenë se kompania ende ka një licence aktive nga autoriteti italian deri më dt. 13 Janar , pasagjerët duhet të marrin masat që deri në këtë datë të lidhen në telefon me shërbimin e klientit të kompanisë dhe/ose agjencinë ku kanë prerë biletën dhe të përpiqen të sigurojnë një vend në fluturimet që kompania po kryen.

Autoriteti sqaron se, nëse pasagjerët nuk e kryejnë dot fluturimin me Ernest dhe zgjedhin të presin një biletë me një kompani tjetër, atyre u rekomandohet të bëjnë kërkesën për rimbursim dhe kompensim nëpërmjet sistemit të kompanisë në faqen e tyre në internet në adresën:
https://form.jotformeu.com/82412077858362…

Kërkesën për rimbursim duhet t’a bëjnë edhe pasagjerët që kanë prerë bileta përtej datës 13 Janar 2020.

Autoriteti thotë se, është shumë e rëndësishme që pasagjerët të bëjnë kërkesat për rimbursim dhe kompensim si i vetmi mekanizëm mbrojtës në dispozicionin e tyre sipas ligjit të BE-së.

Në rast se kompania do dështojë t’i tregoj autoritetit Italian aftësinë për të mbajtur të vlefshme licencën e operimit, bazuar në legjislacionin e shtetit fqinj, shpjegon Autoriteti i Aviacionit Civil, asaj do i duhet të zbatoj hapat e mëtejshëm sipas legjislacionit italian.

Në lidhje me rimbursimet dhe/ose kompensimet në rast se kjo ndodh, pasagjerët këshillohen të zbatojnë udhëzimet që do të dalin në vijim nga autoriteti italian dhe/ose entitete të tjera shtetërore në vendin fqinj.

AAC është duke ndjekur situatën e kompanisë italiane "Ernest" dhe do të kërkoj në vazhdimësi kompanisë dhe autoriteteve italiane, garantimin e respektimit të të drejtave të pasagjerëve të prekur, si autoriteti përgjegjës për licencimin e kësaj kompanie.

AAC në përputhje me legjislacionin europian dhe shqiptar, që rregullon të drejtat e pasagjerit, në një situatë sikurse po kalon kompania italiane, do publikoj rast pas rasti informacione të përditësuara me qëllim që të ndihmojmë pasagjerët në vendimmarrjet e tyre.
Në një deklaratë për mediet nga aeroporti “Nënë Tereza”, kreu i Autoritetit Krislen Keri do të akuzonte kompaninë e fluturimeve Fly Ernest për papërgjegjshmëri të plotë ndaj pasagjerëve duke i lënë ata në terr informativ dhe për orë të tëra në kaos.

Stafi i kompanisë ajrore është larguar dje nga Tirana, siç e konfirmoi edhe drejtori Keri duke mos paguar as gjobën që i është vendosur për problematika të ngjashme të vazhdueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë